Arkivi palestinez: Midis plaçkitjes dhe rikthimit të narrativës

Më të lexuarat

Pjesa e parë

 

Maliha Muslimani – 20 korrik 2026

Vetëdija e palestinezit për historinë e tij nuk ka qenë kurrë një luks intelektual, por një akt i formimit të identitetit që trashëgohet brez pas brezi përmes rrëfimeve dhe fotografive, të cilat së bashku ndërtojnë kujtesën kolektive. Kjo kujtesë është lënda e parë me të cilën shkruhet historia; ajo është rrëfimi i të shtypurit që përpiqet të jetë “poeti i Trojës” përballë narrativës së pushtuesit, e cila synon ta fshijë atë.

Në këtë kontekst, historia shndërrohet në arkiv, ndërsa arkivi bëhet një fushëbetejë jo më pak e ashpër se luftërat ushtarake. Ajo që kryen bandat sioniste në vitin 1948, më pas ushtria pushtuese në Bejrut në vitin 1982, e deri te grabitja e “Shtëpisë së Lindjes” (Beit al-Sharq) në Kuds (Jeruzalem) në vitin 2001, ishin operacione sistematike për zhdukjen e arkivit dhe, rrjedhimisht, për çrrënjosjen e narrativës palestineze nga themelet e saj.

Udhëheqësit izraelitë ishin plotësisht të vetëdijshëm se pushtimi i tokës nuk përmbushet pa pushtimin e së kaluarës dhe pa kontrollin mbi arkivat, në mënyrë që të pengohej çdo e tashme palestineze që mbështetet mbi një vazhdimësi historike. Jemi përballë një procesi gjithëpërfshirës të fshirjes, i cili synonte zbrazjen e vendit nga banorët e tij dhe zbrazjen e kohës nga arkivi dhe kujtesa e saj. Në këtë mënyrë, identiteti palestinez do të shndërrohej në një narrativë pa mbështetje, sikur të ishte pezull në zbrazëti, pa rrënjë që e lidhin me tokën dhe historinë; thjesht rrëfime gojore pa dokumentacion vizual e të shkruar që dëshmon të drejtën e tyre për ekzistencë, duke i dhënë kështu palës kundërshtare mundësinë t’i mohojë dhe t’i rrëzojë ato.

Gjeografia e humbjes: Plaçkitja në Kuds

Tragjedia e “arkivit të burgosur” fillon që nga Nakba, kur familjet palestineze u dëbuan nga lagjet e Kudsit Perëndimor, si Katamoni, Talbija, Bakaa dhe Musrara, duke lënë pas shtëpitë dhe bibliotekat e tyre të pasura me thesare dijesh.

Në atë periudhë, Biblioteka Kombëtare Hebraike, pranë Universitetit Hebraik, udhëhoqi atë që në qarqet zyrtare izraelite quhet “Operacioni i Shpëtimit të Librave”. Në thelb, ky ishte një operacion i plaçkitjes kulturore, gjatë të cilit u morën rreth 30 mijë libra dhe dorëshkrime vetëm nga Kudsi, nën mbikëqyrjen e ushtrisë izraelite.

Ky operacion nuk u kufizua vetëm në Kuds, por u shtri edhe në qytete të tjera palestineze. Në Jafa, për shembull, u konfiskuan dhjetëra mijëra libra arabë.

Në Kuds u sekuestruan bibliotekat e dijetarëve, shkrimtarëve, biznesmenëve dhe edukatorëve të njohur, si Halil es-Sekakini, Henri Katan dhe Halil Bejdes.

Lista e gjashtëdhjetë palestinezëve, bibliotekat e të cilëve u grabitën, e përgatitur nga Biblioteka Kombëtare e Izraelit në raportin e saj të vitit 1949, përbën një dokument historik dhe arkivor të akuzës. Ajo nuk është thjesht një regjistër i pasurive të grabitura, por një portret kolektiv që dokumenton procesin sistematik të zhdukjes së elitës intelektuale palestineze, e cila përfaqësonte shpirtin e jetës kulturore në Kuds.

Për shembull, biblioteka e Halil es-Sekakinit, në lagjen Katamon, u transferua në Universitetin Hebraik. Deri më sot, disa nga librat e tij, që mbajnë emrin e tij të shkruar me dorën e vet, si edhe emrin e djalit të tij Serri, vazhdojnë të jenë dëshmi e gjallë e krimit të grabitjes së identitetit.
Arkivi palestinez: Midis plaçkitjes dhe rikthimit të narrativës

(Pjesa e dytë)

Vlen të theksohet se një pjesë e kritikës ndaj procesit të marrjes nën kontroll të arkivit ka lindur nga vetë brenda institucionit akademik izraelit. Ndër veprat më të rëndësishme në këtë drejtim është libri i studiuesit izraelit Gish Amit, me titull “Karta e Pronësisë: Një histori e plaçkitjes, ruajtjes dhe përvetësimit në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit”.

Në këtë libër, Amit dokumenton se si procesi i mbledhjes së librave palestinezë u shndërrua në një projekt kolonial institucional, i mbështetur mbi vizionin orientalist evropian, i cili e sheh viktimën si “një shoqëri të prapambetur, të paaftë për ta mbrojtur trashëgiminë e saj”.

Çështja nuk u kufizua vetëm te bibliotekat private, por u zgjerua edhe te bibliotekat publike dhe institucionet arsimore, si:

* Biblioteka e Shkollës Omerije;
* Biblioteka e Is’hak Husejnit, e cila përmbante rreth 4.000 libra dhe dorëshkrime;
* Biblioteka Halilije në Kuds, e cila ruante rreth 7.000 libra dhe dorëshkrime.

Fakti që këta libra ruhen sot në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit nën klasifikimin AP (Abandoned Property – Pronë e braktisur) përbën në vetvete një akt të vazhdueshëm kolonial, i cili përpiqet ta shndërrojë pronësinë e qartë palestineze në një “pronë të humbur”, të mbyllur në bodrumet e shtetit pushtues.

Arkitektura e plaçkitjes: Arkivi sionist si makineri e fshirjes

Përkushtimi i shtetit të Izraelit ndaj arkivimit që nga momenti i themelimit të tij në vitin 1948 nuk ishte thjesht një veprim administrativ neutral, por një investim kulturor për ndërtimin e një narrative historike që legjitimonte fitoren dhe ekzistencën e tij.

Në vitin 1949 u themelua Arkivi Shtetëror, ndërsa në vitin 1955 u miratua ligji për administrimin e arkivave. Në këtë institucion u grumbulluan miliona dokumente të shkruara dhe materiale vizuale që datonin nga periudha osmane, periudha e Mandatit Britanik dhe deri në Nakba.

Ky “dhunim arkivor” përfaqëson në thelb një proces zëvendësimi të kujtesës, ku dokumenti palestinez shndërrohet nga “dëshmitar i gjallë” në “pronë të braktisur”, e administruar sipas ligjeve të pushtuesit.

Ai është një përpjekje sistematike për ta vendosur narrativën sioniste si trashëgimtaren e vetme të historisë, duke e shkëputur viktimën nga dokumentet e saj dhe duke e paraqitur aktin e grabitjes si një “shpëtim qytetërues”, që i jep fituesit të drejtën të pushtojë njëkohësisht kohën dhe hapësirën.

“Biblioteka Kombëtare Hebraike”, pranë Universitetit Hebraik, udhëhoqi atë që në qarqet zyrtare izraelite quhet “Operacioni i Shpëtimit të Librave”, ndërsa në thelb ishte një proces plaçkitjeje kulturore që përfshiu rreth 30 mijë libra dhe dorëshkrime vetëm nga Kudsi.

Ky arkiv gjigant, rezervat e të cilit vlerësohet se shtrihen në rreth 40 kilometra lineare, përmban:

* dosje të gjykatave fetare dhe civile;
* regjistra të komunave;
* dokumente private të familjeve dhe udhëheqësve palestinezë, si Haxh Emin el-Husejni dhe Auni Abdul Hadi.

Edhe më shqetësues është përmbajtja e Arkivit të organizatës Haganah, i cili përmban informacione sekrete të mbledhura nga inteligjenca sioniste mbi shoqërinë dhe fshatrat palestineze, duke përfshirë edhe fotografi personale të palestinezëve që konsideroheshin me interes për forcat ushtarake.

Dokumentet që Izraeli i klasifikon si “dokumente të braktisura” janë në të vërtetë dokumente të grabitura, pjesë të të cilave janë shkatërruar ose fshehur.

Këto arkiva përmbajnë gjithashtu harta të hollësishme të qyteteve dhe fshatrave palestineze para Nakbës, të mbledhura për të lehtësuar operacionet e pushtimit dhe të konfiskimit të tokave.

Në këtë mënyrë, arkivi izraelit është shndërruar në depon kryesore të historisë së grabitur palestineze, qoftë dokumentare, intelektuale apo kulturore, ku materialet shkencore dhe faktet e dokumentuara mbeten nën kontrollin e ligjeve dhe terminologjisë së pushtuesit.

Bejruti 1982: Vrasja e kujtesës

Etja sioniste për plaçkitje nuk u ndal në kufijtë e vitit 1948, por vazhdoi ta ndjekë palestinezin edhe në mërgimin e tij.

Në vitin 1982, gjatë pushtimit të Bejrutit, forcat pushtuese izraelite plaçkitën arkivin e Qendrës Palestineze të Kërkimeve, e themeluar në vitin 1965.

Ishte një operacion ushtarak i gjerë, gjatë të cilit u boshatisën katër kate të plota të qendrës, ndërsa përmbajtja e saj u transportua me 35 kamionë ushtarakë drejt territoreve të pushtuara.

Ky arkiv përmbante një trashëgimi jashtëzakonisht të çmuar:

* 5.000 libra në gjuhën arabe;
* 12.000 libra në gjuhën angleze;
* mijëra dokumente dhe deklarata të Organizatës për Çlirimin e Palestinës;
* dokumentet e Qeverisë së Gjithë Palestinës;
* si dhe arkivin e Ushtrisë së Shpëtimit.

Megjithëse 113 arka prej druri u rikthyen gjatë një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve në vitin 1983, një pjesë e madhe e këtij arkivi vazhdon të jetë e humbur ose e lënë në harresë.

Madje thuhet se mbetjet e tij ndodhen në shkretëtirën algjeriane, pa ndonjë interes apo ndjekje serioze nga institucionet zyrtare palestineze.
Arkivi palestinez: Midis plaçkitjes dhe rikthimit të narrativës

(Pjesa e tretë)

Diskursi i mashtrimit

Diskursi zyrtar izraelit përpiqet ta paraqesë procesin e mbledhjes së librave dhe arkivave palestineze përmes termave që bartin kuptime mashtruese, si “mbrojtje” dhe “shpëtim”.

Sipas këtij diskursi, punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe të Universitetit Hebraik kanë rrezikuar jetën e tyre për t’i shpëtuar këto dokumente nga shkatërrimi i luftës.

Por faktet që sjellin në dritë studiues izraelitë, si Gish Amit në librin e tij “Karta e Pronësisë”, si dhe Rona Sela në filmin e saj dokumentar “Plaçkitje dhe Fshehje”, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një proces të asaj që quhet “orientalizim” (Easternization).

Ky proces përmblidhet në monopolizimin dhe pushtimin e të drejtës për ta përfaqësuar Lindjen, duke ia marrë viktimës zërin e saj dhe duke e paraqitur palestinezin si të paaftë për ta mbrojtur trashëgiminë e vet kulturore, ndërsa sionistin perëndimor si të vetmin që është në gjendje ta “shpëtojë” këtë kulturë dhe të marrë të drejtën për ta përfaqësuar atë.

Kjo gjuhë, e cila zëvendëson fjalën “vjedhje” me fjalën “ruajtje”, nuk është thjesht një manipulim gjuhësor kalimtar, por një mekanizëm kolonial i njohur, që ka paraprirë edhe raste të tjera plaçkitjeje në botë.

Nga muzetë evropianë, që ende mbajnë objekte afrikane dhe aziatike të grabitura nën petkun e “ruajtjes shkencore”, e deri te institucione të tjera koloniale, të cilat e përdorën diskursin e “shpëtimit nga kaosi vendas” si justifikim moral për përvetësimin politik.

Kur kolonizatori e riemërton krimin me gjuhën e virtytit, ai jo vetëm që e fsheh veprimin, por edhe e riformëson kujtesën kolektive mbi legjitimitetin e tij.

Fotografia e robëruar

Në librin e saj “Për publikun: Historia e fotografive palestineze të burgosura në arkivat ushtarake izraelite”, Rona Sela kërkon gjurmët e materialeve vizuale të mbajtura në arkivin ushtarak izraelit, të cilat konsideroheshin të humbura ose të fshehura.

Ky arkiv përmban:

* 38.000 bobina filmash;
* 2.7 milionë fotografi;
* 96.000 regjistrime audio.

Në tërësinë e tyre, këto materiale përbëjnë “plaçkë lufte”, të mbledhur që nga viti 1948.

Ndër këto materiale gjenden fotografi ajrore të realizuara nga avionët izraelitë mbi fshatrat palestineze para se ato të shkatërroheshin.

Në këto fotografi shihen qartë:

* shtëpitë;
* rrugët;
* tokat;
* dhe të gjitha tiparet gjeografike të vendbanimeve palestineze.

Edhe pse këto fotografi u realizuan për qëllime ushtarake dhe zbulimi, sot ato mund të përdoren në drejtim të kundërt të synimit fillestar, duke u shndërruar në dëshmi të përmasave të shkatërrimit dhe në burime për rindërtimin e njohurive gjeografike dhe topografike mbi fshatrat e shkatërruara.

Janë pikërisht këto “fotografi të robëruara”, të cilat u vodhën madje edhe nga xhepat e dëshmorëve dhe nga shtëpitë e njerëzve, për t’u shndërruar sot në një kujtesë vizuale të burgosur që pret çlirimin e saj.

Megjithatë, është e rëndësishme të tejkalohet leximi emocional që e redukton çështjen e arkivit vetëm në rikthimin e kujtesës ose mallin për të kaluarën.

Dokumentet e mbajtura në arkivat izraelite dhe perëndimore kanë, përveç vlerës së tyre simbolike, edhe një vlerë të drejtpërdrejtë juridike dhe provuese.

Fotografitë ajrore, regjistrimet e dëshmive gojore dhe hartat e fshatrave para shkatërrimit të tyre mund të përbëjnë prova mbështetëse në proceset e dokumentimit historik dhe të përgjegjësisë ligjore për atë që u ndodhi palestinezëve që nga Nakba.

Kur këto materiale mbahen të mbyllura pas dyerve të institucioneve ushtarake, vetë ky izolim shndërrohet në një akt të vazhdueshëm politik, i cili pengon që kujtesa gojore dhe individuale të shndërrohet në një narrativë të dokumentuar, të aftë për t’iu kundërvënë rrëfimit zyrtar të pushtuesit në arenën ndërkombëtare.

Pushteti i dijes: Kur zbulimi bëhet monopol

Vrulli i studiuesve izraelitë për të hulumtuar arkivin e grabitur palestinez paraqet një paradoks të thellë njohës që meriton reflektim të kujdesshëm.

Nga njëra anë, këto studime kontribuojnë në zbulimin e mekanizmave institucionalë të plaçkitjes.

Por, nga ana tjetër, ato e vendosin palestinezin në një situatë absurde, ku detyrohet ta shohë historinë dhe kujtesën e vet përmes syve izraelitë.

Fakti që ky arkiv vazhdon të mbahet i burgosur në bodrumet e institucioneve ushtarake u jep vetëm studiuesve izraelitë të drejtën e kalimit dhe të qasjes në dokumente e fotografi që janë grabitur nga shtëpitë e palestinezëve dhe nga xhepat e dëshmorëve të tyre.

Ndërkohë, pronari i ligjshëm i këtyre dokumenteve mbetet i privuar jo vetëm nga shikimi i letrave të gjyshërve të tij, por edhe nga hyrja në Kuds dhe nga vetë kthimi në atdheun e tij.
Arkivi palestinez: Midis plaçkitjes dhe rikthimit të narrativës

(Pjesa e katërt – pjesa e fundit)

Kush e ka të drejtën e restaurimit?

Këtu shtrohet një pyetje që shkon përtej pranimit të krimit:

A mjafton që pala kundërshtare ta pranojë tragjedinë që viktima ta rifitojë të drejtën e saj për ta rrëfyer historinë?

Apo vallë ky pranim, kur kalon përmes një ndërmjetësi që ende zotëron “pushtetin e dijes” dhe çelësat e arkivave, vetëm sa e riprodhon të njëjtin mekanizëm të përjashtimit?

Këtu shfaqet qartë ajo që disa burime e quajnë “orientalizim” (Easternization); një proces në të cilin pronari i kujtesës reduktohet në një “objekt studimi”, ose në një “mesazh” brenda filmit të një studiuesi tjetër që vepron nga brenda strukturës koloniale, në vend që ai vetë të jetë bashkëbisedues i barabartë dhe rrëfimtari i drejtpërdrejtë i përvojës së tij.

Ky “dhunim arkivor” i vazhdueshëm qëndron pikërisht në këmbënguljen e pushtuesit për të kontrolluar identitetin e atyre që lejohen të kenë qasje në arkiv.

Kështu, edhe vetë akti i zbulimit të së vërtetës, sado që mund të shfaqet si akt solidariteti, mbetet një veprim i centralizuar që e lë viktimën në periferi dhe e shndërron të vërtetën në një pronë ekskluzive të atyre që zotërojnë mjetet teknike dhe juridike për ta nxjerrë atë nga errësira.

Drejt rikthimit të arkivit dhe çlirimit të kujtesës

Beteja për rikthimin e arkivit palestinez është, në thelb, një betejë për çlirimin e historisë, të njeriut dhe të vendit.

Identiteti palestinez nuk është vetëm rrënjosje në tokë, por edhe rrënjosje në kujtesën kulturore. Dokumentet e shkruara dhe ato vizuale janë ura që lidh të kaluarën me të tashmen.

Përballë përpjekjeve sioniste për ta zhdukur këtë kujtesë, kanë lindur iniciativa individuale dhe institucionale që synojnë ta gjurmojnë arkivin palestinez të shpërndarë nëpër botë.

Ndër to është iniciativa “Khaza’in” (Thesaret), e themeluar nga studiuesi Fadi Asleh, si një nismë vullnetare që synon ndërtimin e një sistemi projektesh shkencore që plotësojnë njëra-tjetrën.

Kjo nismë ka arritur të mbledhë një numër të konsiderueshëm materialesh mbi Palestinën, si edhe materiale arkivore izraelite që lidhen me fshatrat palestineze.

Po ashtu, Ahmed Marwat ka arritur të grumbullojë një numër fotografish që ushtria izraelite i kishte konfiskuar, si dhe një arkiv zanor të radios “Këtu është Kudsi”, e themeluar në vitin 1936.

Një kontribut i rëndësishëm vjen edhe nga Khadixhe Habashneh, e cila është angazhuar në restaurimin dhe ruajtjen e filmave të vjetër palestinezë.

Rikthimi i arkivit nuk është thjesht një proces teknik.

Ai është një akt rezistence, i cili e përputh kujtesën kolektive me realitetin e dokumentuar dhe shërben për të thyer politikën izraelite të mohimit.

Një vizion palestinez për rikthimin e arkivit

Sipas autores, vizioni palestinez për rikthimin e arkivit duhet të mbështetet mbi disa shtylla paralele:

Së pari: Vazhdimi i presionit juridik dhe ndërkombëtar, duke u mbështetur në Konventën e Hagës të vitit 1954, e cila ndalon plaçkitjen e pronës private në territoret e pushtuara dhe detyron kthimin e saj te pronarët e ligjshëm.

Së dyti: Përvetësimi i qasjeve dekoloniale në hulumtim dhe dokumentim, përmes vënies në dyshim të pretendimit për neutralitet të arkivave izraelite dhe rileximit të dokumenteve të grabitura nga një këndvështrim palestinez.

Kjo nënkupton çlirimin e informacionit nga konteksti kolonial dhe përdorimin e tij për ndërtimin e një narrative kombëtare alternative.

Së treti: Digjitalizimi dhe shpërndarja.

Meqenëse arkivi palestinez ndodhet i shpërndarë në shumë vende të botës, arkivimi digjital bëhet forma më e mundshme e rikthimit.

Krijimi i një arkivi kombëtar elektronik, që bashkon copëzat e kujtesës dhe ua bën ato të qasshme brezave të rinj, përbën fortesën që do ta mbrojë identitetin palestinez nga falsifikimi dhe shtrembërimi.

Përfundim

Arkivi palestinez i grabitur mbetet një dëshmi e gjallë e krimeve të kryera nga Izraeli.

Nëse pushtimi arriti të burgosë librat, fotografitë, dokumentet dhe regjistrimet zanore, vullneti i popullit palestinez ka dëshmuar qëndrueshmëri përballë të gjitha përpjekjeve për thyerjen dhe zhdukjen e tij, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë identitar.

Rikthimi i çdo dokumenti, i çdo fotografie, i çdo letre personale dhe i çdo regjistrimi zanor përbën një hap drejt kthimit të madh.

Sepse ai që zotëron historinë e tij, zotëron edhe të ardhmen e tij; dhe ai që çliron arkivin e tij, çliron vetëdijen e tij dhe e çliron kujtesën e tij nga robëria.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit