Ndarja e shoqërisë po bëhet e pariparueshme!

Më të lexuarat

Kur prishet kohezioni social, nuk humbet vetëm paqja e sotme, por rrezikohet edhe e ardhmja e një kombi

Kohezioni social është kapitali më i çmuar që mund të ketë një shtet. Ai është besimi që qytetarët kanë tek njëri-tjetri, aftësia për të bashkëjetuar edhe kur mendojnë ndryshe, ndjenja se përballë sfidave të mëdha mbeten pjesë e të njëjtit komunitet kombëtar.

Historia ka treguar se vendet nuk shkatërrohen vetëm nga krizat ekonomike apo konfliktet politike, por mbi të gjitha kur humbasin këtë “ngjitës” të padukshëm që i mban njerëzit bashkë.

Sot, Shqipëria duket më pranë se kurrë një përçarjeje të thellë shoqërore. Polarizimi nuk kufizohet më tek debatet politike. Ai po hyn në familje, në vendet e punës, në biznes dhe në jetën e përditshme.

Po krijohen dy realitete që flasin gjuhë të ndryshme dhe që e shohin njëri-tjetrin jo si kundërshtarë politikë, por si armiq. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për këtë klimë bie mbi mënyrën se si ka qeverisur Edi Rama gjatë viteve të fundit.

Në vend që të kërkonte ura komunikimi dhe të kultivonte ndjenjën se shteti u përket të gjithë qytetarëve, diskursi politik është ndërtuar shpesh mbi ndarjen mes “nesh” dhe “atyre”.

Kritikët janë etiketuar me përçmim, ndërsa çdo zë kundër është paraqitur si pengesë për zhvillimin apo si armik i progresit. Një retorikë e tillë mund të prodhojë përfitime afatshkurtra elektorale, por lë plagë afatgjata në trupin e shoqërisë.

Simboli më i dukshëm i kësaj ndarjeje është fenomeni i ashtuquajtur i “patronazhistëve”. Për shumë qytetarë, ai ka krijuar bindjen se ekzistojnë dy kategori shqiptarësh: ata që janë pranë pushtetit dhe gëzojnë privilegje, informacion e ndikim, dhe pjesa tjetër e shoqërisë, e cila ndjehet gjithnjë e më e përjashtuar nga vendimmarrja dhe nga mundësitë e barabarta.

Pavarësisht debatit mbi përmasat reale të këtij fenomeni, perceptimi i një administrate të politizuar e ka dëmtuar rëndë besimin tek institucionet. E njëjta ndarje po reflektohet edhe në ekonomi.

Nga njëra anë perceptohen bizneset që konsiderohen pranë qeverisë dhe që, sipas kritikëve, kanë përfituar kontrata publike ose trajtim preferencial.

Nga ana tjetër janë konsumatorët dhe sipërmarrësit që e kundërshtojnë këtë model qeverisjeje dhe që po përdorin forma të reja proteste, përfshirë bojkotin ekonomik apo fushatat në rrjetet sociale.

Kur qytetarët besojnë se konkurrenca nuk është më e barabartë dhe se institucionet nuk ofrojnë zgjidhje, përplasja zhvendoset jashtë institucioneve dhe merr forma gjithnjë e më të ashpra.

Ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Sepse shoqëritë nuk destabilizohen vetëm nga dhuna fizike. Ato dobësohen edhe kur humbet besimi reciprok. Kur qytetarët nuk shohin më njëri-tjetrin si bashkëkombës me interesa të përbashkëta, por si pjesëtarë të kampeve kundërshtare, fillon shpërbërja e unitetit kombëtar.

Kjo është dhurata më e madhe që mund t’u bëhet atyre që historikisht nuk kanë dashur një Shqipëri të fortë e të bashkuar. Një shoqëri e përçarë është shumë më e prekshme nga ndikimet e jashtme, nga propagandat dhe nga interesat e fqinjëve që në periudha të ndryshme kanë pasur pretendime ose ambicie në dëm të interesave shqiptare.

Serbia apo Greqia nuk kanë nevojë për një Shqipëri të dobët ushtarakisht. Atyre u mjafton një Shqipëri e përçarë politikisht dhe psikologjikisht, ku energjia e qytetarëve konsumohet duke luftuar njëri-tjetrin.

Asnjë qeveri nuk fiton në planin afatgjatë duke ndërtuar pushtetin mbi ndarjen e shoqërisë. Edhe nëse kjo strategji sjell përfitime politike të përkohshme, kostoja që paguan vendi është shumë më e madhe: humbje e besimit, solidaritetit dhe ndjenjës së përkatësisë.

Shqipëria ka ende kohë për të shmangur skenarin më të keq. Së pari, politika duhet të heqë dorë nga gjuha përjashtuese dhe të pranojë se kundërshtari politik nuk është armik i vendit.

Së dyti, institucionet duhet të garantojnë transparencë, konkurrencë të ndershme dhe barazi përpara ligjit, në mënyrë që qytetarët të rikthejnë besimin se drejtësia dhe shteti funksionojnë për të gjithë.

Së treti, vetë shoqëria duhet të refuzojë urrejtjen si mënyrë komunikimi dhe të mbrojë dialogun, sepse përplasjet civile dhe kaosi nuk prodhojnë fitues.

Në fund të fundit, pushtetet ndërrohen, qeveritë ikin e vijnë, por plagët që lihen në ndërgjegjen e një kombi mund të duhen dekada për t’u shëruar. Prandaj mbrojtja e kohezionit social nuk është interes i një partie apo i një lideri. Ajo është kushti themelor për mbijetesën dhe të ardhmen e Shqipërisë. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit