Policia synon 3 klane kryesore në Reggio Calabria në operacion që përfshin më shumë se 500 oficerë, sipas agjencisë së lajmeve ANSA
Policia italiane arrestoi 79 persona në një operacion të madh që synonte “Ndrangheta”-n, grupi më i fuqishëm i krimit të organizuar në vend, thanë sot autoritetet, transmeton Anadolu.
Operacioni në Reggio Calabria kishte në shënjestër klanet De Stefano, Tegano dhe Condello, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
Autoritetet thanë se 73 nga të arrestuarit u dërguan në burg, ndërsa gjashtë u vendosën në arrest shtëpiak. Të dyshuarit përballen me akuza, përfshirë shoqatë kriminale të llojit mafioz, trafik droge, zhvatje, grabitje dhe posedim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Hetuesit thanë se operacioni zbuloi aktivitetet e pretenduara ekonomike të klaneve, duke filluar nga trafiku i drogës deri te zhvatja e tregtarëve dhe pronarëve të bizneseve.
Në operacion morën pjesë mbi 500 oficerë të policisë së shtetit dhe karabinierëve.
Kryeministrja Giorgia Meloni vlerësoi operacionin në një postim në X.
“Drejtoria Antimafia e Qarkut Reggio Calabria i dha një goditje shkatërruese ‘Ndranghetës’, duke vendosur mbi 500 oficerë të policisë së shtetit dhe karabinierëve në një operacion të madh që çoi në arrestimin e 79 personave, duke dëmtuar interesat e mafias”, tha Meloni.
“Faleminderit atyre që mbrojnë shtetin ligjor me guxim dhe profesionalizëm çdo ditë. Shteti nuk do të dorëzohet. Lufta kundër mafies është dhe do të vazhdojë të jetë prioritet absolut për Qeverinë”, shtoi ajo.
Sipas Interpolit, “Ndrangheta” e ka origjinën në rajonin jugor italian të Kalabrisë, por është zgjeruar në më shumë se 84 vende.
