Pikëpyetjet e një krenarie të vërtetë shqiptare në reagimin ndaj pushteteve arrogante
Nga Adrian Thano
Protestat mund të mbarojnë. Revolta jo. Kjo është gjëja e parë që duhet kuptuar.
Edhe nëse një protestë mbytet, ndjenja që e lindi nuk zhduket. Ajo vetëm tërhiqet përkohësisht nga sipërfaqja.
Protesta është organizim. Ka kohën, vendin dhe formën e saj. Mund të shpërndahet, të lodhet, madje edhe të shuhet përkohësisht nga shtypja ose nga iluzioni se një kërkesë u plotësua.
Revolta është diçka krejt tjetër.
Ajo nuk është një ngjarje që policia mund ta shpërndajë, as një turmë që mund t’ia marrë frymën vapa.
Revolta është ndjenja e akumuluar e padrejtësisë, indinjata ndaj arbitraritetit dhe refuzimi i status quo-së. Është energji e grumbulluar që nuk zhduket. Thjesht ndryshon gjendje, duke pritur momentin të shfaqet sërish, në forma shumë më të vështira për t’u kontrolluar.
A ka revoltë në Shqipëri? Përgjigja dihet.
Përpara se sheshet të mbusheshin, vendi po ushqente një mllef të heshtur prej korrupsionit, padrejtësisë, pabarazisë së mundësive. Mbi këtë shtresë, ra si shkrepëse indinjata legjitime ndaj një akti dhune që
zbuloi vendimet arbitrare për tjetërsimin e pronës publike e private, të gatuara në errësirë të plotë.
Tani, ky nuk është një zemërim kalimtar. Është një energji në zgjerim, në rritje të përditshme. Sa më gjatë të tentohet shtypja e tij aq më i pakontrollueshëm do të jetë shpërthimi i ardhshëm. Dhe aq më i rëndomtë, madje banal, do të jetë shkaku i radhës që do ta shkarkojë atë.
Kushdo në pushtet që mendon se mund ta vrasë një protestë të tillë si kjo “e flamingove”, thjesht ka blerë pak kohë me fajde, duke e bërë faturën e ardhshme sociale tmerrësisht më të kripur.
Në afatgjatë, asnjë pushtet, sado i fortë dhe i sofistikuar në mbytjen e zërave, nuk e menaxhon dot për shumë kohë indinjatën e akumuluar të një populli të nëpërkëmbur, të vjedhur dhe më pas të fyer.
Kryeministri, nga fodullëku bosh i Olimpit të tij politik, bëri gjithçka mundi gjatë këtyre pesë-gjashtë javëve që të na bënte të gjithëve të ndihemi pikërisht kështu.
Në vend të reflektimit, ai e helmoi debatin publik me kunja, epitete dhe fyerje ndaj protestuesve. Që janë fëmijët tanë.
Preferoi të ndante Shqipërinë me viza të trasha në “tona dhe e tyre” e të shpikte armiq imagjinarë. Mbi të gjitha, teksa njerëzit ishin në shesh, ai vijoi i patrazuar firmosjet ‘strategjike’ klienteliste në bregdet.
Një kokëfortësi (jo dhe aq e pakuptueshme) edhe aty ku qartazi është i zhytur në gënjeshtër dhe gabim.
Një burrë shteti nuk mund të rrezatojë këtë lloj diletantizmi. Kjo arrogancë e përditshme, ky cinizëm verbal nuk janë shenjë e një lideri të fortë, por simptomë e një papjekurie të thellë jo vetëm politike. Është degradim i skajshëm i asaj që duhet të përfaqësojë shteti.
Edhe nëse pranojmë skenarin që në turmë ka njerëz me axhenda, radikalë, derra, sorra, etj, një shtetar nuk replikon me këta në TV, vepron me institucionet që ka shteti. Dhe në të tilla raste vepron në heshtje.
Por nuk është kjo.
Kryeministri, ende nuk e ka bërë dot kapërcimin nga individi tek institucioni.
Nëse vërtet synon historinë, ai duhet të kuptojë se burri i shtetit ka aftësinë për të përfaqësuar edhe ata që e urrejnë. Ti je kryeministër i të gjithëve, edhe i protestuesve në rrugë, edhe i kritikëve më të egër, edhe i ‘korbave’ që guxojnë t’i dalin kundër tekave të tua. Betimi si Kryeministër nuk është privilegj për të zgjedhur audiencën.
Një shtetar e trajton popullin në shesh si problematikë sociale që kërkon zgjidhje, jo si tabor armiqsh personalë me të cilët duhet të shkëmbejë replika banale ditë e natë. Kur zbret në atë nivel fjalori, Kryeministri nuk fyen ata që janë në shesh. Ai zhvleftëson dhe zvogëlon karrigen ku qëndron.
Për këtë nuk ka asnjë justifikim. As eventualiteti i dhunës kur një protestë përshkallëzohet nuk e shfajëson dot. Sepse, në të vërtetë, ruajtja e qetësisë dhe jo-përshkallëzimi është detyrë e pushtetit, jo e rrugës.
Me refuzimin për të ngrirë qoftë edhe përkohësisht këto projekte të dyshimta, Kryeministri e ka zbuluar hapur hierarkinë e tij të vlerave. Ai ka provuar se llogaritë e klientelës mbi këto resorte kanë më shumë peshë se çdo gjë tjetër në Shqipëri. Duke sakrifikuar pa asnjë lëkundje edhe vetë paqen sociale.
Kjo protestë e jashtëzakonshme është një provë e madhe maturie për shoqërinë tonë. Ajo ka kapërcyer prej kohësh fatin e flamingove dhe ka shtruar në shesh të vërtetën e madhe. Zhvillimi real i një kombi nuk mund të jetë kriminalizimi i tij përmes parasë së drogës, nxitimit për luksin e rremë të hoteleve, gradaçelave apo kazinove.
Zhvillimi i vërtetë matet me shkollat, me edukimin. Projekte afatgjata që ndërtojnë qytetarë, jo mure betoni.
