Lufta SHBA-Iran, dy fituesit që nuk janë në fushëbetejë

Më të lexuarat

Konflikti po krijon avantazhe strategjike dhe ekonomike për Kinën dhe Rusinë

Ndërsa konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po riformëson ekuilibrat në Lindjen e Mesme, analistët vlerësojnë se dy përfituesit më të mëdhenj strategjikë mund të jenë Kina dhe Rusia.

Edhe pse Pekini dhe Moska i kanë dënuar sulmet ndaj Iranit dhe kanë bërë thirrje për ndaljen e luftimeve, të dyja kanë shmangur përfshirjen ushtarake, duke ndjekur një strategji që u lejon të përfitojnë nga angazhimi i SHBA-së në një konflikt të ri.

Në pamje të parë, kjo mund të interpretohet si një distancim nga një partner i rëndësishëm. Megjithatë, në praktikë, qëndrimi i tyre pasqyron një llogaritje të qartë gjeopolitike. As Kina dhe as Rusia nuk e konsiderojnë Iranin një aleat për të cilin do të rrezikonin një përplasje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.

Për Kinën, prioritet mbetet Indo-Paqësori. Tajvani, Deti i Kinës Jugore, Japonia dhe rivaliteti me SHBA-në janë çështje shumë më të rëndësishme sesa zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Kjo shpjegon pse Pekini ka shmangur historikisht aleancat ushtarake formale, duke ruajtur vetëm traktatin e mbrojtjes me Korenë e Veriut që prej vitit 1961. Megjithatë, Irani ka një rëndësi të madhe ekonomike për Kinën.

Gjatë vitit 2025, Pekini bleu mbi 80 për qind të eksporteve iraniane të naftës, të cilat përbënin 13.4 për qind të importeve totale kineze të naftës. Kjo e bën Kinën klientin më të madh të Teheranit, por jo një vend të varur ekskluzivisht prej tij.

Një mbyllje e re e Ngushticës së Hormuzit do të ndikonte ndjeshëm tregjet botërore, pasi përmes saj kalojnë çdo ditë 18-20 milionë fuçi naftë, ose rreth 20 për qind e konsumit global, si edhe afërsisht një e pesta e tregtisë botërore të gazit të lëngshëm (LNG).

Megjithatë, Kina ka rezerva strategjike që mbulojnë rreth 120 ditë importe, ndërsa mund të kompensojë një pjesë të mungesave duke rritur blerjet nga Rusia. Në planin strategjik, përfitimi më i madh për Pekinin është zhvendosja e vëmendjes amerikane.

Lufta e ka detyruar Pentagonin të transferojë në Lindjen e Mesme një bateri THAAD nga Koreja e Jugut, anijen amfibe USS Tripoli, grupin luftarak të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, një Marine Expeditionary Unit nga Japonia, si dhe njësi të Divizionit të 82-të Ajror.

Çdo sistem mbrojtës apo njësi ushtarake që largohet nga Indo-Paqësori redukton, qoftë edhe përkohësisht, presionin ndaj Kinës. Edhe Rusia ndjek të njëjtën logjikë. Koncepti i Politikës së Jashtme Ruse i vitit 2023 e rendit “mjedisin e afërt gjeopolitik’ si një prioritet absolut, ndërsa Irani klasifikohet në një plan dytësor.

Megjithëse Moska ka zhvilluar bashkëpunim ushtarak me Teheranin, përfshirë një kontratë me vlerë 500 milionë euro (589 milionë dollarë) për furnizimin me 500 sisteme kundërajrore “Verba” dhe 2.500 raketa 9M336, ajo nuk ka ofruar garanci sigurie për Iranin.

Nga ana ekonomike, Rusia mund të jetë ndër fituesit kryesorë të konfliktit. Me eksporte prej rreth 7-8 milionë fuçi naftë dhe produkte nafte në ditë, çdo rritje e çmimit ndërkombëtar të energjisë sjell të ardhura shtesë për ekonominë ruse.

Nëse eksportet iraniane kufizohen ose Hormuzi bllokohet, vende si Kina dhe India pritet të rrisin importet nga Rusia. Analistët vlerësojnë se edhe një rritje prej 10 dollarësh për fuçi mund t’i sjellë Moskës miliarda dollarë të ardhura shtesë në vit.

Konflikti ndikon edhe në luftën në Ukrainë. Operacionet amerikane konsumojnë raketa THAAD, Patriot dhe Tomahaëk, duke reduktuar rezervat që mund të përdoren për mbështetjen e Kievit.

Për Moskën, kjo nënkupton një lehtësim indirekt të presionit ushtarak në frontin ukrainas. Për të gjittha këty arsye, shumë analistë besojnë se sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më të mëdha mund të jenë përfitimet gjeopolitike për Pekinin dhe Moskën. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit