3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Biznesmeni, 50 mijë euro për vrasjen e një pronari tokash

Më të lexuarat

Kristi Pine, vrasësi i penduar i grupit të Admir Tafilit, ka rrëfyer të paktën dy vrasje dhe tre tentativa vrasjesh, të cilat janë porositur nga persona të ndryshëm nëpërmjet Tafilit, i cili jepte urdhra nga burgu. Nga 15 mijë euro deri në 100 mijë euro, janë pagesat e ofruara për Pinen, i cili konsiderohet dhe si ekzekutori i grupit të strukturuar kriminal. Pazari për vrasjen e pronarit të tokës ku ishte ndërtuar një HEC, është një nga episodet e rrëfyera nga 24-vjeçari korçar.

Kristi Pine, një 24-vjeçar i konsideruar si vrasës me pagesë, për llogari të të dënuarit me burgim të përjetshëm Admir Tafili, ka rrëfyer disa nga krimet e porositura nga burgu. Ai ka treguar personat me të cilët ka bashkëpunuar, porositësit e krimeve dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre.

I penduar për gjithçka ka bërë, Pine ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke rrëfyer detaje nga planet e vrasjeve, ku shpesh porositës janë biznesmenë, apo persona që duan të vrasin për hasmëri. Ai thotë se ka kryer një vrasje në Shkodër, ka tentuar të vrasë një tjetër person në Shkozë dhe nuk ka realizuar disa vrasje të tjera, për të cilat i është ofruar nga 50 deri në 100 mijë euro.

Pine rrefen detajet nga plani për vrasjen e shtetasit Majlind Lila, i cili kishte konflikt me pronarin e një HEC-i, pasi ishte ndërtuar në tokën e tij.

Për këtë ngjarje, vetë Lila ka bërë kallëzim në polici, dëshmi e cila përputhet me rrëfimin e Krsti Pines.

Për këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka marrë të pandehur pronarin e HEC-it, shtetasin Fatos Koka, si dhe personat e tjerë që kanë planifikuar vrasjen e pronarit të tokës, përfshi dhe Admir Tafilin.

***

Shtetasi Majlind Lila, ka bërë kallzim penal në lidhje me një problem që ka me shtetasin Mehmet Koka dhe djalin e tij Rakip Koka, të cilët janë administratorë të një hidrocentrali që kanë bërë në tokën e tij, në vendin e quajtur Gjon-Martanesh, Bulqizë.

Për këtë konflikt, ai është në proces gjyqësor që prej 5 vitesh. Me këta shtetas, ai ka patur dhe konfrontime fizike e verbale, në lidhje me pronësinë e tokës.

Në vitin 2010 në nëntor, poshtë pallatit të vëllait të tij, kanë ardhur shtetasit Elton Koxheri dhe Shkëlqim Koxheri, së bashku me tre persona të tjerë, dhe e kanë rrahur shumë keq, duke e lënë në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasin Majlind Lila.

Nga këta persona, ai ka patur kërcënime me jetë, në shumë mënyra; po ashtu është kërcënuar edhe bashkëshortja e tij.

Në datën 4.12.2014, rreth orës 13:20, Lila ka qenë së bashku me motrën Fatmira Gjoni, nusen e vëllait, si dhe prindërit e nuses së vëllait, pasi po përcillnin për në Greqi vëllain Xhaferr Lilën.

Autobusi ndodhet te Bulevardi “Zogu I”, 50 m nga Universiteti “UFO”, ngjitur me Raiffeisen Bank.

Aty ka vënë re të pandehurin Fatos Koka, së bashku me një person tjetër që ishte i ri afro 24 vjeç, trup i shkurtër afro 1.65 cm, flokët të zeza dhe të qethura anash shkurt, mbante të veshur një xhup të zi dhe mbante një palë syze të errëta.

Më pas ka rezultuar se ky ishte shtetasi nën hetim, Kristi Pine. I

ka bërë përshtypje ky person, pasi nuk po i shqiste sytë duke e parë, ndërsa Fatosi kur ka vënë re që ai po e shikonte, është kthyer me kurriz për të ikur, por ky djalë i ri e ka kapur për krahu, e ka tërhequr dhe e ka kthyer kur kanë kaluar të dy përballë tij.

