2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Adem Jashari, arsyeja pse u ndaluan librat shqip në Preshevë

Më të lexuarat

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka thënë se ndalimi i 103 222 teksteve mësimore që ishin të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe kthimi i tyre në Kosovë shënon shkallën e durimit të shqiptarëve në këtë pjesë.
Në një intervistë për “Epokën e re” Musliu ka kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës të ndërhyjnë në mekanizmat ndërkombëtarë që ta detyrojnë Serbinë të kthehen tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore në Luginë të Preshevës.

Po ashtu, të njëjtën gjë ai e ka kërkuar edhe nga SHBA-ja, BE-ja dhe shtetet e tjera me ndikim në arenën ndërkombëtare, që të ndërhyjnë tek autoritet serbe për t’u kthyer librat shkollorë në Luginë. “Diskriminimi që po ua bënë Serbia shqiptarëve në Luginë është i papranueshëm. Unë nuk e di se si po e toleron faktori ndërkombëtar këtë situatë, kur dihet që s’mund t’i ndalohet libri dikujt në shekullin 21”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, me kthimin e teksteve mësimore nga Lugina e Preshevës po i vjen fundi gjithçkaje. “Ishin më shumë se 103 mijë tekste të cilat do të duhej të shkonin në duart e nxënësve. Prandaj, konsideroj se është momenti që Qeveria e Kosovës ta ngrehë zërin”, ka theksuar Musliu, duke bërë me dije se pa i bërë në mënyrë reciproke ligjet, në mënyrë që t’u ndalohen edhe serbëve librat nga Serbia, do të jetë i vështirë kthimi i atyre teksteve mësimore.

Musliu ka kërkuar urgjentisht seancë speciale në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Luginën e Preshevës. “Nga kjo shihet qartë se Serbia nuk është e interesuar për të pasur mësim cilësor në Luginë të Preshevës. Po ashtu, edhe faktori ndërkombëtar është duke e neglizhuar këtë çështje”, është shprehur ai.

Musliu ka treguar se kthimi i teksteve mësimore ka pasur një arsyetim nga Serbia.

“Gjoja se atyre po u pengon Adem Jashari. Sipas tyre, Adem Jashari nuk duhet të jetë simbol në këta libra. Megjithatë, Adem Jashari është hero kombëtar. Ai ka qenë komandant i imi dhe i UÇK-së. Përderisa unë isha ushtar i tij, atëherë edhe fëmijët e Luginës duhet të mësojnë për luftën çlirimtare të tij. Adem Jashari nuk ka qenë vetëm komandat i Kosovës, por komandant i të gjithë shqiptarëve, edhe i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, edhe i atyre të Maqedonisë”, ka deklaruar Musliu, duke shtuar se është momenti që Kosova dhe Shqipëria të jenë më afër Luginës.

“Shqipëria dhe Kosova duhet t’i hapin zyrat e tyre në Luginë, pra t’i kenë diplomatët e tyre për ta parë nga afër gjendjen e shqiptarëve”, ka thënë ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit