Mesazhe nga Kurani – Në brigjet e Kuranit | Sureja Merjem

Më të lexuarat

﴿“Kjo është përmendja e mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të Tij, Zekerijas.”﴾ (Merjem, 2)

Sa hyrje madhështore dhe e ndritur me mëshirë! Kjo nuk është thjesht një hyrje në rrëfimin e Zekerijas (alejhi selam), por fillon me përmendjen e mëshirës së Allahut ndaj tij. Sikur sureja, që në hapin e parë, dëshiron ta lidhë zemrën me mëshirën, përpara se ta njohë me hollësitë e ngjarjeve.

Kurani nuk mjaftohet vetëm me rrëfimin e ngjarjeve, por zbulon atë që fshihet pas tyre: kujdesin, butësinë dhe mëshirën e Allahut, në mënyrë që mësimi të mbetet i gjallë në çdo kohë dhe të mos mbetet i kufizuar vetëm në një ngjarje të së kaluarës.

﴿“Përmendja e mëshirës së Zotit tënd…”
Do të thotë: ajo që po të lexohet është kujtim i një mëshire të madhe, të cilën Allahu e derdhi mbi robin e Tij, që kjo mëshirë të mbetet e gjallë në zemrat e besimtarëve dhe ata të jenë të bindur në të sa herë që shkaqet e kësaj bote u ngushtohen.

Pastaj vështroje këtë renditje të mrekullueshme:

﴿Zotit tënd﴾, pastaj ﴿robit të Tij﴾, e më pas ﴿Zekerijas﴾.

Fillon me përmendjen e Zotit, pastaj e përshkruan Zekerijan me cilësinë më fisnike që mund të ketë njeriu: robërinë ndaj Allahut, përpara se ta përmendë emrin e tij. Sikur të na thotë se nderi i vërtetë i njeriut nuk qëndron te titujt që mban, por te sinqeriteti i robërisë së tij ndaj Allahut.

Nuk tha: “profetin e Tij” apo “të dërguarin e Tij”, por tha: ﴿robin e Tij﴾, sepse robëria është pozita ku bashkohen përulësia para Allahut, dashuria për Të dhe nevoja e plotë për Të. Ajo është stolia më e lartë me të cilën mund të zbukurohet besimtari.

Që nga kjo hyrje fillon historia e lutjes dhe e shpresës; historia e një plaku të rënduar nga vitet, por zemra e të cilit nuk u rëndua kurrë nga dëshpërimi. Ai iu drejtua Zotit të tij duke qenë i bindur se mëshira nuk kufizohet nga shkaqet dhe se Bujari, i Lartësuari, kur dëshiron diçka, ose i krijon shkaqet e saj, ose e sjell atë pa shkaqet që njerëzit janë mësuar të shohin.

Kështu, sureja e hap skenën e saj të parë me mëshirën, që kjo fjalë të mbetet filli që lidh të gjitha ngjarjet e saj dhe t’i japë qetësi çdo zemre që i drejtohet Allahut me sinqeritet: se mëshira e Tij është më e gjerë se dobësia e robërve dhe më afër tyre sesa ata mendojnë.

🤲 O Zoti ynë! Ashtu si e mëshirove Zekerijan kur zemra e tij u përkul dhe nevoja e tij u bë e madhe, e iu përgjigje lutjes së tij pa e lënë të vetëm në errësirën e shkaqeve, na dhuro edhe neve nga mëshira Jote atë që ia rikthen zemrës qetësinë, ia shëron plagët pa e turpëruar dhe vendos në duart tona një dritë me të cilën të ecim mes pengesave të jetës.

Ne nuk kërkojmë një mrekulli që t’i mahnisë njerëzit, por një mëshirë që rregullon brendësinë tonë, na forcon në rrugë dhe e pastron shikimin tonë nga mjegulla e ankthit.

🤲 O Zoti ynë! Na jep edhe neve pjesë nga “përmendja e mëshirës Sate”; jo si një rrëfim që dëgjohet, por si një mëshirë që jetohet. Një mëshirë që e ledhaton zemrën kur ajo tronditet, i hap shpirtit një dritare kur të gjitha dyert mbyllen dhe ia rikthen bindjen vetes kur lodhja e rëndon.

Kur nyjat e jetës të bëhen të forta, bëj që nga mëshira Jote të na vijë zgjidhja, nga drita Jote udhëzimi dhe nga mirësia Jote një dalje që nuk e kishim parë. Ti je Mëshiruesi dhe përmendja e mëshirës Sate në fillim të kësaj sureje është një përgëzim i fshehtë për çdo zemër që e lexon me sinqeritet: se dera që u hap për Zekerijan nuk mbyllet për atë që troket tek ajo me besim.

🤲 O Zoti ynë! Ashtu si mëshira Jote i parapriu lutjes së Zekerijas, bëj që mëshira Jote t’i paraprijë hutimit tonë, mosmarrëveshjeve tona dhe përçarjes së mendimeve tona në rrugën drejt ringritjes.

🤲 O Zoti ynë! Dhuroji shoqërisë sonë një mëshirë që e udhëzon në rrugën e drejtë; një mëshirë që nuk ia ndryshon identitetin dhe nuk ia shuan shpirtin, por ia rikthen pastërtinë e qëllimit, urtësinë e hapit dhe sinqeritetin e nijetit.

🤲 O Zoti ynë! Ktheja atdheut tonë busullën e drejtimit. Kur rrugët të ngatërrohen, bëj që nga mëshira Jote të ketë një peshore që dallon ndërtimin nga shkatërrimi, reformën nga sloganet dhe përparimin e vërtetë nga iluzioni.

Bëje mëshirën Tënde dritë në institucionet tona, drejtësi në ligjet tona, amanet në pozitat e përgjegjësisë dhe mëshirë që banon në rrugët e shtëpitë tona, duke e zbutur ashpërsinë dhe duke ndrequr atë që egoizmi ka prishur.

🤲 O Zoti ynë! Bashkoji zemrat në të vërtetën, jo mbi interesa kalimtare. Na dhuro nga mëshira Jote udhëheqës në çdo fushë që shohin pasojat, mendje që udhëzojnë e nuk devijojnë dhe gjuhë që pajtojnë e nuk nxisin përçarje.

Nëse ringritja është një rrugë e gjatë, bëje mëshirën Tënde furnizimin tonë të pashtershëm, qëndrueshmërinë tonë të palëkundur dhe të mirën që mbizotëron mbi ngutjen, derisa të ngrihemi mbi themelet e sinqeritetit dhe devotshmërisë, e jo mbi zhurmën që përfundon në zhgënjim.

🤲 O Zoti ynë! Ashtu si e bashkove emrin e Zekerijas me mëshirën Tënde në një ajet të vetëm, bashkoje edhe vendin tonë me mëshirën Tënde në një realitet të vetëm: një mëshirë që edukon, ringre, udhëzon dhe hap dyer që nuk i kishim parë më parë.

✍️ Dr. Muhamed Abdul Xhevvad

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit