4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Persiatje shpirterore nga Ibn Kajim el-Xheuzijeh

Më të lexuarat

Ibn Kajim el-Xheuzijeh

Ky artikull perbehet nga nje sere tekstesh shpirterore te perkthyera nga vepra e mirenjohur e Ibn Kajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”.

Tabela e permbajtjes

  1. Fena-ja, dashuria dhe të kapurit pas fesë së Zotit
  2. Pese shkaterrueset e shpirtit
  3. Qendrimi kundrejt vetes dhe mekatarit
  4. Mbi dashurine, drojen dhe shpresen
  5. Thelbi i adhurimit 
  6. Pushtetarët dhe e vërteta
  7. Ibn Tejmija dhe perunjesia

 

 

 

1. Fena-ja, dashuria dhe të kapurit pas fesë së Zotit

Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, f. 290-295.

Sufiu i mirënjohur el-Heraui është shprehur se “Kapja pas fesë të Zotit tek elita e elitës konsiston në bashkimin, i cili është të dëshmuarit të së vërtetës në mënyrë ekskluzive, pas nënshtrimit të plotë ndaj Tij me nderim, dhe devocionit ndaj Zotit falë afrisë me Të.

 

Pas kësaj shprehjeje të el-Herauit, Ibn Kajim el-Xheuzijeh komenton:

[…] Me shprehjen “të dëshmuarit të së vërtetës në mënyrë ekskluzive” el-Heraui ka dashur të thotë se elita e elitës sheh vetëm të Vërtetin, I lartësuar qoftë Ai, dhe asgjë tjetër përveç Tij. Kjo vjen si pasojë e fenasë (shuarje/asgjësim) së dëshmitarit tek i dëshmuari (fena el-shahid fi el-meshhud) dhe pas ngritjes së velit (hyjnor) ndodh transferimi (i robit për tek Zoti). Siç e kemi shpjeguar edhe më parë, ndryshe nga ç’beson el-Heraui, kjo gjendje nuk është përsosmëri. Në vend të kësaj, përsosmëria konsiston në fenanë (shuarjen/asgjësimin) e vullnetit (të adhuruesit) në vullnetin e Zotit. Siç e kemi thënë edhe më parë fenaja (reshtja/shuarja) ndaj të dëshmuarit të gjithçkaje tjetër përveç Zotit është me e ulët se fenaja e vullnetit të adhuruesit në vullnetin e Zotit.

Për sa i përket shprehjes së tij ” pas nënshtrimit të plotë ndaj tij me nderim“. Sheh el-Heraui, Zoti e mëshiroftë, falë dashurisë së tij për alegoritë ka arritur të shpreh një kuptim madhështor të fjalës istihdha (nënshtrim), e cila është emri foljor i formës istifaal të fjalësmuhadha. Kjo fjalë ka kuptimi të përballesh me diçka në mënyrë të atillë sa që asgjë të mos lihet jashtë saj. Të përballesh me diçka përmes çdo qelize të trupit. [Në lidhje me marrëdhënien e njeriut me Zotin] kuptimi i saj është afërsi [me Zotin] dhe heqjen e çdo gjëje të ndërmjetme që e ndalon realizmin e afrimit. Nuk duhet pasur asnjë dyshim se robi e ka të mundur të afrohet me Zotin dhe se Zoti afrohet me robin e tij.

Për sa i përket afrimit të robit me Zotin në lidhje me këtë ekziston ajeti kuranor “…por bëj

sexhde dhe afroju Zotit tënd!” [96:19]. Në një hadith kudsij Zoti ka thënë: “Nëse robi im më afrohet një pëllëmbë unë do ti afrohem një krah”. Në një tjetër hadith lexojmë: “Asgjë nuk e afron [më shumë] robin me Mua se sa kryerja e asaj që unë ia kam bërë obligim atij (farze) dhe robi im vazhdon të më afrohet duke kryer vepra vullnetare (nafile) derisa une ta dua. Kur ta dua, atëherë unë do të bëhem veshi me të cilin ai dëgjon, syri me të cilin shikon dhe duart me të cilën rrok sende dhe këmbët me të cilët ecën. Kësisoj, ai dëgjon, shikon, rrok dhe ec përmes Meje”. Në një tjetër hadith lexojmë: “Robi më afrohet më shumë në pjesën e fundit të natës”. Një tjetër hadith thotë: “Robi im është më afër Meje kur është në sexhde”. Njëherë njerëzit i ngritën zerat në namaz gjatë kohës që po thonin “Allahu Ekber” dhe Profeti (a.s.) i tha: “O njerez, përmbahuni (dhe uleni zërin). Ai të cilin po e thërrisni nuk është as shurdh dhe as i papranishëm, përkundrazi ai është Gjithëdëgjuesi dhe i afërt, Ai është më afër jush se qafa e kafshës që kalëroni [për udhëtim]”.

Sheh el-Heraui, Zoti e mëshiroftë, e ka shprehur kërkimin për tiu afruar Zotit dhe refuzimin e çdo gjëje të ndërmjetme që e pengon robin nga të arriturit e afërsisë së dëshiruar me Zotin, pa të cilën sytë e adhuruesve dhe evlijave të Zotit nuk do të thaheshin nga [përmallja], përmes fjalës istihdha. Realiteti i kësaj fjale është nënshtrimi i robit në prani të Zotit, përballë tij, në kontrast të plotë me të gjithë ata që i kthejnë shpinën Atij, i bëjnë bisht apo përpiqen ta shmangin atë.

Kuptimi i kësaj që sapo thamë nuk mund të rroket vetëm se përmes pranisë [hudur] dhe shijimit shpirtëror [dheuk] dhe mënyra më e mirë për ta shprehur atë është përmes shprehjeve profetike muhamedane. Në sufizëm shprehja që i afrohet më së shumti është se ajo është “afri” që shoqërohet me ngritjen e velit (hyjnor), përmes së cilës robi realizon realitetin e nderimit. Kjo është arsyeja për el-Heraui është shprehur: “pas nënshtrimit të plotë ndaj Tij me nderim“.

Kushdo që dëshiron ta kuptojë këtë çështje në mënyrë të drejtë duhet të kuptojë [më së pari] emrat “I Fshehuri” dhe “I Afërti” e Zotit të lartësuar. Kjo duhet bërë ndërsa besimtari është në gjendje të atillë që zemra e tij ëshë e mbushur me dashurinë për Zotin dhe gjuha e tij me dashurinë për përkujtimin e Tij. Prej këtu, robi i Zotit merret drejt fenasë (shuarjes në Zot) për realizimin e të cilës ai i ka përveshur mëngët dhe i ka kushtuar të gjithë përpjekjet.

Nëse robi është i përkushtuar ndaj realizmit të fenasë së ndërmjetme, e cila konsiston në reshtjen e dëshmimit të gjithçkaje tjetër përveç Zotit (fena ani shuhudi el-seua), atëherë zemra e tij nuk do të dëshmoj asgjë tjetër përveç Tij. Format zhduken, aludimet shuhen: ajo që nuk ishte asgjësohet, ajo që gjithnjë ka qenë mbetet. Në këtë gjendje shpirtërore, robi i përgjigjet thirrjes për fena për shkak të dashurisë për Zotin dhe jo detyrimit. Sepse në këtë gjendje, dashuria është shkrirë më nderimin dhe afrimin tek Zoti dhe ky është fundi i udhëtimit për ata që kërkojnë arritjen e fenasë.

Megjithëkëtë, nëse robi synon një fena më të lartë, e cila konsiston në shuarjen e vullnetit të çdokujt tjetër përveç atij të Zotit (fena ani iradeh el-seua), atëherë në zemrën e robit të Zotit nuk mbetet asnjë vullnet i cili mund ti rezistojë vullnetit normativ, ligjor, profetik dhe kuranor. Dy vullnetet (ai i njeriut dhe i Zotit) bashkohen dhe vullneti i Zotit bëhet edhe vullneti i robit të Zotit. Kjo është esenca dashurisë së pastër. Ky është unifikimi (itihad) i kuptuar në mënyrë të saktë, unifikimi i objektit të vullnetit dhe jo i atij që ushtron vullnetin apo i vetë vullnetit.[1] Medito rreth këtij dallimi ndërsa je në këtë pikë të udhëtimit, sepse hapat e shumë kërkuesve shpirtëror (salikin) kanë rrëshkitur dhe kuptimet e atyre që kanë gjetur Zotin (uaxhidin) janë turbulluar.

Në këtë gjendje shpirtërore, ajo që dikur ishte joekzistuese shuhet/asgjësohet në vullnetin, preferencën, dashurinë, nderimin, drojen, shpresën dhe mbështetjen tek Zoti: vetëm ajo që është e përhershme mbetet. Në këtë stad të gjitha gjërat e ndërmjetmë midis Zotit dhe robit të Tij zhduken dhe nënshtrimi i plotë i shoqëruar me dashuri dhe nderim arrihet. Në këtë gjendje shpirtërore, kërkuesi i fenasë përgjigjet si pasojë e dashurisë, bindjes dhe zgjedhjes dhe jo si pasojë e detyrimit. Por, zemra dhe shpirti i të dashuruarit, dashuria e të cilit ka mbushur çdo pjesë të qenies së tij, vërtitet rreth Zotit i cili është i dashuri, më i përsosuri, më i bukuri dhe më meritori. Kjo shkaktohet nga dashuria totale e shkrirë me nderim, afërsi dhe fshirje të gjithçkaje tjetër përveç të dashuruarit. Asgjë nuk mbetet në zemër përveç Atij që dashurohet dhe asaj që Ai dashuron. Ky është realiteti i të kapurit pas fesë së Zotit dhe litarit të Tij. Vetëm Zoti mund të ndihmojë (në arritjen e kësaj gjendjeje).

Për sa i përket shprehjes së el-Herauit, “devocion ndaj Zotin falë afrisë me Të“, ajo ka kuptimin se afërsia me të Vërtetin e angazhon robin e Zotit kaq shumë sa që asgjë tjetër nuk ia tërheq vëmendjen dhe ky është kuptimi i vërtetë i afërsisë me Zotin. A nuk e sheh se shërbëtori më i afërt i sulltanit, i cili kujdeset për të dhe flet për të, nuk hutohet nga asgjë tejtër? Kësisoj angazhimi ekskluziv i robit me Zotin e tij është në proporcion me afërsinë e tij me Të.

Referenca

[1] Këtu teksti i Ibn Kajimit mund të duket i paqartë, megjithatë ajo që ai dëshiron të përçoj është fakti se sipas tij forma më e lartë e fenasë dhe bashkimit ndodh atëherë kur robi i Zotit dëshiron atë që dëshiron edhe Zoti, por me këtë ai nuk shkrihet me Zotin dhe as vullneti i tij nuk humbet në vullnetin e Zotit. Njeriu mbetet gjithsesi autori dhe përgjegjësi për veprimet e tij morale, por e asgjëson objektin e vullnetit të tij në atë që Zoti dëshiron.

 

2. Pese shkaterrueset e shpirtit

(Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, (Botime Dar el-Kutub el-Ilmijeh), f. 283-287

Prishësit e zemrës janë pesë dhe me saktëisht ato janë “përzierja me njerëzit, të jetuarit në një jetë imagjinare (fantazia), lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit si edhe ngrënia dhe gjumi i tepërt”. Këto pesë gjëra janë korruptueset më të mëdhaja të zemrës. Këtu do të përmendim efektet e tyre, të përbashkëtat si edhe efektet e veçanta që secila prej tyre zotëron mëvetësisht.

Bëhu i vetëdijshëm se zemra udhëton drejt Zotit dhe botës tejtër duke zbuluar rrugën e të vërtetës dhe mënyrat e saj, ndodhitë e shpirtit dhe veprave si edhe të kusarëve [që bëjnë pritë] në rrugën [shpirtërore], përmes dritës, jetës, fuqisë, shëndetit, vendosmërisë, saktësisë së dëgjimit dhe shikimit të saj si edhe mungesës së hutimeve dhe pengesave në të. Këto pesë shkatërruese të shpirtit e zhdukin dritën e zemrës, i verbojnë sytë duke i privuar nga aftësia depërtuese, e shurdhojnë dëgjimin, në mos e bëjnë njeriun krejtëisht të shurdhër dhe memec, dobësojnë të gjitha dhuntitë e zemrës, shkatërrojnë shëndetin e saj, ia shterojnë vendosmërinë, ia ligështojnë këmnënguljen dhe e bëjnë atë të kthehet mbrapsht. Ai i cili nuk është i vetëdijshëm për këtë zotëron një zemër të pajetë: “Cila është ajo plagë që mund të dëmtojë atë që është i vdekur?”

Këto pesë gjëra e pengojnë zemrën nga të arriturit e gjendjes së përsosur duke e ndaluar që të arrijë atë për të cilën është krijuar dhe nga të arriturit e burimet e lumturisë, suksesit, lulëzimit dhe kënaqësisë së saj.

Zemra nuk mund të zotërojë asnjëherë lumturi, kenaqësi, lulëzim apo përsosmëri përveçe duke njohur Zotin dhe duke e dashur Atë, duke ndjerë paqe gjatë përkujtimit të Tij, duke u gëzuar dhe lulëzuar gjatë arritjs së afërsisë me Të si edhe duke ndjerë përmallim për takimin me Të. Ky është xheneti i tanishëm i njeriut. Njësoj siç njeriu nuk ka për të arritur lumturinë dhe suksesin në botën tjetër përveçse përmes arritjes së afërsisë me Zotin në vendin e lumturisë në xhenetin e mëvonshëm. Kësisoj, njeriu ka dy xhenete: ai nuk mund të hyjë në të dytin (d.m.th. xhenetin e perhershëm) nëse nuk hyn paraprakisht në xhenetin e parë (d.m.th. në xhenetin e tanishëm të kësaj bote). Kam dëgjuar Shejhul Islam Ibn Tejmijen, Zoti e shenjtëroftë shpirtin e tij, të thotë: “Vërtet ekziston një xhenet në këtë botë dhe kushdo që nuk hyn në të nuk do të hyjë në xhenetin e botës tjetër”

Një nga njohësit e Zotit (arif) ka thënë: “Zemra kalon përmes disa momenteve (kohëve) të tilla sa që them: “Nëse njerëzit e xhenetit do të kishin përjetuar diçka të ngjashme me këtë jeta e tyre do të ishte vërtetë e mirë”. Një nga të dashuruarit pas Zotit (muhib) ka thënë: “Të mjerët e kësaj bote janë ata që ikin prej saj pa shijuar gjënë më të mirë në të”. Njerëzit pyetën: “Cila është gjëja më e mirë në të?”. Ai iu përgjigj: “Dashuria për Zotin, afërsia me të, malli për ta takuar atë, kthimi drejt tij dhe shmangia e çdo gjëje tejtër”.

Kushdo që ka një zemër me jetë e dëshmon një gjë të tillë dhe e njeh atë përmes përjetimit shpirtëror (dheuk).

Pesë korruptueset e zemrave janë ato që e pengojnë këtë të fundit nga të arriturit e gjithë kësaj që sapo thamë. Ato e bëjnë këtë duke qendruar midis zemrës dhe Zotit, duke bllokuar udhëtimin e saj, duke e goditur atë me sëmundje dhe mangësi, të cilat nëse pacienti (d.m.th. zemra) nuk do t’i kalojë atëherë ai do të jetë në rrezik për jetën.

1) Përzierja e tepërt me njerëzit

Për sa i përket pasojave të përzierjes së tepërt me njerëzit një gjë e tillë e mbush zemrën me tymin e frymërave të bijve të Ademit, derisa e bën atë të zezë dhe i shkakton asaj shpërndarje dhe çarje. Pëzierja me njerëzit e bën zemrën të mbushet me shqetësim, pikëllim dhe dobësi, duke qenë se asaj i duhet të duroj përtej kapaciteteve të saj mbajtjen e shoqërisë së keqe, të mos kujdeset për interesin e saj prej të cilit shoqëria e njerëzve e huton, duke i shpërndarë mendimet e saj në luginën e kërkesave dhe vullneteve të njerëzve. Pas kësaj, çfarë i mbetet zemrës për Zotin dhe botën tjetër?

Për më tepër, sa të shumta janë fatkeqësitë që vijnë si pasojë e përzierjes me njerëzit dhe sa shumë bekime humbasin duke qendruar me ta? Sa të shumta janë sprovat dhe problemet që hasen duke u përzier me njerëzit dhe sa shumë oportunitete humbasin duke qendruar me ta? A nuk i vjen fatkeqsia njeriut veçse nga njeriu? Çfarë ishte më e dëmshme për Ebu Talibin në shtratin e tij të vdekjes më shumë se sa shokët e ligë? Ata nuk e lejuan atë dhe e ndaluan të thoshte një fjalë të vetme (d.m.th. shehadetin) që do të kishte dërguar atë në lumturinë e përjetshme.

Kjo është përzierja me njerëzit e cila mbështetet në një farë dashuries për këtë dynja, një përzierje ku njerëzit përmbushin nevojat e njeri-tjetrit dhe pasi nevoja përfundon atëherë shoqëria e tyre kthehet në armiqësi, duke e lënë personin që e ka mbajtur shoqërinë që të kafshoj duart nga keqardhja. Siç ka thënë edhe Zoti në Kuran: ”

“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. (Kuran 25:27-29).

Zoti i lartësuar ka thënë po ashtu: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të

drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun”. (Kuran 43:67).

Po ashtu miku i Zotit, Ibrahimi, i ka thënë njerëzve të tij: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.” (Kuran 29:25).

Kjo do të jetë gjendja e të gjithë atyre që mblidhen së bashku për interesa personale, duke shprehur dashuri për njeri-tjetrin për sa kohë punojnë së bashku për ta arrirë atë. Por, kur interesi mbaron atëherë kjo pasohet nga keqardhje, hidhërim dhe dhimbje. Dashuria e tyre kthehet ne armiqësi, mallkim, fajësim kundër njeri-tjetrit. Kjo sepse interesi i është kthyer atyre dhe është shndërruar në hidhërim dhe dënim, siç shihet qartë kur ato mblidhen së bashku për ta tradhëtuar atë në momentin kur kapen dhe ndëshkohen. Të gjitha atë që bashkëpunojnë në të gënjeshtërtën, dashurojnë njeri-tjetrin për hir të saj, do ta shohin dashurinë e tyre të kthehet në urrejtje dhe armiqësi.

Rregulli i përgjithshëm është që njeriu të përzihet me nejrëzit vetëm për mirësi, si p.sh. në rastin e grumbullit në ditën e xhuma, festën e Bajramit, në haxh, në rrethet e dijes dhe mësimit, në xhihad dhe në rastin kur jep këshillë të mirë, si edhe të evitoj shoqërinë me njerëzit në kryerjen e veprimeve që konsiderohen gjynah dhe të atyre veprimeve që janë të lejuara, por të panevojshme.

Nëse dikush e gjen veten në shoqëri të njerëzve që janë duke u përfshirë në ndonjëfarë vesi, ai nuk duhet asnjëherë ta miratoj veprimin e tyre dhe duhet të tregohet i durueshëm për lëndimin që mund të pësoj si pasojë e qëndrimit të tij. Kjo sepse nëse ai nuk ka asnjë pushtet apo mbrojtës ata nuk do ta lënë asnjëherë të qetë atë që kundërshton rrugët e këqija të tyre. Gjithsesi, vuajtjen që një person duron në këtë rast do të ndiqen nga nderi, dashuria, respekti dhe lëvdimi i besimtarëve dhe Zotit. Pranimi në heshtje i veprave të tyre të këqija do të dërgoj në poshtërim, urrejtje dhe mosaprovim prej tyre, besimtarëve dhe Zotit të botërave. Kësisoj, në fund të çështjes durimi ndaj lëndimit të tyre është më i mirë dhe më i lëvdueshëm. Kur dikush është i detyruar të shoqërohet me ta në gjëra të lejuara, por të panevojshme, atëherë ai duhet të përpiqet ta ktheje atë shoqëri, nëse ka mundësi, drejt bindjes ndaj Zotit, të forcojë zemrat e tyre dhe të evitoj vesveset e shejtanit që mund ta pengojnë atë nga të kryerit e një veprimi të tillë. Megjithatë, ai duhet të luftoj kundër dëshirës së tij për tu mburrur me veprat dhe gjendjen e tij shpirtërore. Ai duhet t’i lutet Zotit për ndihmë dhe të veproj drejt sa më shumë të jetë e mundur në situate të tilla.

Nëse asnjë prej këtyre veprimeve nuk funksionon dhe njërëzit këmbëngulin në shkujdesjen (gaflet) e tyre dhe personi në fjalë është i detyruar të qendroj në shoqërinë e tyre, atëherë ai duhet ta largojë zemrën e tij nga ajo shoqëri (e keqe), njësoj si një qime hiqet prej brumit. Kësisoj, ai nuk është me ta ndoënse jo i pranishëm (fizikisht), afër por larg (në realitet), në gjumë, por i zgjuar, ai i vështron ata, por nuk i shikon (në realitet), ai ia vë vëshin (atyre), por nuk i dëgjon. Trupi i tij mund të jetë në shoqërinë e tyre, por zemra dhe mendja është me Zotin.

2) Fantazia

Korruptuesi i dytë i zemrës është lundrimi në oqeanin e dëshirave/ëndërrave. Një oqean i tillë nuk ka fund dhe në të jetojnë dështakët e kësaj bote sepse fantazia është zotërimi më i mirë i të varfërve. Furnizimi i atyre që lundrojnë në oqeanin e dëshirave/fantazive përbëhet nga premtimet dhe fantazitë e shejtanit. Valët e shpresave dhe fantazive të gënjeshtërta lozin me njeriun njësoj siç qeni loz me një kufomë. Këto dëshira të rreme janë aseti i çdo shpirti të degjeneruar dhe të pavlerë të cilit i mungon kurajo për tu përballur me realitetin, kështu që ai e mbulon atë me fantazitë e mendjes së tij. Secili prej atyre që vuajnë nga një sëmundje e tij preken prej saj në mënyra të ndryshme. Disa ëndërrojnë me sy hapur për të pasur pushtet dhe autoritet, të tjerë ëndërrojnë të udhëtojnë në të gjithë botën dhe të vizitojnë çdo qytet dhe të tjerë akoma që të zotërojën pasuri dhe gjëra të çmuara, gra dhe djem. Ai që ëndërron me sy hapur merr formën e gjësë që ai dëshiron dhe imagjinon se ai e ka arritur atë dhe i gëzon triumfit të tij, dërisa zgjohet dhe e gjen veten duarbosh. Ai i cili është vërtet i guximshëm dhe synon lart i kthen dëshirat e tij drejt dijes dhe besimit si edhe drejt veprave që e afrojnë me Zotin e tij dhe e dërgojnë atë pranë Tij. Ëndërrat e tij janë ëndërra besimi dhe drite, ndërsa ëndërrat e atyre që vuajnë nga fantazitë e kota janë mashtrime dhe mendjemadhësi.

Profeti (a.s.) e ka lavdëruar atë që dëshiron të kryej vepra të mira duke e barazuar në disa raste shpërblimin e tij me atë të atij personi që i kryen ato. Njësoj si ai që thotë: Nëse kam pasuri atëherë njësoj si filani dhe fisteku do t’i druhem Zotit, do të përmisojë marrëdhëniet e mia (me të tjerët), do të paguaj zekatin. Profeti ka thënë: “Që të dy (d.m.th. si ai që i bën këto gjëra ashtu edhe ai që shpreson se do ti bëjë) janë të barabartë në shpërblim” (Transmetoi Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ahmedi). Profeti (a.s.) pasi e kishte kryer haxhin sipas mënyrëskiran shprehu dëshirën që ta kishte bërë atë sipas mënyrs tematu, të kishte përfunduar ihramin e tij të mos e kishte sjellë kurbanin me vete. Kësisoj Zoti e shpërbleu si për kryerjen ekiranit ashtu edhe për pasjen synim të kryerjes së tij tematu.

3) Lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit

Korruptuesi i tretë i zemrës është lidhja me gjithçka tjetër përveç Zotit. Nuk ka shkatërrues më të madh të zemrës, pengues më të madh për tek Zoti dhe armik i dobisë dhe suksesit të njeriut se sa kjo sëmundje. Kur njeriu është i lidhur me dikë tjetër përveç Zotit, atëherë Zoti e dorëzon atë në duart e atij me të cilin njeriu është lidhur dhe ky i fundit e tradhëton atë dhe njeriu dështon. Ai dështon në të dyja drejtimet dhe nuk e arrin përmbushjen e dëshirës së tij as nga Zoti (i vërtetë) dhe as nga zoti i tij i rremë. Zoti i lartësuar ka thënë: ” Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës. Por jo! Ata [zotat e rremë] do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiqtë e tyre” (Kuran 19:81-82). Zoti i lartësuar ka thënë gjithashtu “Por ata kanë zgjedhur zota të tjerë në vend të Allahut, duke shpresuar se do të ndihmohen prej tyre. Zotat nuk mund t’i ndihmojnë, e megjithatë idhujtarët janë si një ushtri e pranishme për (t’i mbrojtur) ata” (Kuran 36:74-75).

Njerëzit më të poshtëruar janë ata që janë të lidhur me dikë tjetër përveç Allahut. Atë që ata kanë humbur, nga mirësia, gëzimi dhe lumturia, është shumë më e madhe se ajo që ata kanë përfituar. Madje edhe ajo pak gjë që ata kanë përfituar është e destinuar të humbasë. Shembulli i një personi të tillë është i ngjashëm me rastin e atij personi që orvatet të gjej strehim nga vapa apo i ftohti në shtëpinë e një merimange, e cila është më e dobëta strehë. Thënë përmbledhtazi, thelbi i shirkut dhe baza tek i cili ai mbështetet është pikërisht të lidhurit me dikë tjetër përve Allahut. Ata të cilët bien në këtë grackë janë të censuruar dhe të braktisur. Siç ka thënë edhe Zoti i lartësuar: ” Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!” (Kuran 17:22). Ti do të ndjehesh i poshtëruar me askënd që të të admiroj dhe i harruar pa asnjë ndihmëtar. Disa njerëz janë të shtypur, por të lëvduar, si në rastin e atij është i shtypur në mënyrë të padrejtë. Disa të tjerë nuk lavdërohen (nga të tjerët), por kanë nuk mbështetje, siç është p.sh. rasti atij që sundon me padrejtësi. Të tjerë akoma janë të lavdëruar dhe të ndihmuar, siç është p.sh. rasti i atij i cili ngjitet në pushtet me drejtësi. Një njeri që bën shirk, i lidhur me diçka tjetër përveç Zotit, as nuk lëvdohet dhe as nuk ndihmohet.

4) Ngrënia e tepërt

Korruptuesi i katërt i zemrës është ushqimi. Ai e prish zemrën në dy mënyra: E para, ajo çka e korrupton zemrën falë faktit se ajo është në esencës e ndaluar. Gjëra të tilla ndahen në dy lloje të tjera: 1) Ajo që është e ndaluar për shkak të hakut të Zotit, si p.sh. ngënia e cofëtinave, gjakut, mishit të derrit, kafshët me dhëmbë çatall dhe zogjtë me kthetra dhe 2) ato gjëra që janë të ndaluar për shkak të së drejtës së njerëzve, si p.sh. gjërat e vjedhura, të marra me pa të drejtë apo të grabitura si edhe gjithçka që merret prej pronarit të saj pa lejen e tij, qoftë përmes forcës, modestisë apo frikës prej shpifjes.

E dyta, ajo çka e korrupton zemrën falë sasisë, gjë e cila konsiston në kalimin e kufijve. Një rast i tillë është ekstravaganca në atë që është e lejuar, siç është p.sh. rasti i ngrënies së tepërt [të ushqimeve të lejuara]. Një gjë e tillë shkakton letargji në bindjen ndaj Zotit, preokupim me mbajtjen obezitetit dhe gjithçka që shoqërohet me të, derisa personi të ndjehet i ngopur. Pasi të jetë ngopur ai e preokupon veten me përpjekjen për të shmangur dëmet dhe parehatinë e peshës së tij. Ai mbizotërohet nga babëzia dhe rruga e shejtanit [për tek ai] zgjerohet, sepse shejtani qarkullon nëpërmjet birit të Ademit, njësoj si gjaku në trup. Agjërimi e ngushton rrugën e shejtanit dhe ia bllokon atë, ndërsa grykësia e zgjeron atë. Cilido që ha shumë do të pi shumë dhe do të fle shumë si edhe do të humbë shumçka. Siç thuhet edhe në një hadith të mirënjohur: “Biri Ademit nuk mbush asgjë më të keqe se sa stomaku i tij. Është e majftueshme për atë që ta hajë aq sa të mbajë shpinën e tij. Nëse duhet doemos të mbushë [stomakun], atëherë le ta mbushë një të tretën e tij me ushqim, një të tretën me pije dhe një të tretën [e mbetur] ta lërë për të marrë frymë”.

Transmetohet se Iblisi shkoi tek Jahja biri i Zakarisë, paqja qoftë mbi të dy, dhe Jahja tha: “A më ke kapur në ndonjë gjë? Iblisi tha: “Jo, përveç se një rasti kur një natë tu servir ushqim dhe una bëra të mundur që ti ta dëshiroje atë derisa hëngre prej tij deri në ngopje dhe fjetje aq sa e humbe faljen”. Ai tha: “Pasha Zotin, unë nuk do të ha më aq sa të ngopem”. Ndërsa Iblisi tha: “Pasha Zotin as unë nuk do ti jap më sërish këshillë ndonjë njeriu”.

Gjumi i tepërt

Korruptuesi i pestë i zemrave është gjumi i tepërt. Kjo sepse ai e bën zemrën të plogët, dobëson trupin, harxhon kohën si dhe ushqen neglizhencë dhe përtaci. Një pjesë e gjumit të tepërt është e papëlqyeshme dhe një pjesë tjetër është e dëmshme për trupin.

Gjumi më i dobishëm është kur personi fle atëherë kur është e nevojshme. Gjumi gjatë pjesës së parë të natës është më i rekomandueshëm dhe i dobishëm se sa gjumi gjatë pjesës së fundit të natës. Ndërsa gjumi gjatë mesit të natës është me i dobishëm dhe i kënaqshëm se gjumi në fillim dhe fund të natës. Sa më shumë afrohet me dy fundet e natës aq më shumë ulet dobishmëria e tij. Veçanërisht i padobishëm është gjumi në mesditë dhe në fillim të ditës, me përjashtim të rastit të atij që e ka gdhirë natën.

I papëlqyeshëm është edhe gjumi pas namazit të sabahut deri në lindje të diellit, sepse një kohë e tillë është një mundësi dhe të ecurit gjatë kësaj kohë është më e dobishme për kërkuesit shpirtërorë (muridin), madje edhe nëse e kanë gdhirë gjatë gjithë natës. Ata nuk ia lejojnë vetes që të mos ecin gjatë kësaj kohe deri në lindje të diellit. Pjesa e parë e ditës është çelësi i gjithë ditës. Ajo është periudha kur risku zbret dhe përcaktohet për njeriun. Periudha kur merret bereqet, ndërtohet dita dhe suksesi i tërë ditës varet nga kjo periudhë kohore. Kështu që, njeriu nuk duhet të flejë gjumë në këtë kohë përveç rasteve kur një gjë e tillë është e pashmangshme. Gjumi më i dobishëm është gjumi i mesit të natës dhe një të gjashtës të fundit të saj, që në tërësi konsiston në tetë orë. Sipas mjekëve, kjo është periudha më e balancuar për të fjetur gjumë. Gjithçka që shtohet apo pakësohet prej saj shkakton dëm. Ashtu siç gjumi i tepërt shkakton dëm të njëjtin efekt shkakton edhe luftimi i gjumit ose shmangja tërësore e tij. Një fenomen i tillë shkakton probleme të tjera madhore, si p.sh., pasjen e humorit të keq dhe të ashpër, mosfokusimin e shpirtit dhe tharjen e lëngjeve që ndihmojnë në të kuptuarit dhe kryerjen e punëve. Mungesa e gjumit shkakton, po ashtu, sëmundje kronike të cilat nëse e godasin personin, atëherë as zemra dhe as trupi i personit nuk do t’i sjellin shumë dobi. E gjithë ekzistenca varet nga drejtësia, cilido që e ruan atë do të marrë hisen e tij nga magazina e mirësive. Dhe Zotit të vetëm i takon lutja për ndihmë.

 

 

3. Qendrimi kundrejt vetes dhe mekatarit

Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijeh, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-Kutub el-Ilmijeh), f. 273-274.

Prej shenjave të atyre që janë të kthyer me pendim tek Zoti është ndjenja e përbuzjes/përçmimit për ata njerëz që tregohen neglizhent (gafil ndaj urdhëresave të Zotit), madje të frikësuarit për ta (d.m.th. per fundin e tyre). Ndërsa mbajmë njëkohësisht hapur derën e shpresës për veten, duke shpresuar mëshirë për veten dhe duke iu frikësuar ndëshkimit për neglizhentët e urdhërave të Zotit, por njëkohësisht duke shpresuar për mëshirën (e Zotit) ndaj tyre dhe drojen për ndëshkimin e Zotit ndaj nesh. Nëse në momentin kur zbulon gjendjen e gjynahqarëve dhe kur sheh se cfarë ata bëjnë nuk arrin dot të përmbash përbuzjen dhe zemërimin kundrejt tyre, atëherë duhet të tregoshesh madje edhe më përbuzës ndaj nefsit (shpirtit) tënd dhe të kesh më shumë shpresë në mëshirën e Zotit kundrejt tyre se sa kundrejt teje.

Një nga paraardhësit e devotshëm (selef) ka thanë: “Ti nuk e ke arritur vërtet kuptimin (e fesë) derisa të ndjesh përbuzje/përcmim për ata njerëz që nuk i binden Zotit dhe më pas të kthesh (vëmendjen) drejt vetes tënde dhe të ndjesh një përbuzje akoma më të madhe për të”. Ky pohim nuk mund të kuptohet përveç se nga ai i cili vërtet e kupton fenë e Zotit të Lartësuar. Ai që ka parë realitetin e krijimit, pafuqinë e krijesave, dobësitë, mangësitë, dështimet, deficitet e tyre në respektimin e të drejtave të Zotit, kërkimin e ndihmës tek dikush tjetër përveç Tij, shitjen e hises së tyre tek Zoti në shkëmbin të gjërave të më ulta, më jetëshkurtra, më kalimtare, nuk mund të mos ndjejë neveri/mospëlqim ndaj tyre. Ai nuk mund ta shmangë një ndjenjë të tillë. Megjthëkëtë, kur ai e kthen vështrimin tek shpirti i tij, gjendja dhe mangësitë e tij, dhe nëse vërtet ai zotëron aftësi depërtuese [për të shqyrtuar shpirtin e tij] atëherë ai do të ndjejë neveri dhe përbuzje akoma më të madhe ndaj vetvetes. Ky është përsoni që zotëron kuptim në fe.

Për sa i përket hetimit në detaje të adhurimit tënd, një gjë e tillë kërkon shqyrtimin e mënyrës se si adhurimi korruptohet nga dëshirat e nefsit. Po ashtu një gjë e tillë kërkon që të ndahet çfarë është për Zotin dhe çfarë është për veten. Është krejtësisht e mundur që në mënyrë të pavetëdijshme shumica, për të mos të thënë të gjitha, prej veprave tona të devotshmërisë të bëhen për të kënaqur dëshirat personale. Pasha Zotin, përveç të cilit nuk ka Zot tjetër të denjë për tu adhuruar, sa të shumtë janë ata shpirtra që vuajnë nga sëmundjet dhe dëshirat e fshehta të cilat e bëjnë të pamundur që veprat e tyre të jenë pastërtisht dhe vetëm për Zotin dhe që i pengojnë veprat që të arrinë tek Zoti [d.m.th. të pranohen prej Tij].

Një njeri mund shumë mirë të veprojë drejt ndërsa është në vetmi dhe i padiktuar nga askush dhe përsëri veprimi i ij të jetë jo i pastër dhe jo i kryer ekskluzivisht vetëm për Zotin. Po ashtu, një njeri mund të veproj drejt duke qenë ndërkohë nën shikimin lëvdues të njerëzve dhe vepra e tij mund shumë mirë të jetë ekskluzivisht vetëm për hir të Zotit.

Midis veprimit dhe zemrës ekziston një rrugë e gjatë në të cilën gjenden banditë të cilët e pengojnë veprën që të arrijë zemrën. Mund të ndodhë shumë mirë që veprat e mira të një njeriu të jenë të shumta, por as dashuria, droja, shpresa, asketizmi apo dëshira për botën tjetër nuk arrijnë në zemrën e tij. Nëse efekti i veprave të tij do të kishte mundësinë të arrinte në zemrën e tij, atëherë ai do ta mbushte atë me dritë dhe do ta ndriçonte në mënyrë të atillë që ai do të ishte në gjendje të dallonte të drejtën nga e gabuara dhe të shquante miqtë e Zotit nga armiqtë e Tij si edhe përjetimi i shumë gjendjeve shpirtërore do të bëhej i mundur për të.

Një rrugë e gjatë ekziston, gjithashtu, edhe ndërmjet zemrës dhe Zotit. Edhe në të ekzistojnë banditë që i pengojnë veprat për të arrirë tek Zoti, [banditë] të tillë si arroganca, admirimi i vetes, mburrja, harresa e mirësive të Zotit dhe shumë e shumë të meta të tjera më pak të diktueshme. Është thjesht për shkak të mirësisë së Zotit që këto të meta mbeten të padiktueshme për shumicën e kryerësve të veprave. Sepse, nëse këto të meta do të bëheshin të dukshme, atëherë kryerësit e veprave ndoshta do të binin në diçka edhe më të keqe, si p.sh. dëshpërim, ndjenjë të pafuqisë, brejtjeje të ndërgjegjes, braktisje të veprimit, dobësim të vullnetit dhe zbehje të vendosmërisë.

Kjo është arsyeja përse kur libri i Harith el-Muhasibit “Ruajtja e të drejtave të Zotit” u shfaq për herë të parë dhe adhuruesit filluan të angazhoheshin me të, xhamitë që zakonisht mbusheshin me adhurues u boshatisën. Një mjek me përvojë e di se si t’i shërojë shpirtrat në mënyrë të atillë që të mos shkatërrohet një qytet për të ndërtuar një pallat mbretëror.

 

4. Mbi dashurine, drojen dhe shpresen

Fragment i shkeputur nga libri i Ibn Kajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-Kutub el-Ilmijeh), fq. 323

 

Zemra, gjatë udhëtimit të saj drejt Zotit të lartësuar është si një zog, koka e të cilit është dashuri, ndërsa droja dhe shpresa janë dy krahët e tij. Kur koka dhe dy krahët janë në gjendje të shëndoshë atëherë zogu fluturon si mos më mirë. Por, kur koka është prerë, atëherë ai ngordh menjëherë. Dhe kur një nga të dy krahët mungon, atëherë zogu shndërrohet në gjah për çdo gjahtar ose lak.
Selefët preferonin të forconin krahun e drojes gjatë kohës kur njeriu gëzonte shëndet të mirë dhe të forconin krahun e shpresës gjatë kohës që njeriu ndahej nga kjo botë. Kjo është rruga e ndjekur nga Sulejman el-Darani dhe të tjerë përveç tij. Ebu Sulejmani ka thënë: “Zemra duhet të mbizotërohet nga droja sepse kur ajo mbizoërohet nga shpresa, atëherë ajo korruptohet”.
Një tjetër ka thënë: “Gjendja më e përsosur është ekuilibri ndërmjet shpresës dhe drojes dhe të qenit i mbizotëruar nga dashuria, sepse dashuria është udhëtimi, shpresa është orientuesi i karavanit dhe droja është drejtuesi i tij. Zoti është Ai i cili siguron mbërritjen në destinacion falë favorit dhe bujarisë së Tij. Disa të tjerë kanë thënë se është më mirë të forcohet më shumë droja se sa shpresa sepse kur shpresat e kota e mbizotërojnë një njeri, atëherë ai shkatërrohet.
Të tjerë akoma kënë thënë se situate më e mirë është arritja e një ekuilibri të plotë ndërmjet drojes dhe shpresës të shoqëruar me një dashuri mbizotëruese. Sepse dashuria është e përbërë, shpresa është një mprehës, ndërsa droja është një drejtues. Në fund të fundit Zoti është i vetmi që falë mëshirës dhe hirit të Tij na e mundëson përshkimin e rrugës.

 

5. Thelbi i adhurimit

[Fragment i shkëputur nga libri i Ibn Kajim El-Xheuzijeh, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-kutub el-ilmijeh, 2010), f. 50-51).

Adhurimi (ibadet) përbashkon dy principe, dashurinë më të lartë, të shoqëruar me përunjësi dhe bindje të pakrahasueshme. Arabët thonë “Një rrugë muabad”, d.m.th. një rrugë e shtruar dhe e shkelur mirë, kësisoj teabud do të thotë përunjësi dhe bindje. Nëse dashuron dikënd por nuk je i bindur dhe i përunjur karshi tij, atëherë nuk je adhurues dhe po kështu nëse je i bindur ndaj dikujt por pa ndjerë dashuri, atëherë sërish nuk je adhuruesi i tij. Ti adhuron vërtet dikënd vetëm nëse e dashuron dhe je i bindur ndaj tij.
Kështu që, ata që mohojnë mundësinë e dashurisë së robit ndaj Zotit të tij, në të vërtetë mohojnë thelbin e adhurimit. Ata që mohojnë se Zoti është i dashuri dhe objektivi përfundimtar i tyre apo se fytyra e Zotit është synimi më i lartë i tyre, në të vërtetë mohojnë faktin se Ai është Zoti i tyre. Kjo madje edhe ndonëse ata e pranojnë faktin se ai është Zoti i botërave dhe krijuesi i tyre. Ata e kufizojnë pohimin e njëshmërisë së Zotit tek të qenit e tij Rabb (zotërues i gjithckaje), një fakt ky që pohohej edhe nga idhujtarët, por që nuk ishte i mjaftueshmëm për t’i pastruar ata nga idhujtaria. Sic shprehet edhe Zoti në Kuran: “Nëse i pyet ata (idhujtarët) se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Atëherë, përse largohen prej Tij?!” (Zuhruf 86); apo “Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata247: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri që do të të thonë: “Allahu!” (Lukman 25); apo “Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?” (Mu’minun 84-85). Kjo është arsyeja përse ky pohim i tyre është përdorur në Kuran për t’i provuar atyre njëshmërinë e hyjnisë së Tij dhe se askush tjetër përvec tij nuk duhet adhuruar, njësoj sic nuk ka krijues dhe Zot tjetër përvec Tij.

 

 

6. Pushtetarët dhe e vërteta

[Pasazh i marrë nga libri i IbnKajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-Kutub el-Ilmijeh),f. 38.

Realizimi nëdije dhe njohje të brendshme, në veprim dhe në qenie, të ajetit kuranor “Vetëm Tytë adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (Kuran1:5) është shërim për korruptimin e zemrës dhe qëllimit (njetit). Prishja enjetit i përket si objektivave ashtu edhe mjeteve. Kushdoqë synon një objektiv që është i kotë, i mangët dhe i përkohshëm dhe përpiqetta arrijë atë me çfarë do lloj mjeti që dërgon drejt përmbushjes së tij, atëherësi qëllimi ashtu edhe mjeti janë të korruptuara. Ky është rasi me çdokënd qëllimipërfundimtar i të cilit është diçka tjetër përveç Zotit dhe adhurimit të tij…Nëveçanti [kjo është e vërtetë] me pushtetarët të cilët ndjekin kërkesën për tëvendosur pushtetin e tyre me çdo mjet të mundshëm, qoftë ky i drejtë apo igabuar, dhe kur e vërteta vjen në kundërshtim me pushtetin e tyre, ata e therrmojnëdhe e shkelin me këmbët e tyre. Kur e kanë të pamundur ta kryejnë një gjë tëtillë, atëherë ata e shtyejnë atë [tutje] përmes tiranisë. Nëse dështojnë [edhenë këtë përpjekje] atëherë ata e kapin të vërtetën në rrugën e saj dhe edevijojnë atë drejt një rruge tjetër. Ata janë të përgatitur që të ndërmarrinçdo masë për ta refuzuar atë. Së fundmi, nëse ata e shohin si të pamundur [shtyrjentutje të së vërtetës], atëherë ata i garantojnë asaj pranim dhe të drejtën përtu predikuar, por e privojnë atë nga çdo fuqi reale, autoritet dhe aftësi përtu zbatuar. Nëse, nga ana tjetër, e vërteta qëllon të jetë në anë të tyre, atëherëata e mbrojnë atë dhe rretullohen rreth saj, duke I ardhur asaj të nënshtruar.Kjo jo sepse është e vërteta, por sepse ka qëlluar që ajo të pajtohet dhesynimet dhe dëshirat e tyre dhe kësisoj ata kanë mundësi ta rekrutojnë atë përqëllimet e tyre.

 

Dhe, kurthirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midistyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin. Por, nëse e drejta është në anën etyre, ata vijnë përulshëm. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre apo dyshojnë?Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo,por pikërisht ata janë të padrejtët. [Kuran 24: 48-50].

 

 

7. Ibn Tejmija dhe përunjësia

 

Në veprën e tij të mirënjohur, Medarxh el-Salikin, Ibn Kajim el-Xheuzijeh trajton ndër të tjera edhe stacionit shpirtor (mekam) të përunjësisë (khushu). Duke komentuar tekstin e mistikut (sufiut) të mirënjohur El-Herawi, Ibn Kajimi shprehet se pjesë e përunjësisë është që njeriu të qendroj në hije në mënyrë që njerëzit të mos e diktojnë atë dhe ai të ketë mundësi, në këtë mënyrë, që ta fshehë gjendjen e tij shpirtërore prej tyre. Sepse vetëdija e njerëzve për përunjësinë e një personi mund të shkaktoj kënaqësi në zemrën e personit të përunjur dhe një gjë e tillë mund ta hutojë atë nga të kaluarit e kohës vetëm me Zotin dhe mund t’ia shkatërroj zemrën duke ia tjetërsuar pastërtinë e gradës shpirtërore të përunjësisë. Më pas Ibn Kajimi komenton:

“Sa e sa aspirant të gradave shpirtore (murid) kanë humbur rrugën në këtë mënyrë? Të mbrojtur janë vetëm ata që i mbron Zoti. Asgjë nuk është më e mirë për personin e vërtetë se sa kuptimi i varfërisë, nevojës, përulësisë së tij si edhe të faktit se ai nuk është asgjë, se ai është prej atyre që madje as Islamin nuk e kanë të plotë, lëre më pastaj ta konsideroj vetën prej atyre që kanë arritur ndonjë gradë shpirtërore fisnike.

Kam parë tek Shehjul Islam Ibn Tejmija, Zoti ia shenjtëroftë shpirtin, përunjësi të atillë që nuk kam parë tek askush tjetër. Shpesh ai e kishte zakon të thoshte: “Asgjë nuk është e imja, asgjë nuk ëshë prej meje, asgjë nuk është në mua”. Ai shpesh ishte mishërim i vargjeve të mëposhtme:

 

“Unë jam një lypës, bir i një lypësi

Të tillë ishin edhe babai dhe parardhërsit e mi.

 

Kur e lavdëronin në prani të tij ai thoshte: Pasha Zotin, unë jam ende duke u përpjekur të përmirësoj Islamin tim.  Unë madje nuk jam bërë ende një mysliman i duhur.”

Në fund të jetës së  tij ai më dërgoi një traktat rreth komentit të kuranit të shkruar nga ai, në pjesën e prapme të traktatkit gjendeshin të shkruara me dorën e tij vargjet e mëposhtme:

Unë jam një lypës tek Zoti i gjithçkaje

Unë jam nevojtari i vogël në të gjitha gjendjet mia (shpirtërore)

 

Unë jam ai që i bëj keq shpirtit tim dhe ai më bën keq mua.

Nëse ndonjë e mirë na vjen, ajo vjen vetëm prej Tij.

 

Unë nuk mund ti shkaktoj vetes dobi

Dhe as mund ta largoj dëmin.

 

Nuk kam padron tjetër përveç Tij

Dhe as një ndërmjetës për tek Zoti i qiejve.

 

Përveçse me lejen që i Gjithëmëshirshmi, Krijuesi ynë

I ka dhënë ndërmjetësuesit, ashtu siç tregohen në shkrimin e shenjtë.

 

Pa Zotin nuk zotëroj asgjë

Dhe as nuk jam partner në ndonjë pjalmim.

 

Po ashtu, nuk ekziston asnjë ndihmues që e ndihmon Atë.

Ashtu siç ndodh me mbretërit.

 

Varësia e tejskashme është atributi im thelbësor

Njësoj siç pavarësia është atribut i përhershëm i Tij.

 

Duke qenë se pavarësia është atributi i Tij i përhershëm.

Kështu është gjendja me gjithë krijimin.

Çdokush është robi i tij, që i vjen Atij i nënshtruar.

 

Çdokush që kërkon përfundim nga ndokush tjetër përveç Krijuesit të tij

Ai është i gabuar, injorant, rebel dhe idhujtar.

Lavdet qofshin për Zotin i cili e mbush Universin.

 

Përktheu: Rezart Beka

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit