2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mustafa: Delli dhe Thaçi i hëngrën fjalët

Më të lexuarat

Lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafa, nuk i sheh si njerëz të besës ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Ekziston një arsye pse ai e ka krijuar një bindje të tillë për ta. As njëri e as tjetri, sipas tij, nuk po i dalin zot marrëveshjes politike që ishte arritur në prill të vitit të kaluar me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional që ishte krijuar në vend, pas largimit të Behgjet Pacollit nga Presidenca.

Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, kryetari i LDK-së, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, nuk sheh asnjë arsye që deputetët e partisë së tij, t’i votojnë ndryshimet kushtetuese nëse bie marrëveshja që është mbështetur edhe me Rezolutë të Kuvendit.

Në rrethanat e krijuara ai ka thënë se nuk i bëjnë përshtypje ato që ambasadori amerikan Dell mund t’i flasë për të dhe për LDK-në.

“Çfarë thotë ambasadori Dell është çështje personale e tij. Kë e paragjykon ai, prapë është problem i tij. Kë e ofendon ai prapë është problem i tij. Nuk është problem i imi. Në qoftes se ai dikujt i thotë se ka sjellje fëmijërore, idhnake është çështje e tij e jo e gjuhës sime. Ne nuk jemi as idhnakë, as marrim vendime të tilla në bazë të hidhërimit. Ne u qëndrojmë marrëveshjeve, u qëndrojmë parimeve dhe u qëndrojmë interesave të Kosovës mbrapa”, është shprehur Mustafa.

Kryetari i LDK-së e ka përjashtuar çdo mundësi që LDK-ja të bëhet pjesë e ndonjë marrëveshjeje të re, ashtu sikur ka hedhur poshtë mundësinë që kjo parti të futet në bashkëqeverisje me PDK-në për t’i tejkaluar proceset politike që e presin vendin në vjeshtë të këtij viti.

Ndryshe, marrëveshja politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit parashihte që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Deri atëherë, në krye të shtetit ishte vendosur të qëndronte oficerja e policisë, Atifete Jahjaga.

Ai ka thënë se gjithçka është zhvilluar në Rezidencën e ambasadorit Dell, në prani të ekspertëve juridikë amerikanë.

Mirëpo, gjithçka ndryshoi në fund të javës së kaluar, kur Gjykata Kushtetuese lëshoi njoftimin se ndërprerja e parakohshme e mandatit presidencial është antikushtetuese. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit