Koment i Dr. Rami Ebu Zubejde
Aftësia e çdo organizate për të riprodhuar udhëheqjen e saj në kushte stabiliteti konsiderohet tregues i kohezionit të saj institucional. Ndërsa suksesi për ta realizuar tranzicionin e udhëheqjes gjatë një lufte, e cila synon drejtpërdrejt strukturën organizative dhe drejtuesit e saj, mbart domethënie shumë më të thella organizative dhe politike.
Njoftimi i lëvizjes Hamas për zgjedhjen e Halil el-Hajjes si kryetar të Byrosë së saj Politike, në një kohë kur lufta e zgjatur ka sjellë vrasjen e një numri prej drejtuesve të saj më të rëndësishëm, pasqyron vazhdimësinë e mekanizmave të saj të brendshëm të vendimmarrjes dhe aftësinë për të ruajtur vazhdimësinë e udhëheqjes pavarësisht presioneve të jashtëzakonshme. Në studimet organizative, vazhdimi i procesit të qarkullimit të pozitave drejtuese në rrethana të tilla konsiderohet një nga treguesit e fleksibilitetit institucional dhe i aftësisë për t’u përshtatur me mjedise konflikti me rrezik të lartë.
Kjo zgjedhje dërgon mesazhin se shënjestrimi i drejtuesve, sado i gjerë të jetë, nuk sjell domosdoshmërisht krijimin e një vakuumi në udhëheqje apo bllokimin e procesit të vendimmarrjes. Përkundrazi, ekzistenca e mekanizmave institucionalë për përzgjedhjen e zëvendësuesve e zbut ndikimin e strategjisë së ashtuquajtur “prerja e kokës” (decapitation strategy), e cila përdoret me synimin për të çorientuar organizatat dhe për t’i dobësuar ato.
Prandaj, ky zhvillim nuk kufizohet vetëm në një procedurë të brendshme organizative, por përbën një tregues të vazhdimësisë së funksionalitetit të strukturës organizative të lëvizjes. Ai përbën gjithashtu një përgjigje praktike ndaj vlerësimeve që kishin parashikuar se goditjet e njëpasnjëshme do të çonin në shpërbërjen e saj ose në paaftësinë për të rindërtuar udhëheqjen. Në këtë kontekst, institucionet e lëvizjes, aftësia e tyre për të prodhuar udhëheqje dhe për të garantuar vazhdimësinë e vendimmarrjes, shfaqen si ndër elementet më të rëndësishme të qëndrueshmërisë organizative përballë një lufte rraskapitëse dhe një përpjekjeje të paprecedentë për çrrënjosjen e saj.
