Luigj, e ke koritë Malsinë e ke shkelë mbi Besë! Nga Damir Dibra

Më të lexuarat

Me këtë shkrim i drejtohem Luigjit Perkaj, që po e koritë Malsinë e madhe çdo ditë e ma shumë. Ai po flet n’emën t’Malsisë e të traditës, por ka harrue se n’Malsi burri njihet prej nderit, jo prej urrejtjes e fyrjeve.

Luigj, kur e more Kur’anin e shëjtë e e vune midis kamve, ti nuk fyeve vetëm myslimanët; ti, Luigj, fyeve çdo katolik që ka burrni n’shtat, fyeve çdo malsor që e din se çka asht nderi e besa! Kjoftë mallkue ai mysliman që e përdhos Biblën e kjoftë mallkue ai katolik që e përdhos Kur’anin. Ata nuk kanë as din as iman, as besë as burrni. Kush asht fetar e beson n’Zot, e respekton tjetrin. Kush asht shqiptar, e mbron vllaun e vet. Ti nuk je as njana, as tjetra, Luigj. Ti ke zgjedhë me kenë nji vegël e përçarjes. Shumë herë krenohesh me Ded Gjo’ Lulin. Por ti se din, se kur trimat u ngritën kundër turkut e shkjaut, Ded Gjo Luli nuk i pyeti malsorët se si faleshin. Luftuen bashkë, katolikë e myslimanë, e gjakun e përzien në t’njajtën tokë. Ti po don me nda atë që Zoti dhe historia e kanë lidhë me lidhje t’pathyeshme! Kanuni i vjetër i maleve tona thotë: “Burri që luen fjalën asht grue e keqe, e mikun s’guxon kush me e prekë n’besë.” Me ato gjeste e fyerje banale, ti ke thye kodin m’ t’shëjtë të Malsisë. Ti po tregon se nuk ke as fe, as kanun, por ke vetëm ligsi e etje për vëmendje të turpshme. Ti Luigj, që nxit urrejtje e që don me na nda, dije se teoritë tueja janë t’kalbuna, si druni që s’ban hije! Ti me shokë nuk përfaqsoni as Malsinë, as besimin, as traditën; posaçërisht jo Krishtin, paqja kjoftë mbi ta! Ju përfaqsoni vetëm marritë tueja personale dhe nji etje t’smunë për vëmendje. Kush ndan vllaznit asht i mallkuem prej tokës e prej qiellit; goja që qet helm ndaj gjakut t’vet, u mbylltë e u harroftë! Kur ti fyen nji mysliman shqiptar, e ke fye Adem Jasharin me familje. E ke fye Ismail Qemalin e flamurit. E ke fye Idriz Seferin, Shaban Polluzhën e Naimin. E ke fye Isa Boletinin e Hasan Prishtinën. Ma ke sha Vehbi Dibrën, n’kjoftë se din ndopak se kush asht…Ne jena nji, Luigj. Kena nji gjuhë e nji rrajë. Nuk ka Luigj, as lloj-lloj Luigjash, që munet me e përça këtë kala t’çeliktë. Këtë tekst po e shkruej si gur mbi ato teori t’flliquna. Rruga jote dhe e çdonjanit si ti asht e bllokueme këtu e përgjithmonë! Nuk ka hapsinë në tokën tonë për njerëz që duen me na kthye mrapa n’errësinë. Malsia nuk t’njeh për t’vetin kur korit mikun e vllaun, e Shqiptaria t’nxjerr jashtë si nji njollë t’zezë. Ti mbahu nëpër rrjete sociale me marritë e tua, por dije se përpara nesh, përpara burrave me men e me nder, ti je thjesht nji humbs i madh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit