Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe pas katër vjetësh funksionon me kopje të dokumenteve të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, me metodën e spin off-it special, pasi origjinalet në vitin 2008 ishin humbur, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj agjencie.
Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, thotë se nga ajo kohë, dokumentet origjinale nuk janë gjetur, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga organet kompetente.
“Ndërsa mungojnë dhe kanë munguar që nga ajo kohë vlerësimet e ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special dhe të komercializuara. Agjencia ka kontaktuar edhe auditorët që kanë bërë vlerësimet e ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special. Por, autoriteti i auditorëve të angazhuar nga agjencia e mëhershme, ka deklaruar se AKP-ja e themeluar pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës nuk është palë për ta, pasi palë përgjegjëse ka qenë një institucion tjetër, që është agjencia e mëhershme”, thekson Kaloshi.
Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, kur Agjencia Kosovare e Privatizimit mori nën menaxhim privatizimin, është thënë se shtylla e katërt e UNMIK-ut dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, me përfundimin e mandatit kanë djegur të gjitha dokumentet e procesit të privatizimit, gjë kjo që ishte mohuar nga të dyja palët.
Ndryshe, tashmë pas katër vjetësh, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, EULEX dhe ata të Policisë së Kosovës, nëpërmes telefonit kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion rreth rastit në fjalë.
Por, njohës të çështjeve ekonomike e quajnë të çuditshëm faktin pse deri më tani autoritetet kompetente nuk ka zhvilluar hetime të mirëfillta.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest” thekson se humbja e dokumenteve për të fshehur fakte është krim.
“Është bërë një dëm i parikuperueshëm, me qënëse djegia e dokumenteve për të fshehur fakte është krim. Më kujtohet se AKP-ja në ditën e parë të themelimit të saj, ka dërguar një raport me fotografi të dokumenteve të djegura dhe ka ngritur këtë çështje, mirëpo kjo çështje nuk është avancuar më tepër.
Tash, e vetmja alternativë është rivlerësimi i këtyre ndërmarrjeve, sepse nuk ka bazë tjetër”, konsideron Abdixhiku.
Mungesa e këtyre dokumenteve ka vështirësuar punën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi është dashur që të bëhet rivlerësimi i ndërmarrjeve të privatizuara me metodën e spin off-it special, bën të ditur Yll Kaloshi.
“Agjencia ka bërë auditimin e këtyre ndërmarrjeve, dhe tashmë e ka gjendjen e qartë të ndërmarrjeve të privatizuara me spin off special dhe ndërmarrjeve të komercializuara prej auditimeve që ka angazhuar përmes procesit tenderues të hapur dhe transparent”, thotë Kaloshi.
Sidoqoftë, në gusht të vitit 2008, me fillimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nga zyrtarët e saj, është thënë se në oborrin e ndërtesës së ish Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, janë gjetur dokumente të djegura, ndërsa në zyre nuk ka pasur asnjë dokument dhe as pajisje teknike, raporton REL.kohaislame