/Hasan er-Rashidi/
A do të bëhet Siria pika mbështetëse prej së cilës do të riformësohen hartat e ndikimit dhe aleancave në Lindjen e Mesme? Pse Donald Trump po rikthehet të mbështetet te Damasku në këtë fazë më shumë se në çdo kohë tjetër? Dhe deri ku mund të manovrojë Ahmed esh-Shara’ mes presioneve amerikane dhe izraelite?
“Siria është bërë një vend shumë i qëndrueshëm. Brenda një periudhe shumë të shkurtër ajo ka arritur një stabilitet të madh…
Dhe ne jemi krenarë për këtë, sepse Siria është një pjesë e rëndësishme e Lindjes së Mesme…
Siria ka qenë një nga djepet më të lashta të qytetërimit. Ajo kishte profesorë universitetesh, juristë dhe mjekë, dhe ishte ndër vendet më të pasura në aspektin kulturor, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në mbarë botën… Ju faleminderit shumë, zoti President.”
Me këto fjalë presidenti amerikan Donald Trump e përfundoi fjalimin e tij gjatë takimit të fundit me presidentin sirian Ahmed esh-Shara’ në Ankara, duke e falënderuar publikisht.
Që nga hyrja e tij në Damask në dhjetor të vitit 2024, presidenti sirian Ahmed esh-Shara’ po përpiqet t’i rikthejë Sirisë rolin natyror që ajo mund dhe duhet të luajë në rajon.
Administrata amerikane, e udhëhequr nga Donald Trump, e kuptoi rëndësinë e këtij roli dhe filloi të ndjekë interesat e saj strategjike përmes forcimit të marrëdhënieve me regjimin e ri sirian, duke e parë atë si pikënisje për riformësimin e Lindjes së Mesme.
I dërguari amerikan Tom Barrack, pas takimit të mbajtur në Ankara mes një delegacioni të udhëheqësve të Kongresit amerikan dhe presidentit Ahmed esh-Shara’, përdori shprehjen “formësimi i Lindjes së Mesme” dhe roli i Sirisë në këtë proces. Në fund të postimit të tij në platformën X, ai shkroi fjalë për fjalë:
“Ky moment mbart një peshë historike, pasi nxjerr në pah rolin qendror të Sirisë në formësimin e së ardhmes së Lindjes së Mesme.”
Pra, Barrack flet për formësimin e së ardhmes së Lindjes së Mesme dhe për rolin që Siria pritet të luajë në këtë proces.
Këtu lind pyetja thelbësore:
Cila është Lindja e Mesme që Shtetet e Bashkuara synojnë të ndërtojnë?
Çfarë rëndësie ka Siria në këtë projekt? Dhe çfarë roli dëshiron Uashingtoni që ajo të luajë?
Po ashtu, deri në çfarë mase mund të shkojë Ahmed esh-Shara’ në përmbushjen e këtij roli, në përputhje me ambiciet amerikane, pa cenuar interesat e tij?
Tiparet e Lindjes së Mesme që Uashingtoni dëshiron të formësojë
Ekzistojnë tre konstante që udhëheqin mendimin strategjik amerikan:
- Nafta.
- Entiteti sionist.
- Lufta kundër terrorizmit.
Ajo që ndryshon nga një administratë amerikane te tjetra nuk janë këto objektiva themelore, por vetëm arkitektura politike dhe mjetet që përdor secila administratë për t’i arritur ato, me sa më pak kosto njerëzore dhe materiale.
1. Nafta
Objektivi amerikan nuk është më sigurimi i naftës për të mbuluar nevojat e brendshme, pasi falë revolucionit të naftës argjilore, Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në prodhuesin dhe eksportuesin më të madh të naftës dhe gazit në botë.
Prandaj, synimi i vërtetë është kontrolli i zinxhirëve të furnizimit, garantimi i lirisë së lundrimit detar dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve në tregun botëror.
Po ashtu, kontrolli mbi rrjedhën e naftës i jep Amerikës një aftësi indirekte për të ngadalësuar ose gjallëruar ekonomitë aziatike dhe evropiane. Me fjalë të tjera, objektivi nuk është konsumimi i naftës, por ndikimi dhe kontrolli strategjik.
2. Siguria e entitetit sionist
Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara, si në aspektin ideologjik ashtu edhe në atë politik, për të garantuar atë që e quajnë epërsia cilësore ushtarake e entitetit sionist në rajon. Ky është një objektiv konstant që nuk ndryshon me ndryshimin e administratave.
Ekziston gjithashtu një prirje për ta kaluar entitetin sionist nga faza e një shteti të rrethuar nga armiq dhe që ka nevojë për mbrojtje të drejtpërdrejtë amerikane, në fazën e një elementi organik të integruar në rajon, përmes marrëveshjeve të normalizimit dhe aleancave ekonomike e të sigurisë.
Shndërrimi i tij në një shtyllë kryesore të sigurisë dhe teknologjisë, e cila administron interesat perëndimore në rajon si një partner i fortë lokal, i mundëson Amerikës të reduktojë praninë e saj ushtarake pa cenuar ekuilibrin e forcave në favor të kundërshtarëve të saj.
3. Lufta kundër terrorizmit
Ky objektiv u shndërrua në prioritet absolut pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe u zhvillua gjatë dekadave përmes luftërave të gjata.
Sot, synimi real është neutralizimi i çdo kërcënimi përpara se ai të fitojë aftësinë për të goditur territorin amerikan ose interesat jetike të aleatëve të tij.
Për këtë arsye, ndjekja e organizatave ndërkufitare është shndërruar nga një fushatë ushtarake e gjerë në një dosje inteligjence taktike, që mbështetet në goditje precize dhe mjete ajrore pa pilot, ndërsa barra e sigurisë transferohet te regjimet dhe qeveritë lokale.
Pikërisht për këtë arsye, strategjitë që ndjek administrata aktuale amerikane nuk janë gjë tjetër veçse zbatimi praktik i këtyre tre objektivave madhorë.
Së pari: Objektivi i naftës
Strategjitë që përdoren për arritjen e këtij objektivi përqendrohen në sigurimin e rrugëve detare dhe garantimin e lirisë së lundrimit.
Amerika mobilizon aleanca detare dhe përqendron goditjet parandaluese për mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit dhe Bab el-Mandebit, në mënyrë që tregjet botërore të energjisë të mos përballen me tronditje që do të rrisnin inflacionin global ose do të kërcënonin ekonominë amerikane dhe atë të aleatëve të saj.
Një tjetër strategji është ndërtimi i blloqeve ekonomike dhe zgjerimi i integrimit rajonal, përmes mbështetjes së korridoreve të reja ekonomike, si korridoret logjistike që lidhin Gjirin me Evropën.
Qëllimi është që arteriet e energjisë dhe tregtisë të mbeten nën ombrellën strategjike perëndimore, duke penguar ambiciet kineze për t’i kontrolluar këto rrjedha përmes nismës “Një Brez, Një Rrugë”.
Së dyti: Objektivi i entitetit sionist
Strategjitë amerikane për realizimin e këtij objektivi përqendrohen në shpërbërjen e gjeografisë politike të boshteve kundërshtare, në mënyrë që kjo t’i shërbejë drejtpërdrejt interesave të entitetit sionist.
Përpjekja amerikane për të ndërprerë linjat iraniane të furnizimit, duke shfrytëzuar ndryshimet në Siri nën administrimin e presidentit Ahmed esh-Shara’, synon në thelb izolimin e frontit libanez dhe ndërprerjen e mbështetjes logjistike për grupet e armatosura, duke neutralizuar kështu një nga kërcënimet më të mëdha strategjike që rrethojnë entitetin sionist.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni përpiqet të ndërtojë një rend rajonal, ku armiqësia historike të zëvendësohet me një rrjet interesash ekonomike dhe sigurie me karakter pragmatik, me synimin që entiteti sionist të integrohet organikisht në rajon dhe të mos shihet më si një barrë sigurie që kërkon mbrojtje të vazhdueshme amerikane, por si një partner rajonal aktiv në administrimin e stabilitetit.
Së treti: Objektivi i luftës kundër terrorizmit
Strategjia e administratës Trump në këtë fushë mbështetet në privatizimin e sigurisë rajonale dhe ndarjen e barrës me aktorët lokalë.
Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë më të dërgojnë ushtritë e tyre për të luftuar organizatat ekstremiste – sipas përkufizimit amerikan – ose për të rrëzuar regjime.
Strategjia aktuale është transferimi i kësaj detyre tek shtetet dhe qeveritë lokale, përmes marrëveshjeve të ndërsjella, si premtimet për heqjen e sanksioneve ose ofrimin e mbështetjes politike.
Në këtë kuadër, Amerika është e gatshme të bashkëpunojë në aspektin e sigurisë dhe inteligjencës me çdo regjim, pavarësisht natyrës së tij, për sa kohë ai është në gjendje të neutralizojë kërcënimet ndërkufitare përpara se ato të arrijnë interesat amerikane ose perëndimore.
Në këtë mënyrë, çdo lëvizje diplomatike, ushtarake apo ekonomike amerikane në Lindjen e Mesme përfundon duke i shërbyer njërit prej tre objektivave: shtypjes së terrorizmit, mbrojtjes së rrjedhave energjetike ose garantimit të epërsisë dhe pozitës së entitetit sionist, me koston më të ulët të mundshme për Shtetet e Bashkuara.
Siria në strategjinë amerikane
Presidenti Donald Trump nuk i sheh shtetet përmes prizmit historik apo emocional, por si njësi gjeografike funksionale, të cilat duhet ta paguajnë çmimin e stabilitetit të tyre duke ofruar shërbime strategjike të ndërsjella.
Në këtë kuptim, regjimi i ri sirian zë një vend qendror në mendimin strategjik të administratës Trump, si një instrument vendimtar për realizimin e tre objektivave madhorë amerikanë.
1. Dosja e entitetit sionist
Administrata Trump e konsideron transformimin rrënjësor në Damask dhe përfundimin e aleancës siriano-iraniane si mundësinë më të vlefshme për garantimin e sigurisë afatgjatë të entitetit sionist.
Vështrimi amerikan në këtë aspekt mbështetet në dy shtylla kryesore:
- Mbytja gjeografike e rrjeteve përfaqësuese të Iranit, duke e nxitur qeverinë e Ahmed esh-Shara’ të shndërrohet në valvulën që mbyll përfundimisht korridorin tokësor nga Teherani drejt Bejrutit.
Nëse Siria ndalon kalimin e armëve dhe financimeve nëpër territorin e saj, atëherë ajo do të marrë mbi vete pjesën më të madhe të barrës për neutralizimin e rrezikut që paraqet Hezbollahu në kufijtë veriorë të entitetit sionist, pa qenë e nevojshme që Shtetet e Bashkuara ose vetë entiteti sionist të hyjnë në luftëra të gjata konsumimi.
Po ashtu, administrata Trump pret që regjimi i ri sirian të shndërrohet në një autoritet qendror të fortë, të aftë për të kontrolluar frontin e Golanit dhe për të penguar çdo grup të armatosur jozyrtar që ta përdorë territorin sirian si platformë sulmesh kundër entitetit sionist. Në këmbim, Sirisë do t’i ofrohej njohje politike dhe legjitimitet ndërkombëtar.
2. Dosja e terrorizmit
Doktrina e Trumpit, e ndërtuar mbi parimin “Amerika e Para”, synon zvogëlimin e pranisë ushtarake amerikane në lindje të lumit Eufrat dhe eliminimin e kostos së mbrojtjes së drejtpërdrejtë.
Në këtë kuadër, regjimi i ri sirian shihet si një zëvendësues sigurie në terren, i aftë të marrë përsipër luftën kundër mbetjeve të organizatës Daesh dhe grupeve të tjera ekstremiste.
Administrata amerikane i konsideron sanksionet dhe listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit si mjete presioni në negociata dhe jo si qëndrime të pandryshueshme.
Prandaj, ajo e sheh regjimin sirian si një palë që mund të stimulohet. Sa më shumë që Ahmed esh-Shara’ të tregojë vendosmëri në shpërbërjen e qelizave terroriste – sipas këndvështrimit amerikan – dhe në garantimin e sigurisë së brendshme, aq më shumë Uashingtoni do të jetë i gatshëm të lehtësojë kufizimet ekonomike dhe të hapë rrugën për fillimin e financimit të rindërtimit të Sirisë.
3. Dosja e naftës
Megjithëse Siria nuk është një fuqi e madhe naftëprodhuese sipas standardeve të vendeve të Gjirit, administrata Trump e vlerëson rëndësinë e saj nga këndvështrimi i asaj që sot quhet gjeopolitika e korridoreve.
Stabiliteti i Sirisë nënkupton stabilitetin e mjedisit gjeografik që rrethon fushat më të mëdha të naftës dhe korridoret kryesore të transportit energjetik në botë, veçanërisht në Gjirin Arabik dhe Irak.
Sipas Trumpit, çdo kaos i vazhdueshëm në Siri do të kërcënonte sigurinë e tubacioneve të naftës dhe projekteve të ardhshme logjistike në Mesdheun Lindor.
Përmbledhje
Në përfundim, administrata Trump nuk e sheh regjimin e ri sirian si një aleat ideologjik, por si një partner sigurie të domosdoshëm dhe serioz, i cili zotëron një pozitë gjeografike të pazëvendësueshme, nëse Uashingtoni dëshiron të ndërtojë një Lindje të Mesme të qëndrueshme me një kosto amerikane sa më pranë zeros.
Megjithatë, lind pyetja:
Deri në çfarë mase mund ta përmbushë Siria këtë nivel të lartë pritshmërish amerikane, pa cenuar sovranitetin e saj, bindjet e saj ideologjike dhe pa provokuar reagimin e fuqive të tjera rajonale?
Ahmed esh-Shara’ dhe qasja ndaj këndvështrimit amerikan
Parimet e politikës islame (es-sijase esh-sher’ijje) dhe fikhu i balancimit të interesave dhe dëmeve (fikhu’l-muvazenat) përbëjnë koncepte që i japin vendimmarrësit, në modelin islam të qeverisjes, një hapësirë të gjerë për manovrim taktik dhe fleksibilitet politik, me qëllim mbrojtjen e shtetit dhe realizimin e objektivave madhorë strategjikë.
Kufizimi i ndikimit iranian
Sa i përket kufizimit të ndikimit iranian – që përbën kërkesën më të rëndësishme amerikane – shpërbërja e gjeografisë politike të ndikimit iranian dhe izolimi i Hezbollahut nuk përfaqësojnë për Ahmed esh-Shara’n një barrë politike apo një lëshim ideologjik.
Përkundrazi, kjo përputhet plotësisht me objektivat e tij strategjikë dhe me doktrinën e tij politike.
Vizioni i udhëheqjes së re siriane e konsideron Iranin një kundërshtar strategjik, ndërsa projekti iranian në rajon shihet si thelbësisht në kundërshtim me vizionin e regjimit të ri sirian.
Prandaj, ofrimi nga Ahmed esh-Shara’ i shërbimit ndaj administratës Trump për mbylljen e korridorit tokësor dhe ndërprerjen e rrjedhave të mbështetjes iraniane nuk përbën nënshtrim ndaj dëshirave amerikane, por një domosdoshmëri e sigurisë kombëtare siriane, që synon forcimin e pushtetit të tij dhe pengimin e çdo depërtimi të rrezikshëm në territorin sirian.
Kjo qasje i siguron atij një fitim të dyfishtë:
- eliminimin e ndikimit iranian;
- dhe një mirëkuptim me Shtetet e Bashkuara, i cili mund të përkthehet në mbështetje ekonomike dhe legjitimitet politik.
Çështja e entitetit sionist dhe Golanit
Pikërisht këtu ndodhet sprova më e madhe e fleksibilitetit politik.
Si mund të sillet një udhëheqës me prejardhje ideologjike si ajo e Ahmed esh-Shara’, përballë kërkesave amerikane që Siria të garantojë sigurinë rajonale të entitetit sionist?
Sipas autorit, metodologjia mbi të cilën mbështetet Ahmed esh-Shara’ lejon lidhjen e armëpushimeve dhe marrëveshjeve afatgjata të sigurisë në rrethana dobësie dhe gjatë fazës së ndërtimit të fuqisë së shtetit, duke u mbështetur në parimin juridik islam:
“Parandalimi i dëmeve ka përparësi ndaj sigurimit të dobive.”
Për këtë arsye, autori vlerëson se Ahmed esh-Shara’ nuk do të shkojë drejt një normalizimi politik apo një paqeje të ngrohtë, siç kërkon Uashingtoni nga disa shtete të tjera arabe, sepse është i vetëdijshëm se një pjesë e legjitimitetit të tij të brendshëm mbështetet pikërisht mbi simbolikën që ai përfaqëson.
Megjithatë, ai pritet të tregojë fleksibilitet të plotë në marrëveshjet e sigurisë, duke garantuar ngrirjen e plotë të frontit të Golanit dhe duke ushtruar monopol të rreptë mbi armët, në mënyrë që asnjë grup i armatosur të mos përdorë territorin sirian për të kërcënuar entitetin sionist.
Për Trumpin, kjo është rezultati praktik që ka rëndësi: siguria e kufijve.
Ndërsa për Ahmed esh-Shara’n, kjo do ta mbrojë shtetin e tij ende të brishtë nga një luftë shkatërrimtare që mund të rrënojë të gjithë projektin e tij politik.
Lufta kundër terrorizmit dhe monopoli i përdorimit të forcës
Sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe monopolizimit të përdorimit të forcës nga shteti, strategjia amerikane, e cila mbështetet në privatizimin e sigurisë rajonale, gjen një jehonë mjaft pozitive te Ahmed esh-Shara’.
Objektivi i tij kryesor në këtë fazë është konsolidimi i autoritetit të shtetit qendror, përmes eliminimit të organizatave ndërkufitare si qelizat e organizatës “Shteti Islamik” (Daesh) apo milicitë jashtë kontrollit shtetëror.
Në thelb, ky është para së gjithash një objektiv i brendshëm sirian dhe vetëm më pas një kërkesë amerikane.
Ahmed esh-Shara’ është gjithashtu i interesuar të paraqitet para Uashingtonit si një partner i besueshëm, i aftë të kontrollojë të gjithë gjeografinë siriane.
Në këtë mënyrë, ai synon t’ia heqë Shteteve të Bashkuara çdo justifikim për të mbajtur trupat e tyre në Siri ose për të vazhduar përdorimin e sanksioneve ekonomike si mjet presioni mbi ekonominë siriane.
Përfundim
Ahmed esh-Shara’ e kuptor se parimet e tij ideologjike janë busulla që përcakton drejtimin e përgjithshëm të projektit të tij politik.
Për këtë arsye, ai do t’u ofrojë amerikanëve atë që në thelb përkon me interesin kombëtar sirian: largimin e ndikimit iranian, kontrollin e kufijve dhe eliminimin e kaosit të sigurisë.
Në këmbim, ai synon të fitojë kohë, njohje ndërkombëtare, vendosjen e autoritetit të qeverisë qendrore në të gjithë territorin sirian dhe sigurimin e fondeve të nevojshme për të realizuar objektivin e tij aktual:
ndërtimin e një shteti sirian të fortë, të pavarur dhe me një pushtet qendror funksional.
