E vërteta është bërë e vështirë, o Shejkh. Pse gjithë kjo përçarje dhe fitne në Ummet? Pasha Allahun, me zemrën time jam distancuar shumë nga replikat e shumta të shejhlerëve ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë po sulmojnë të gjithë. A nuk ka në këtë Ummet zemra të bashkuara që këshillohen me mirësi? Na këshillo rreth kësaj çështjeje, sepse po të mos ishte për forcimin që na jep Allahu, nuk do të kishim mbetur të palëkundur.
E vërteta është e vështirë për atë të cilit Allahu ia ka bërë të vështirë, ndërsa është e lehtë për atë të cilit Allahu ia ka lehtësuar.
E vërteta është e vështirë për atë që i barazon të gjithë folësit dhe kërkuesit e dijes, pa e njohur dallimin ndërmjet gradave të tyre. Ai mbetet i hutuar mes tyre, e konsideron mospajtimin mes dijetarit dhe të paditurit si mospajtim mes dijetarëve, ndërsa konfliktin mes të padrejtit dhe të drejtit si një mosmarrëveshje mes dy palëve të barabarta.
Ndërsa e vërteta është e lehtë për atë që e dallon dijetarin nga i padituri, të drejtin nga zullumqari, thirrësin tek Allahu nga ai që thërret tek vetvetja, si dhe atë që udhëzon me të vërtetën dhe udhëzohet prej saj nga ai që e përzien të vërtetën me të pavërtetën.
E vërteta është e vështirë për atë që i barazon interesat kombëtare me interesat e umetit islam, ose që i jep përparësi konsideratave politike kombëtare mbi interesat madhore islame.
Ndërsa është e lehtë për atë që i shikon çështjet së pari me syrin e umetit islam.
E vërteta është e vështirë për atë që nuk bën dallim mes pretendimit për t’iu përkitur metodologjisë së selefit dhe ndjekjes së vërtetë e gjithëpërfshirëse të tyre.
Ndërsa është e lehtë për atë që e njeh realisht udhëzimin e selefit, duke filluar nga sahabët, pastaj brezi që erdhi pas tyre e më pas brezi pasues. Po ashtu, është e lehtë për atë që e kupton se ndjekja e selefit nuk kufizohet vetëm në një fushë të fesë, por përfshin tërësinë e gjendjes, metodës dhe praktikës së tyre.
E vërteta është e vështirë për atë që është i zënë me fjalë boshe, thashetheme, polemika dhe grindje, duke neglizhuar adhurimin dhe lutjen.
Ndërsa është e lehtë për adhuruesin e përulur, zemërthyer para Allahut, i Cili është Ndihmuesi dhe Udhëzuesi.
E vërteta është e vështirë për njeriun e nxituar, të padrejtë, të paditur, të paqëndrueshëm dhe frikacak.
Ndërsa është e lehtë për atë që është i qetë, i ekuilibruar, i drejtë, durimtar dhe trim.
E vërteta është e vështirë për gënjeshtarin, veprat e të cilit bien ndesh me fjalët e tij.
Ndërsa është e lehtë për të sinqertin, tek i cili fjala dhe vepra përputhen.
E vërteta është e vështirë për atë që e do këtë botë dhe lidhet pas saj, aq sa çdo detyrim fetar që kërkon sakrificë, durim, qëndrueshmëri dhe përpjekje të rëndë i bëhet barrë.
Ndërsa është e lehtë për atë që i jep përparësi Ahiretit dhe sakrifikon në rrugën e Allahut.
E vërteta është e vështirë për ziliqarin.
Ndërsa është e lehtë për besimtarin që beson se mirësia dhe dhuntia e Allahut u jepet atyre që Ai dëshiron prej robërve të Tij.
E vërteta është e vështirë për atë që nuk e njeh udhëzimin gjithëpërfshirës të Pejgamberit ﷺ, nuk e shikon tërësinë e jetës së tij, boshtet kryesore të thirrjes së tij, parimet themelore të sirës së tij dhe mënyrën e tij të veprimit. Ai nuk e vendos udhëzimin profetik mbi çdo udhëzim tjetër, por përkundrazi e bën Sunetin pasues të mendimeve të tjera, në vend që ai të jetë prijësi i tyre.
Ndërsa është e lehtë për atë që jeton me metodologjinë e të Dërguarit ﷺ, me fjalët dhe veprat e tij; që e kupton dallimin ndërmjet gradave të çështjeve të fesë, u jep përparësi atyre që Pejgamberi ﷺ u dha përparësi, i jep çdo çështjeje vendin që ia dha ai ﷺ dhe e vendos Sunetin e tij si autoritet mbi çdo autoritet tjetër.
E vërteta është e vështirë për atë që nuk e njeh rrugën e kriminelëve, nuk e kupton realitetin e hipokritëve, nuk e njeh natyrën e kurtheve bashkëkohore kundër myslimanëve, nuk e kupton rëndësinë e fronteve të mbrojtjes së fesë dhe nuk i njeh nevojat reale të kohës.
Ndërsa është e lehtë për atë që e ka të qartë rrugën e kriminelëve, e dallon armikun nga miku dhe i kupton nevojat e vërteta, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet umeti.
E vërteta është e vështirë për atë që nuk i kupton ligjet (sunetet) e Allahut në historinë e popujve dhe të shoqërive. Ai mendon se ndryshimi i realitetit arrihet vetëm me entuziazëm të verbër dhe duke anashkaluar shkaqet e ligjshme.
Ndërsa është e lehtë për atë që i kupton ligjet e Allahut, merr shkaqet e duhura, ecën i shoqëruar me durim dhe bindje të plotë në Allahun në çdo fazë dhe në çdo kohë, si në periudhat e dobësisë, ashtu edhe në periudhat e fuqizimit.
Ahmed Es-Sejid