Shtetasi Majlind, i ka treguar vëllait se ky është personi që kishte konflikt dhe që e kishin rrahur në mënyrë brutale.

Ka kthyer kokën dhe ka parë sërish Fatos Kokën me këtë person, të cilët po shikonin në drejtimin e tyre.

“Unë së bashku me motrën, kam ikur me shpejtësi, pasi kisha frikë se mos më bënin ndonjë gjë”, ka deklaruar Majlind Lila.

Pasi kanë kaluar disa kohë, në muajin shkurt, kallzuesi ka parë në media se një person i moshës 24 vjeç është kapur, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë.

Të nesërmen kam parë në gazetë fytyrën e personit që policia kishte kapur si vrasës me pagesë dhe ishte i njëjtë me personin që unë kam parë te stacioni i autobusit me të pandehurin Fatos Koka.

Në ato momente, ka menduar se Fatos Koka kishte për qëllim që t’i tregonte këtij personi që ta vriste.

Kallzuesi thekson se e ka të fiksuar shumë mirë fytyrën e këtij personi te stacioni i autobusit dhe i ka bërë përshtypje pasi e shikonte drejt dhe nuk i shkëpuste sytë.

Gjithashtu kallzuesi deklaron se ai ruhet nga shtetasit Mehmet Koka dhe Fatos Koka, pasi dyshon se duan t’i bëjnë ndonjë gjë atij dhe familjes së tij.

Dëshmia e Pines

Së bashku me Alban Beqiraj dhe Elson Merdanin, kunati i Admir Tafilit, kemi qenë me një mjet tip “Volkswagen” dhe Elsoni më tha: “…do takojmë atë personin për muhabetin që kemi bërë…”, pasi kishim folur që në muajin nëntor për këtë gjë dhe se Elsoni më kishte premtuar 15 mijë euro dhe një pistoletë 15-she, për të kryer një vrasje. Shtetasi Kristi Pine, deklaron se Elsoni i ka treguar personin në afërsi të qendrës në Tiranë, duke i thënë: ”Ky është personi që do të takosh, është personi i punës për të cilën kemi bërë muhabet. Pas kësaj, shtetasi Kristi ka dalë nga automjeti dhe e ka takuar personin që ishte me gjatësi afro 175 cm, trup i shëndoshë, kurse Elson Merdani dhe Albano Beqiraj, kanë qëndruar në automjetin tip “Volswagen Passat” me targë AA 306 JO. Shtetasi Kristi Pine ka përshkruar përveç karakteristikave fizike të personit që do të takonte dhe veshjen e tij si dhe faktin që mbante syze dielli. Personi që shtetasi Kristi e përshkruan si i shëndoshë, flokë të shkurtra, i gjatë afro 1.75 m, fillimisht i thotë: “Ke bërë muhabet me atë, duke nënkuptuar Elsonin” dhe pasi shtetasi Kristi i përgjigjet: “Po, kam fol”, i ka treguar me dorë në drejtim duke i thënë: “Ky është personi”, që në atë moment ndodhej në krahun tjetër të rrugës. Pasi Kristi e pyet “për sa”, ai i është përgjigjur:“…për 50 mijë euro”. Shtetasi Kristi i përgjigjet “OK”. Në atë moment ky person që do të ishte si objektiv për t’u vrarë, ka shkëmbyer shikim me shtetasin Kristi Pine. Pas kësaj, shtetasi Kristi është kthyer dhe është futur në automjet ku e priste Elsoni, i cili e pyet: “Hë, mirë”, dhe ai i përgjigjet: “Mirë, por të presë ky se kemi halle të tjera”. Nisur nga deklarimi i shtetasit nën hetim, Kristi Pine dhe përshkrimi i karakteristikave fizike të personit që ishte porositës i vrasjes, është bërë paraqitje për njohje me anë të fotografive, ku shtetasi nën hetim Kristi Pine, në të gjitha rastet e përsëritjes së veprimit të njohjes nëpërmjet fotove, ka njohur të pandehurin Fatos Koka, si personin që e ka porositur për të vrarë shtetasin Majlind Lila, kundrejt një shume prej 50 mijë euro. Shtetasi nën hetim Kristi Pine, ka deklaruar gjithashtu se: “…ishte njohur nga Elsoni për faktin se ata (Fatos Koka dhe Majlind Lila), kishin një konflikt pronësie për një toke ku do ndërtohej një hidrocentral”.

Dëshmia e Pines: Plani për vrasjen e Leonard Muratit në Durrës

Rreth muajit tetor 2014, të pandehurit Kristi Pine, Aleksandër Gora dhe Admir Tafilaj, në bashkëpunim midis tyre dhe në bashkëpunim me një person tjetër, ende i paidentifikuar, banues në Durrës, kanë përgatitur kushtet për vrasjen e shtetasit Leonard Murati, në Durrës. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Admir Tafilaj i ka kërkuar të pandehurit Kristi Pine, që të takohet me të pandehurin Aleksandër Gora dhe pasi janë takuar, ky i fundit i ka propozuar të vrasë një biznesmen nga Durrësi, të quajtur Leonard Murati. Për vrasjen e tij ofrohej shuma prej 50 mijë euro dhe nëse vriste edhe nipin, do të paguante 100 mijë euro. Këtë porosi e ka marrë Admir Tafilaj, nga persona të paidentifikuar ende. Takimi është kryer në muajin tetor në Tiranë dhe së bashku me shtetasin nën hetim Aleksandër Gora, me mjetin e këtij të fundit, kanë shkuar në qytetin e Durrësit, ku kanë takuar një shtetas të qujtur Klajdi. Ky person i ka siguruar dhe dhënë shtetasit nën hetim Kristi Pine, dy armë, një tip “Skorpions” dhe një armë tip pistoletë “Zastava”. Gjithashtu ky shtetas i ka gjetur dhe dhënë dhe një motorr, i cili iu seksuetrua këtij shtetasi në momentin e arrestimit dhe që rezultoi të ishte i vjedhur në Greqi. Pas këtij momenti, shtetasi Kristi Pine ka filluar përgatitjet për kryerjen e vrasjes, duke studiuar vendet ku banonte dhe qëndronte, rrugët e lëvizjes, mjetet dhe personat që e shoqëronin. Për këtë vrasje, shtetasi nën hetim Kristi Pine, ka biseduar dhe me shtetasin nën hetim Elson Merdani, i cili i ka thënë se për këtë vrasje kishin marrë një shumë prej 25 000 euro.

Vrasja e shtetasit Leonard Murataj, është kryer në ambientet e lokalit të tij në Durrës dhe sipas deklarimeve të shtetasit nën hetim Kristi Pine, kjo vrasje nuk është kryer nga ai, por nga dy persona që ai nuk i ka njohur dhe në këto kushte veprimet e tij, në bashkëpunim me shtetasit Admir Tafilaj, Aleksandër Gora, Elson Merdani dhe një shtetas nga Durrësi, ende i paidentifikuar plotësisht, përbëjnë elementët e veprës penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Pavarësisht se kjo vrasje nuk është kryer nga shtetasi nën hetim Kristi Pine, shtetasi i dënuar Admir Tafilaj, ka marrë një shumë prej 25 000 euro, shumë të cilën e ka marrë shtetasi Elson Merdmani, prej të cilave i ka dhënë Kristit 3000 euro. Përgatitja për kryerjen e kësaj vrasjeje, provohet dhe nga biseda telefonike e datës 31.10.2015, personi nën hetim, Kristi Pine, komunikon ne telefon me të dënuarin Admir Tafilaj, nëpërmjet numrit celular në përdorim nga Alban Beqiraj, i cili kishte thirrje nga Admiri me emrin Xhike. Biseda bën fjalë për sigurimin e armëve dhe motoçikletës që do të përdorej nga Kristi Pine për të realizuar vrasjen e Leonard Muratit. Konkretisht në mënyrë të koduar, i shpjegon se kishte marrë dy armë dhe motorrin dhe detajin tjetër se për armën tip “Skorpion”, Klajdi nga Durrësi, nuk i kishte siguruar akoma fishekë, që ishin të kalibrit 7.65.

Të pandehur:

Admir Tafilaj

Kristi Pine

Elson Merdani

Dritan Peksani

Alfred Qefalia

Adrian (Isuf) Uzuni

Klajdi Shermadhi

Aleksandër Gora

Fatos Koka

Albano Beqiraj

Dhimitër Zito

Kalem Hyka

Besnik Daci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit