0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Maqedonia lejon hyrjen e kontrolluar të numrit të refugjatëve

Më të lexuarat

Qendra tranzituese e refugjatëve në Gjevgjeli, në kufririn Maqedoni – Greqi, pothuajse është e zbrazët.

Aty të martën gjenden dhjetëra refugjatë të cilët gjatë 24 orëve të fundit janë lejuar të hyjnë në Maqedoni.

“Gjendja në kuotën kufitare 59, mes Maqedonisë dhe Greqisë është e qetë dhe stabile. Ne si shtet do të lëshojmë të hyjnë nga Greqia në Maqedoni po aq migrantë, sa do të lëshojë Serbia të hyjnë në territorin e saj refugjatët të cilët tanimë janë në Maqedoni”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Natalia Spirova Kordiq nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Ndërkohë, mbi 8 mijë refugjatë të cilët vijnë nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme, kryesisht Iraku dhe Siria, në pritje për të hyrë në Maqedoni, në zonën kufitare Idomeni të Greqisë, natën e kanë kaluar në qiell të hapur në kushte të vështira jetësore .

Një nga ata është edhe Hasani 23 vjeçar nga qyteti Alepo i Sirisë, i cili me shokët e tij është nisur drejt Gjermanisë ose Austrisë.

Ai për Radion Evropa e rrëfen se në Idomen është duke pritur më shumë se një javë për të hyrë në Maqedoni.

“Dua të shkoj në Gjemani, ose në Austri kudo që të jetë, nuk këkoj asgjë më shumë se një vend ku mund të jetoj në paqe”, thotë ai duke theksuar se kushtet në kampin Idomeni janë shumë të vështira, nuk ka ushqim dhe kushte elementare për higjenë.

Ndërkohë në kufirin me Serbinë, kanë mbetur të ngujuar tanimë 24 orë rreth 500 refugjatë të cilët të hënën u nisën nga Gjevgjelia në Tabanovc pasi që nuk janë lejuar të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të BE-së nga ana e autoriteteve serbe.

Sead Ramadani nga organizata humanitare “VLLAZNIA” e cila vepron në Tabanovc, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjendja e refugjatëve është shumë e vështirë sepse ata ndodhen në qiell të hapur më shumë se 24 orë.

“Është një gjendje jashtëzakonisht e rëndë, ku një grup prej më shumë se 500 refugjatëve të cilët kanë arritur nga Gjevgjelia qëndrojnë në qiell të hapur në zonën kufitare Maqedoni – Serbi, një pjesë e tyre janë shumë të lodhur dhe janë shtrirë për tokë nëpër fusha. Ne si organizatë humanitare mbrëmë shpërndamë pako me qumësht për fëmijët…” bën të ditur ai.

Ndërkaq, autoritetet maqedonase kanë theksuar se Maqedonia nuk do të lejojë të shndërrohet në kamp për refugjatë andaj mbetet në vendimin për kontrollin e vazhdueshëm të rrjedhës së refugjatëve drejt trajektores së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit