0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bien “Badovci” e “Batllava”, uji i pijes keqpërdoret

Më të lexuarat

Autoritetet e ujësjellësit rajonal “Prishtina” kanë bërë të ditur të dielën për rënien e ndjeshme të nivelit të ujit në liqenin e Batllavës dhe atë të Badovcit.

Kësisoj, në liqenin e Badovcit niveli ka rënë 4.5 metra nën nivelin maksimal, ndërkaq në atë të Batllavës 1 metër nën këtë nivel.

Me gjithë këtë gjendje, Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KUR “Prishtina”, ka thënë se gjendja nuk është alarmante.

“Nuk ka nevojë për panik, ndonëse ka rënie të nivelit të ujit”, ka thënë zëdhënësja Mjeku. Sipas saj, gjendja e ujit në të dy liqenet që e furnizojnë kryeqytetin nuk është për shqetësim, por keqpërdorimi i ujit.

“Ka mungesë të ujit në pika të larta në kryeqytet dhe kjo është pasojë e keqpërdorimit enorm të ujit”, ka thënë Mjeku, duke kërkuar nga qytetarët që maksimalisht të jenë të kujdesshëm në shpenzimin e ujit.

Edhe Ramadan Sejdiu, udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ka deklaruar se niveli i ujit në këto dy liqene ka rënë.

Nga ana tjetër, vetë qytetarët kanë kritikuar ata që ujin për pije e përdorin për çështje biznesi apo për ujitje kopshtesh.

Se sasia e ujit ka rënë në liqenet që e furnizojnë Prishtinën me ujë ka konfirmuar edhe drejtori i Institutit Meteorologjik te Kosovës, Sylë Tahirsylaj.

”Sasia e reshjeve është më e vogël sesa gjysma e tyre prej 3 viteve të fundit, prandaj uji duhet të shfrytëzohet racionalisht nga vetë qytetarët”, ka thënë Tahirsylaj, duke theksuar se sasia e vogël ka filluar nga muaji qershor.

”Sasia mesatare që ka ardhur nga muaji qershor e deri tash është 400 litra për metër katror në stacionin e Prishtinës, ndërkaq mesatarja më herët ka qenë 700 deri 800 litra për metër katror”, ka shtuar ai./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit