Vëllai im musliman i sinqertë!
Dije – Allahu më dhëntë mua dhe ty sukses që të udhëzohemi me dritën e Shpalljes dhe të na dhurojë kuptim të drejtë – se mendja është një begati madhështore prej begative të Allahut të Lartësuar dhe një mjet fisnik për të kuptuar, dalluar dhe medituar. Megjithatë, ajo nuk e arrin udhëzimin e plotë nëse e sheh veten të pavarur nga drita e shpalljes, sidomos në çështjet e së fshehtës (gajbit), bazave të besimit, përfundimit të njerëzve dhe atyre gjërave që mendja e zhveshur nuk ka mundësi t’i njohë në mënyrë të pavarur.
Mendja e shëndoshë nuk bie kurrë në kundërshtim me tekstin autentik të shpalljes. Çrregullimi lind vetëm atëherë kur njeriu u jep përparësi hamendjeve, pasioneve, kritereve të tij të kufizuara dhe përshtypjeve të ndryshueshme mbi Librin e Allahut të Lartësuar dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ. Kështu ai e bën mendjen gjykatëse mbi shpalljen, në vend që ta bëjë atë shërbëtore të kuptimit të shpalljes dhe udhëzimit me të.
Meditoje fjalën e Allahut të Lartësuar për djalin e Nuhut, kur ai e përballi urdhrin e Allahut me logjikën e tij të kufizuar njerëzore:
“Ai tha: ‘Do të strehohem në një mal që do të më mbrojë nga uji.’ (Nuhu) tha: ‘Sot nuk ka mbrojtës nga urdhri i Allahut, përveç atij që Ai e ka mëshiruar.’ Dhe valët u ngritën ndërmjet tyre, kështu që ai u bë prej të mbyturve.”
(Hud, 43)
Çështja nuk ishte thjesht ngjitja në një mal, por mbështetja tek shkaku material duke ia kthyer shpinën urdhrit të Allahut. Mali u tregua i pafuqishëm për ta shpëtuar kur erdhi urdhri i Allahut, ndërsa dorëzimi ndaj shpalljes ishte anija e vërtetë e shpëtimit.
Prandaj, peshorja e drejtë është ta përdorim mendjen për ta kuptuar shpalljen, e jo për ta kundërshtuar atë; dhe t’i marrim shkaqet e lejuara nga Sheriati, por pa u varur prej tyre e pa harruar Atë që i ka krijuar shkaqet.
Ai që e ndriçon mendjen me dritën e shpalljes, udhëzohet; ndërsa ai që e konsideron mendjen e tij të mjaftueshme pa shpalljen, devijon. Mendja e shëndoshë, kur i nënshtrohet tekstit autentik të shpalljes, i dhuron njeriut largpamësi, qëndrueshmëri dhe drejtësi në gjykim.
Por nëse ajo vendoset si gjykatëse mbi shpalljen, e jo si shërbëtore e kuptimit të saj, i hap njeriut dyert e hutimit dhe të paqëndrueshmërisë, duke e futur në rrugën e pasuesve të epsheve dhe bidateve, derisa ai të mendojë se shpëtimi gjendet vetëm në planifikimin dhe menaxhimin e tij, ndërkohë që shpëtimi i vërtetë është në dorëzimin e plotë ndaj urdhrit të Zotit të tij, të Lartësuar dhe Madhështor.
O Allah! Na dhuro mendje që i nënshtrohen shpalljes Sate, zemra që i dorëzohen urdhrit Tënd dhe na bëj të palëkundur në të vërtetën derisa të të takojmë Ty. O Bujar!
Abdullah El-Etherij
