0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Turqia u jep një varr refugjatëve të mbytur: fluks njerëzish në det, por edhe në varreza

Më të lexuarat

Punonjësit e bashkisë së Izmirit sheshojnë dheun mbi dy qivurë, njëri pas tjetrit, ndërsa një imam thotë lutjet në arabisht. Solemniteti i rastit bëhet edhe më i thellë për shkak të asaj që mungon – lotët, të afërmit e madje edhe emrat e të vdekurve, pasi secili prej tyre identifikohet vetëm me një numër.

Për qindra mijë refugjatë që largohen nga luftërat në Lindjen e Mesme për sigurinë e Europës, ky qytet bregdetar ka qenë pikënisja. Por, për qindra të tjerë është kthyer në vendin e fundit të prehjes.

“Tani përballemi me fakte të tmerrshme, familje të tëra të mbytura në det, e me asnjë të gjallë që t’i varrosë”, thotë Ahmet Altan, imam në varrezën Dogancay, që ka vendosur tokë në dispozicion për të varrosur emigrantët e panjohur që humbin jetën në det.

Ndërsa NATO dërgon anijet e saj të luftës në detin Egje në një përpjekje tjetër për të përmbajtur fluksin e refugjatëve që vijnë nga Turqia drejt Europës, vdekjet në det vijojnë të kapin njëra-tjetrën: të paktën 400 deri tani këtë vit, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit. Në 2016, edhe pse vetëm në një muaj e gjysmë, më shumë se 76 mijë njerëz, pothuajse 3 mijë në ditë, janë arritur në Greqi nga Turqia.

Patrullimi i shtuar nga roja bregdetare turke, temperaturat e ulëta dhe deti i trazuar janë të gjithë këta faktorë që i bëjnë zyrtarët të besojnë se do të ketë më pak përpjekje për të kaluar detin, por gjithsesi efekti në shifra duket të jetë shumë i vogël.

Madje, në javët e fundit ka pasur një shtim të nisjeve, ndërsa refugjatët e dëshpëruar shfrytëzojnë çmimet më të ulëta që ofrojnë trafikantët gjatë muajve të dimrit, kur edhe udhëtimi është më i rrezikshëm sesa gjatë verës. Numri i të larguarve është në rritje, me valët e reja të refugjatëve si pasojë e bombardimeve ruse. Autoritete turke thonë se të paktën 100 mijë refugjatë po largohen nga bombardimet dhe përparimi i trupave të regjimit në Aleppo.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të largohemi”, thotë 36-vjeçari Mahdi, një refugjat sirian, ish-mësues që po përgatitet të udhëtojë në det me gruan dhe dy fëmijët e moshës 11 muajsh dhe 3 vjeç. “Është e vështirë të shkosh në Europë e do të bëhet më e vështirë pasi këto vende preferojnë që ne të mbytemi sesa të jetojmë në tokën e tyre”.

Një nga historitë e Izmirit, është ajo e 35-vjeçarit Bilal, refugjat sirian që u nis për në Greqi me një anije druri të rraskapitur së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tyre, më i madhi 10 vjeç. Kur u nisën, anija që kishte kapacitet prej 30 vendesh, ishte e mbushur me plot 36 të rritur dhe 15 fëmijë.

“Motorri nuk mund ta tërhiqte peshën dhe në gjysmë të rrugës, ndaloi”, kujton Bilali. “Menjëherë, anija nisi të fundosej dhe ne ishim të gjithë në ujërat e acarta”.

Gruaja e tij kishte kapur fëmijët dhe i kishte lidhur në jelekun e tij të shpëtimit. Por asnjëri prej tyre nuk dinte të notonte dhe rryma i ndau nga njëri-tjetri.

Fëmijët patën probleme, por e gjithë familja mbijetoi, ndërsa tre kushërinj të tyre ishin mes 18 pasagjerëve të anijes që humbën jetën. “Vdekja është bërë fati ynë”, thotë Kholoud, gruaja e Bilalit. “Ose do të vdesësh në Siri nga bombat, ose do të vdesësh në det”.

Të paktën, ata mbijetuan. Plotësia e krizës humanitare të refugjatëve mund të shihet në morgun më të madh të Izmirit, që së fundmi punon përtej kapacitetit, e ka zgjeruar mjediset për të pasur më shumë vend. Fotografitë e emigrantëve të vdekur tregojnë se një pjesë e madhe e viktimave janë fëmijë, disa prej të cilëve vetëm katër muajsh.

“Pjesa më e vështirë e kësaj pune është kur vijnë fëmijë”, thotë një zyrtar në morg, pa e dhënë emrin, për shkak se nuk është i autorizuar të flasë për median. “Ata janë në atë moshë kur duhet të argëtoheshin në det e të luanin, por në vend të kësaj trupat e tyre të pajetë nxirren në breg njëri pas tjetrit”.

Ai shpjegon se pasi trupat e emigrantëve të mbytur mbërrijnë në morg, mbahen për 15 ditë që t’u mundësohet familjeve t’i marrin. Nëse nuk identifikohen gjatë kësaj periudhe, departamenti i mjekësisë ligjore kryen autopsinë dhe regjistron ADN-në e tyre.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit