-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

MUSTAFA: KOSOVA E MBRON PARISIN DHE LONDRËN (ha ha ha)

Më të lexuarat

Kryeministri Mustafa theskoi se numri i kosovarëve që luftojnë krah grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Kryeministri i Kosovës, në Konferencën Ndërkombëtare, “Gërmia Hill”,  ku po marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës, tha se Kosova është rreshtuar së bashku me shtetet perëndimore në luftën kundër terrorizmit dhe se po e mbronë edhe Parisin e Londrën.

“Ne vlerësojmë lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera përkrahëse. Kosova është një front evropian i luftës kundër terrorizmit që zhvillohet jo vetëm në Prishtinë, nga këtu mbrohet edhe Parisi dhe Londra, sepse ne e përjetojmë çdo tragjedi që u ndodh vendeve europiane”, theksoi Mustafa.

Ai bëri me dije se numri i kosovarëve që luftojnë krah grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.

“Sipas shërbimeve të Kosovës, numri i kosovarëve pjesëmarrës në luftërat e Sirisë dhe Irakut, ka rënë nën 70. Janë arrestuar shumë persona të lidhur me grupet terroriste dhe janë mbyllur shumë OJQ që dyshohej se përdoreshin për këto aktivitete”, u shpreh Mustafa.

Kreu i qeverisë gjatë fjalimit të tij nuk la pa përmendur edhe faktin se kosovarët kanë mbetur të izoluar, si rezultat i mos-liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian.

Mustafa theksoi se qeveria që udhëheqë ai ka arritur që të zvogëlojë numrin e koovarëve që kërkojnë azil në vendet e europës, dhe bëri me dije se në dhjetor të vitit që shkoi vetëm 5 kosovarë kanë kërkuar azil jashtë vendit, nga 13,000 sa kishte më parë.

“Gërmia Hill” është një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, së bashku me Aspen Institute.

Tema e konferencës do të jetë Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale.“Gërmia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e agjendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin tonë në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale.

Fjala e plotë e Kryeministrit Isa Mustafa në hapje të konferencës:

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar zëvendëskryeministra,

I nderuar zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, z. Thaçi, si organizator i këtij tubimi,

Të nderuar ambasadorë që jeni prezentë këtu,

Ekspertë, gazetarë nga mbi 30 shtete që keni ardhur këto ditë në Kosovë në këtë konferencë.

Më lejoni që t’ju dëshiroj mirëseardhjen në Republikën e Kosovës në konferencën tradicionale të diplomacisë tonë të quajtur “Germia Hill”.

Përndryshe, Germia është një pjesë e bukur e Prishtinës, është një frymëmarrje e këtij qytetit, një park rrëzë qytetit, i dashur dhe me shumë vlera për qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës.

Është ky emër identifikues i kësaj konference që e dallon nga shumë konferenca tjera që mbahen këtu dhe në kryeqytetet tjera evropiane.

“Germia Hill” nuk synon të dallohet vetëm nga emri, por është një qëllim i Kosovës që të jap kontribut thelbësor temave që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane.

Kemi parë edhe sivjet se më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë.

Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët tanë.

Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Janë tri fusha ku ne jemi angazhuar në mënyrë specifike dhe po ashtu vërej se në agjendë edhe këto tri fusha janë mbuluar edhe nga panelet e konferencës. Fillimisht çështja e migrimit, është tema që prek në rrënjë debatin politik dhe medial evropian.

Publiku evropian është i brengosur me valën e refugjatëve. Nga takimet dhe bisedat që kam me homologët e mi në Evropë shoh që kjo dukuri ka mundësi të godet drejtpërsëdrejti vlerat tradicionale evropiane dhe të rrezikoj edhe politikat tradicionale mikpritëse evropiane.

Por çdo keqkuptim dhe paragjykim që Kosova të identifikohet me lumenjtë e emigrantëve nga Siria, Iraku e Afganistani është i tepërt dhe është i paqëndrueshëm.

Ne kemi punuar shumë që numri i azilkërkuesve tonë të bie dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe është vlerësuar lartë, sepse kemi arritur sukses që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi ka qenë 5 persona.

Pra, nga 13 mijë në vetëm 5 individ, është ky rezultat që mund të them se është  i thellë që e kemi arritur duke thyer rrjetet e trafikantëve, duke informuar qytetarët tanë rreth pamundësisë që kosovarët të marrin azil në vendet e Bashkimit Evropian, duke punuar me shtetet anëtare që të bëjmë riatdhesimin e atyre që kishin migruar.

Dhe kështu arritëm që vitin e kaluar t’i riatdhesojmë rreth 20 mijë kosovarë.

Ajo që neve na brengos është se vetëm qytetarët aktualisht janë të izoluar nga mundësia e qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të regjimit të vizave.

Ndërkaq kemi punuar shumë që të përmbushim kriteret dhe besojmë se Bashkimi Evropian së shpejti do të merr vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë, në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

Aspekti i dytë ku Republika e Kosovës është angazhuar në mënyrë domethënëse, është luftimi i terrorizmit dhe radikalizmit. Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi liderë në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Sipas shërbimeve tona, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 vetë, që mund të gjinden tani atje.

Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë OJQ që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë për asnjë moment përkrahjen dhe solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar në kohën kur ata ishin objekt i dhunës, krimit, terrorit dhe shpopullimit. Ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse.

Sondazhet e kryera tregojnë se 98 për qind e kosovarë dëshirojnë të anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ne kemi aplikuar edhe për anëtarësim në EUROPOL. Kosovarët kanë përqafuar vlerat evropiane dhe euroatlantike. Jemi shtet sekular, dhe nuk kemi ndërmend të lëshojmë pe në luftën e përditshme ndaj atyre që nuk respektojnë vlerat fundamentale njerëzore.

Kosova është një front evropian, i cili zhvillohet këtu në Prishtinë, dhe nuk mbron vetëm Prishtinën. Nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra edhe Berlini, sepse ne përjetojmë, ndjejmë, kultivojmë dhe mbrojmë vlerat euroatlantike.

Fatmirësisht situata e sigurisë është e përmirësuar dukshëm dhe falë dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, kështu që sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë, gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur vetëm 5 incidente ndëretnike, në tërë vitin, në veri të Kosovës.

Zvogëlimi i këtyre incidenteve ndëretnike është vullnet i shqiptarëve, i serbëve, por edhe i komuniteteve tjera, dhe të përfaqësuesve të tjerë.

Aspekti i tretë që po mbulohet në këtë konferencë është edhe ai i konflikteve në Ukrainë dhe në Siri, dhe implikimeve që ka Rusia në zhvillimet në këto zona.

Në pikëpamje të distancës, ne jemi larg këtyre konflikteve, por po ashtu duhet të them se bota nuk është ajo çfarë ka qenë përpara, dhe se çdo zhvillim larg ka implikime edhe në Ballkan.

Historikisht kemi parë që shumë sfida që kemi edhe në Kosovë, por edhe te fqinjët tanë, mund të kenë ndërlidhje me disa tendenca globale destabilizuese. Por ne do t’i rezistojmë këtyre tendencave, duke punuar që Kosova të jetë platformë e dialogut dhe e zgjidhjeve.

Edhe kjo konferencë është një kontribut i yni, që nëpërmjet diplomacisë publike të ofrojmë Kosovën si pjesë të zgjidhjes. Sivjet presim të bëjmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe që të na hapen mundësitë që edhe ne të jemi pjesëmarrës në misionet humanitare dhe paqeruajtëse.

Si kryeministër i vendit e kam ftuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Stoltenberg, që të ndërtojmë modalitete edhe më të afërta të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Për më larg, për të ardhmen, synimi ynë mbetet Partneriteti për Paqe dhe anëtarësimi në NATO. Dëshiroj në përfundim të theksoj se sfidat tona janë sfida të përbashkëta, prandaj si të tilla ato mund të përballohen me një bashkërenditje dhe punë të përbashkët.

Unë ju falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen tuaj. E uroj Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe institutin prestigjioz Aspen nga Berlini për këtë konferencë të mirëpritur, dhe shfrytëzoj rastin që ta shpalli konferencën e hapur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit