1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Vrasja e klerikut shiit, tension mes Iranit dhe sauditëve

Më të lexuarat

Mosmarrëveshjet mbi ekzekutimin e një kleriku të njohur shiit kanë përshkallëzuar ndjeshëm marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Kjo e fundit i ka lënë diplomatëve iranianë 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi, ndërsa një ditë më parë njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollahëve.

Vendimi i Rijadit që ka tërhequr ndërkohë përfaqësuesit e tij nga Teherani erdhi pas mësymjes së Ambasadës Saudite nga një grup demonstruesish në kryeqytetin iranian. “Ne nuk kemi për ta lënë Iranin të minojë sigurinë tonë“, ishte deklarata e ministrit të Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, i cili e akuzoi hapur Republikën Islamike se ka shpërndarë armë e “mbjellë“ celula terrori nëpër rajon.

“Historia e Iranit është e mbushur me ndërhyrje negative dhe armiqësi të hapur sa i takon çështjeve arabe. Ajo gjithmonë është shoqëruar nga shkatërrimi“, theksoi Al-Jubeiri.

Arabia Saudite dhe Irani janë fuqitë më të mëdha dhe sunitë e shiitë në rajon mbështesin palët kundërshtare në konfliktet që mundojnë Sirinë e Jemenin. Me tensionin e krijuar, Uashingtoni bëri thirrje për qetësi e për angazhim diplomatik.

Sheiku Nimr al-Nimr dhe 46 persona të tjerë u ekzekutuan të shtunën pas dënimeve të dhëna për akuza që kishin të bënin me terrorizmin. Trazira shpërthyen pas lajmit të vdekjes së tij e të dielën, në vendlindjen e klerikut, Auamija, pati të shtëna armësh, nga të cilat humbi jetën një burrë e u plagos një fëmijë.

Ekspertët mendojnë se një thyerje diplomatike mes fuqive kryesore sunite dhe shiite do të rezonojë në çdo cep të Lindjes së Mesme, ku ato janë ndërkohë të pozicionuara në krah të palëve që përballen ne luftra shkatërruese. Lojtarët në rajon kanë nisur që tani të rreshtohen përgjatë linjash sektare, një pjesë në mbrojtje të Teheranit, të tjerë në mbështetje të Rijadit.

Viti që lamë pas përfundoi me një rreze shprese se bisedimet për fundin e konfliktit në Jemen të paktën do të marrin udhë. Negociatat për të ardhmen e Sirisë duhet të vazhdonin këtë muaj me një ritëm frymëzues. Por tani, gjetja e zgjidhjes për secilin rast duket shumë e vështirë.

Në tetor, sauditët vendosën të lënë mënjanë kundërshtitë e tyre ndaj pranisë së Iranit në bisedimet e Sirisë, pasi Amerika i bindi të testojnë angazhimin e Republikës Islamike. Zor se do të binden tani që vendi të cilin e shohin si burim paqendrueshmërie rajonale, do të ndihmojë vërtet në arritjen e një marrëveshjeje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit