2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si është rutina jote e mëngjesit?

Më të lexuarat

Unë e urrej rutinën. Përveç kur bie fjala për rutinën e mëngjesit J Kjo është diçka në të cilën përpiqem dhe i përmbahem.

Ja ca gjëra rreth fillimit të ditës suaj përmes një numri të veprave të para-planifikuara të cilat me të vërtetë ta rregullojnë ditën tënde. Më poshtë do të përshkruaj rutinën ideale për mëngjesin e Muslimanit Produktiv. (Vërejtje: Po supozoj se ezani i Sabahut është në ora 5:00 paradite dhe se puna fillon në ora 08:00 paradite, atëherë lirisht përdorni rutinat e mëposhtme që t’iu përshtaten orareve tuaja inshAllah)

04:00 – 05:00 paradite: 5 Veprime Esenciale

  1. Zgjohu!

Ndoshta hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të pasur një rutinë të mrekullueshme mëngjesi është zgjimi i hershëm nga gjumi! Dhe mu në atë momentin e paaftësisë për të vendosur – se a do të zgjohesh shpejt apo do të kënaqesh në shtratin tënd për “5 minuta” të tjerë – qëndron sekreti i një dite të mrekullueshme apo të një dite të çmendur. Ja një ide e cila gjithmonë funksionon tek unë për tu zgjuar: Ju e dini se si shejtani të pëshpërit në vesh duke të thënë: “fli vetëm edhe 5 minuta”… Unë thjeshtë i pëshpëris vetes sime të kundërtën “qohu vetëm për 5 minuta” 😉 Po pra, mund të imagjinosh çfarë ndodh pas kësaj. Po sa të ngrihesh dhe fillon të thuash dhikret (lutjet) dhe të marrësh abdest, mund të imagjinosh se çfarë ndodhë me gjumin – (Arratiset! Ikë nga ndërtesa!).

  1. Bëji duatë e zgjimit dhe recitoj 10 ajetet e sures Ali-Imran:
    Elhamdulilah, ne kemi një mori “lutjesh për zgjim” të cilat i Dërguari Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) na ka mësuar. Edhe këto lutje mund ti gjeni në libërthin e lartpërmendur “Mburoja e Muslimanit”. Lutja ime e preferuar është recitimi i 10 ajeteve të fundit të sures Ali-Imran (Surja 3 e Kuranit). Ju gati që e ndjeni zemrën tuaj duke ardhur në jetë dhe duke u “njomur” kur gjëja e parë që e bëni kur të zgjoheni është përkujtimi i Allahut dhe recitimi i fjalëve të Tij të Lavdishme nga Kurani.
  2. Merr abdest

Ne të gjithë pajtohemi se ka diçka në abdest që me të vërtetë ndikon në fokusimin e energjisë tënde pozitive dhe të pastron si për nga jashtë ashtu edhe për nga brenda. E kam pasur një shok i cili këtë ndjenjë e quante “Rifreskim” si emërtim për “Përtëritjen” që e ndjen pas abdesit. Mos harro të fillosh abdesin tënd me Bismilah (nënkuptohet, para se të hysh në banjo) dhe ta bësh duanë pas përfundimit të abdesit! Do të të hapen të tetë dyert e Xhenetit, (a s’është mënyrë e mirë kjo për të filluar ditën) dhe do të ndihesh i rifreskuar dhe i gatshëm për ditën që e ke përpara.

 

 

  1. Tehexhudi (Namazi i natës) dhe Vitri
    Tehexhudi ose Kijami është përshkruar si “nderi i besimtarit”, sepse kush do të kalonte nëpër gjëra që ti i bën (zgjim, abdest, etj…) vetëm për tu ngritur dhe falur namaz? Bukuria e Tehexhudit është e vështirë të përshkruhet; që nga ndjenja e qetësisë në zemrën tënde dhe kuptimi më i lehtë i Kuranit gjatë kësaj kohe, të ndjerit më afër Allahut në kohën kur je i izoluar nga të tjerët dhe dëshira që asnjëherë të mos ngrihesh nga sexhdeja, e deri te momentet e të menduarit në vetmi që shumë rrallë mund ti realizosh në botën tonë të zënë … të gjitha këto e edhe më shumë dalin nga namazi i natës! Dhe në fund, falja e namazit të Vitrit pas Tehexhudit dhe bërja e duave të sinqerta Allahut, janë përkrahës të mëdhenj të ditës tënde të ardhshme!
  2. Momentet e Istigfarit (kërkim faljes)

Mos harro që ti përdorësh 5-10 minutat e fundit para hyrjes së Sabahut që ta lusësh Allahun për falje dhe të bësh shumë istigfar në mënyrë që të jesh në mesin e atyre që Allahu i ka përmendur në Kuran: “Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.” (Kuran, Surja 51, ajeti 18.)

5:00 – 05:05: Ezani i Sabahut

Thuaje edhe ti atë që e thotë myezini (Personi i cili thërret ezanin për namaz) dhe mos e harro duanë pas ezanit. Lutjet të cilat kanë të bëjnë me ezanin gjithashtu mund të gjinden në “Mburojën e Muslimanit”.

5:05 – 05:30: Në mes të ezanit dhe ikametit

  1. Fali 2 rekate sunet të Sabahut

Mos i lësho këto! Pejgamberi Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dy rekate para namazit të Sabahut janë më të mira se krejt kjo botë dhe çfarë ka në të. (Rijadu-Salihiin (Hadith #1102). Ndalu dhe mendo për këtë hadith për një moment; 5 minuta të kohës tënde për ti falur 2 rekate të shkurta janë më të mira se e gjithë kjo botë e gjerë me të gjitha tokat e saj, njerëzit, thesaret, natyrën e më shumë! SubhanAllah!
Gjithashtu, nëse kjo është rëndësia dhe vlera e sunnetit të Sabahut, e çka atëherë për vetë namazin obligativ të Sabahut?

  1. Duaja

A e keni ditur se koha në mes të ezanit dhe ikametit është koha më e mirë për dua? Shfrytëzoje atë në maksimum! Transmeton Enes Ibn Malik: “Lutja në mes të ezanit dhe ikametit nuk kthehet.” (Suneni i Ebu Dawudit, Libri #2, Hadithi #0521)

  1. Shtriju në krahun e djathtë

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë I Kënaqur me të): “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) i falte dy rekate të lehta para namazit (obligativ) të Sabahut pasi që fillonte të gdhijë agimi dhe pasi që myezini e thërriste ezanin. Pastaj shtrihej edhe ca derisa myezini fillonte të thërriste ikametin.” (Sahih Bukhari/Libri #11, Hadithi#599)

  1. Seanca të ideve

Unë nganjëherë e përdori këtë kohë ose që ta planifikojë ditën time, ose të prodhoj ide për artikuj për ProductiveMuslim.com apo vetëm për lexim dhe shkrim. Do të befasohesh se sa aktiv është truri gjatë kësaj kohe! Je i zgjuar, në gjendje alarmante dhe të gjallë. J

  1. Memorizim i Kuranit

Derisa jemi duke folur për të qenët aktiv i mendjes tënde, memorizimi i Kuranit në këtë kohë të ditës është  jashtëzakonisht i mirë gjithashtu. Kam provuar të mbaj mend Kuran pas Ikindisë/Akshamit mirëpo isha i lodhur dhe sapo kthehesha nga puna, për dallim nga koha e pas Sabahut kur truri është sikurse shpuza dhe është koha më e mirë për të memorizuar ajete nga Kurani J.

05:30 – 06:00: Namazi i Sabahut dhe dhikri

Nëse je vëlla, dhe ke mundësi të dalësh në xhami, pa marrë parasysh sa larg, mësyja. Bukuria e faljes së Sabahut në xhami është vështirë të shpjegohet. Unë preferoj që të ecet për në xhami në vend të vozitjes (biçikleta gjithashtu është e mirë J) për shkak se ke mundësi edhe të thithësh ajër të freskët të mëngjesit; Allahu thotë në Kuran: “Pasha agimin kur ai shkrepë (thithë errësirën)!” (Surja 81, Ajeti 18). Pas namazit të Sabahut ulu, relaksohu, dhe kënaqu me dhikrin e pas namazit dhe duatë e mëngjesit.

06:00 – 06:30: Recito, Lexo ose Ushtro

  1. Memorizim Kurani/Lexim: Lexo dhe/ose Memorizo Kuran siç e përmendëm më parë, ose nëse ke një libër të mirë Tefsiri (Komentimi të Kuranit) atëherë leximi i së paku një faqe të Kuranit është një bonus i madh!
  2. Lexim: Shpenzo këtë kohë duke lexuar materiale Islame. Po e theksoj që leximet të jenë Islame, sepse siç e ceka më herët, mendja jote është mu sikurse shpuza në këtë kohë dhe është shumë aktive. Ti ke dëshirë që çdo lexim që e bën të futet në kokën tënde dhe shpirtin tënd inshAllah. Libra që sugjerohen të lexohen: libra hadithesh, tregime pejgamberësh, Sirë, etj…
  3. Ushtrime: Një opsion tjetër janë ushtrimet e shpejta 30 minutëshe. Kjo mund të jetë, vrapim rreth lagjes, çiklizëm, përdorimi i shiritit për vrapim, disa ushtrime aerobike/ kardiovaskulare dhe çfarëdo tjetër që zhvillon qëndrueshmërinë.

06:30 – 06:45: Planifiko ditën tënde

Kjo është koha kur e planifikoj tërë pjesën e mbetur të ditës, natyrisht duke përdorur “detyrë-shënuesin”. Nganjëherë kontrolloj dhe dërgoj e-mailat rreth kësaj kohe gjithashtu për të më ndihmuar në planifikimin e ditës ose për përcaktimin e detyrave për vete dhe për anëtarët e ekipit me të cilin punoj.

6:45 – 07:00: Përgatitu për punë

Bëj dush, vishu, dhe mblidh dokumentet që të nevojiten, (gjithashtu organizimi i këtyre gjërave para se të flesh e bën këtë proces 15 minutësh goxha më të lehtë!) Vendosi gjërat aty ku mund ti gjesh që të mos humbësh kohë për kërkimin e tyre.

07:00 – 07:10: Namazi i Duhasë

Asgjë nuk ndikon në rregullimin e ditës tënde sikurse adaptimi me namazin e Duhasë, siç e përmendëm tek “7 shprehitë produktive shpirtërore”. Nu’ejm ibn Hamer (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se ka dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) të ketë thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: O bijtë e Ademit, mos dështoni në faljen e katër rekateve në fillimin e ditës suaj, dhe Unë do të ju mjaftoj juve në mbarim të saj” (Ebu Dawud (1289) dhe Tirmidhi (475)).

07:15 – 07:30: Kafjalli

Shpërbleje veten për një Mëngjes Produktiv me një kafjall të madh e të shëndetshëm! Mundohu të shmangësh kafeinën dhe merr një gotë të mbushur me fibra për një qëndrim të mirë.

07:30 – 08:00: Udhëtimi për në punë

Mos i harro këshillat e mia për stilin e udhëtimit të Muslimanit Produktiv! J

Paramendo sikur të gjitha mëngjeset tua të ishin sikurse i lartpërmenduri … sa do të përfitoje shpirtërisht? Sa do të përfitoje në dituri? Si do të ishte disponimin për ditën në vijim?

Përktheu Hekuran Helshani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit