-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

LETER MEDIAVE!

Më të lexuarat

Rolin dhe rëndësinë e gazetarisë nuk mund ta mohojë askush. Ndikimi i saj është jashtëzakonisht i madh, është perandori në vete. Qysh nga fuqizimi i tij, të gjithë i patën frikën shtypit, ndërsa Napoleoni duke shprehur friken nga ndikimi i shtypit kishte deklaruar se më shumë duhet ruajtur nga katër gazeta armiqësore sesa nga njëqind bajoneta. Me gjithë këto tendenca, shtypi i lirë vazhdoi ta shtrij pushtetin në të gjithë botën, duke u forcuar gjithnjë e më shumë dhe duke shtrirë ndikimin e tij të vazhdueshëm. Gazetaria, mbi të gjitha është mision i madh dhe i rendësishëm i cili mbartë në vete përgjegjësi të madhe. Një gazetar me punën e tij, me mënyrën e raportimit mund të jetë i nderuar në tokë dhe në qiell, por edhe të jetë shumë i urryer, i mallkuar e mëkatar i madh nëse nuk i shërben të vërtetës. E kam parasysh se puna e mediave nuk është e lehtë, ka përplot rreziqe, sidomos për gazetarët që merren me gazetarinë hulumtuese, por edhe e atyre që raportojnë nga vendet në konflikt, por, nuk mund të mos them se ka dhe të atillë, të pa etikë, të njëanshëm, sahanlëpirës që janë servil të individëve, grupeve të interesit, komuniteteve e partive të ndryshme.

Nejse, kohëve të fundit mediat u ndjen të rrezikuara, ndërsa në vend që të prodhojnë lajmin, ato u kthyen vetë në kryeartikuj të gazetave, dhe u bënë lajmi kryesor i edicioneve kryesore. Miratimi i mëhershëm i disa neneve, respektivisht neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që sipas gazetarëve e kufizon lirinë e gazetarëve, pati bërë bujë në Kosovë. Gazetarët patën reaguar shumë ashpër duke protestuar e madje edhe duke bojkotuar punën e qeverisë për një ditë. Nuk lanë rrugë ligjore pa ndjekur për të mos lënë ato nene të shohin dritën. Shkuan te Presidentja ndërsa i shkruan edhe qarqeve të huaja brenda dhe jashtë vendit. Kjo situatë e arriti kulminacionin, ku me ç’rast si rezultat i këtyre neneve zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ofroj dorëheqjen e tij nga dy postet qeveritare, si një akt moral për një fjalë të dhënë më herët se po u miratuan këto ligje, ai do të hiqte dorë nga të gjitha funksionet qeveritare.

Kuçi ofroj dorëheqjen ndërsa vetëm disa ditë më pas, Kuvendi hoqi ato nene nga Kodi Penal i shtetit. Ishte një fitore demokratike e komunitetit mediatik në vend, ndërsa unë përfitoj nga rasti dhe i uroj, ani pse me zemër të thyer. Po shprehëm kështu ngase komuniteti mediatik neve myslimanëve na ka borxh shumë. Ata nuk na përkrahen sa duhet neve myslimanëve kur të drejtat tona u shkelen për tokë nga ana e institucioneve, madje nuk po qëndrojnë as tash në mbështetjen tonë kur kjo shkelje po vazhdon. Vitin e kaluar, Kuvendi pati votuar ndalimin e lëndës së edukimit fetar. Përkundrazi. E them me keqardhje por shumë media çështjen e trajtuan njëanshëm, madje nuk kursyen veten për ta shprehur mllefin ndaj nesh. Qëndrimet e tyre reflektuan edhe bindjet se e drejta paska më shumë se një kuptim, ose, kur ajo është në raport me myslimanët, nuk meriton respekt. E drejta fetare është vetëm një nga ato shumë të drejta, që e mbarë bota i respekton, e madje edhe Kushtetuta jonë, por ja që ekzekutivi dhe ligjvënësit, përkundër asaj që kanë përpiluar e votuar çështjes i japin konotacion tjetër. Sinqerisht, nuk dua të jap kritika sot kur kam menduar t’iu uroj për realizimin e të drejtave tuaja. Ajo që në fakt dua të them është se, meqenëse edhe ju u viktimizuat sikurse ne, meqenëse edhe ju përjetuat fatin e hidhur të mohimit për disa ditë, mësohuni të qëndroni përkrah atyre që iu shkelen të drejtat. Qëndroni besnik misionit tuaj për të përkrahur të vërtetën pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Andaj, të nderuar gazetarë, ju që po thirrni në liri dhe luftoni për të drejtën e shprehjes, mos harroni se edhe ne kemi të drejta, dhe ju duhet të na ndihmoni në mbrojtjen e tyre. E drejta fetare, vetëm po ua përkujtoj, është e drejtë e shprehjes, kështu që e keni obligim moral dhe profesional, fetar dhe kombëtar, të na dilni në ndihmë.

“Vetëm i sprovuari ia beson të sprovuarit!”- thotë një fjalë e urtë, e cila më bënë të shpresojë se do ta çoni amanetin në vend, do ta kryeni punën tuaj ashtu siç duhet si dhe nuk do të jeni të njëanshëm. Ne myslimanët shumicë të këtij vendi, e dimë dhe e respektojmë fuqinë e mediave, por është obligim moral e profesional, që ta hidhni edhe ju hapin, e të na ndihmoni ne realizimin e kërkesave tona të drejta të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Besoj se uniteti dhe përkrahja mediale ndaj neve myslimanëve është e natyrshëm dhe e domosdoshme, thjeshtë sepse në asnjë vend perëndimor, rrugë të cilën po e ndjek edhe Kosova, nuk i shkel të drejtat fetare më shumë sesa kjo garniturë udhëheqëse.

Zoti iu ndihmoftë të gjithëve në punë të mbara!

Takohemi javën e ardhshme!

Dr. Shefqet KRASNIQI

Selam alejkum!/krenaria/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit