Udhëzimi i Pejgamberit ﷺ në ftesën e njerëzve në fenë e Allahut të Madhëruar

Më të lexuarat

[1] Pejgamberi ﷺ i ftonte njerëzit tek Allahu i Madhëruar ditën dhe natën, fshehtas dhe haptazi. Pejgamberi ﷺ qëndroi tre vjet në Mekë, ku që në fillim të Pejgamberësisë së tij ftonte tek Allahu fshehurazi. Kur Allahu i Madhëruar i shpalli atij ajetin “Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar” Pejgamberi ﷺ filloi të ftonte haptaz në çështjen e Allahut dhe nuk i frikësohej askujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar. Pejgamberi ﷺ ftoi tek Allahu i Madhëruar të madh e të vogël, njeriun e lirë dhe robin, mashkullin dhe femrën, xhindët dhe njerëzit.

[2] Kur idhujtarët mekas i shtuan torturat e tyre ndaj shokëve të Pejgamberit ﷺ, Pejgamberi ﷺ i lejoi të migronin (bënin hixhret) për në Abisini.

[3] Pejgamberi ﷺ shkoi në Taif me shpresën se njerëzit e atij vendi do e ndihmonin, dhe i ftoi ata në fenë e Allahut të Madhëruar. Por Pejgamberi ﷺ nuk gjeti atje as mbështetës e as përkrahës. Përkundrazi, ata e lënduan më shumë duke përjetuar atje një situatë të atillë që nuk e kishte përjetuar as nga populli i tij në Meke. Pejgamberi ﷺ u largua nga Taifi dhe u nis për në Meke, ku hyri në besën e Mut’am bin Adijit.

[4] Pejgamberi ﷺ për dhjetë vjet i ftoi njerëzit haptazi në fenë e Allahut, ku për çdo vit shfrytëzonte sezonin e haxhit për t’i ftuar pelegrinët në fenë e Allahut të Madhëruar, duke u shkuar atyre në vendqëndrimet e tyre. Të njëjtën gjë Pejgamberi ﷺ bënte në sezonin e tregtisë, ku shkonte në tregjet e Ukadhit, të Mexhines dhe të Dhulmexhazit. Pejgamberi ﷺ pyeste për vendqëndrimin e çdo fisi dhe shkonte tek ata për t’i ftuar në fenë e Allahut.

[5] Në Akabeh Pejgamberi ﷺ takoi një grup prej gjashtë përsonash nga fisi El-Hazrexh, të cilët i ftoi në Islam. Ata e pranuan Islamin dhe pastaj u kthyen në Medine duke i ftuar njerëzit në Islam. E kështu Islami u përhap në Medine derisa në çdo shtëpi hyri Islami (njerëzit u bën muslimanë).

[6] Në vitin pasardhës, në Meke erdhën dymbëdhjetë burra, të cilët ia dhanë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ tek Akabeja për dëgjim, bindje, ndihmesë me pasuri, urdhërim për të mira dhe ndalim nga e keqja dhe të ftojnë për tek Allahu i Madhëruar, duke mos iu frikësuar askujt dhe se do e ndihmonin atë ﷺ ashtu siç mbrojnë gratë, fëmijët dhe vetet e tyre. Për të gjithë këtë, atyre do u takojë Xheneti. Pastaj ata u kthyen në Medine. Pejgamberi ﷺ bashkë me ta dërgoi dhe Ibën Ummi Mektum dhe Mus’ab bin Umejr, që t’ua mësojnë Kuranin dhe të ftojnë për tek Allahu. Kështu Allahu i Madhëruar bëri që nëpërmjet atyre të dyve, Islamin ta pranojnë shumë njerëz. ku prej tyre që e pranuan Islamin ishte Usejd bin Hudajr dhe Sad bin Muadh.

[7] Më pas Pejgamberi ﷺ u dha leje muslimanëve që të migrojnë (bëjnë hixhret) për në Medine. Kështu njerëzit bën hixhret e pas tyre (në fund) u largua për në Medine Pejgamberi ﷺ dhë shoku i tij Ebu Bekri radijAllahu anhu.

[8] Në Medine Pejgamberi ﷺ vëllazëroi midis muhaxhirëve (ata që bënë hixhret nga Meka për në Medine) dhe ensarëve (banorëve medinas që i pritën dhe ndihmuan muhaxhirët). E ata ishin nëntëdhjetë burra.

Udhëzimi i Pejgamberit ﷺ në ftesën e mbretërve në fenë Islame, në dërgimin e lajmëtarëve dhe letrat drejtuar atyre:

[1] Kur Pejgamberi ﷺ u kthye nga Hudejbija, u shkroi letra mbretërve të tokës dhe u dërgoi atyre të dërguarit e tij. Pejgamberi ﷺ i shkruajti mbretit të Romakëve dhe ai për pak sa nuk e pranoi Islamin por nuk e bëri.

[2] Pejgamberi ﷺ i shkruajti dhe Nexhashiut duke e ftuar në Islam, dhe ai e pranoi islamin.

[3] Pejgamberi ﷺ dërgoi Ebu Musa El-Esharijj dhe Muadh bin Xhebelin radijAllahu anhuma në Jemen për t’i ftuar njerëzit e atij vendi në Islam. Kështu banorët e Jemenit e pranuan Islamin me dëshirën e tyre dhe jo me luftë.

Udhëzimi i Pejgamberit ﷺ në marrëdhëniet me munafikët:

[1] Pejgamberi ﷺ pranonte prej munafikëve atë që ata shfaqnin, ndërsa ç’ka fshihnin në zemrat e tyre ia linte Allahut të Madhëruar. Pejgamberi ﷺ i luftonte munafikët me argument, qëndronte larg tyre, ishte i ashpër ndaj tyre dhe u predikonte me fjalë që linin përshtypje në shpirtrat e tyre.

[2] Pejgamberi ﷺ nuk i luftoi munafikët, me qëllim që t’i bashkojë zemrat duke thënë: “Që askush prej njerëzve të mos thotë se Muhamedi po vret shokët e tij”.
Marrë nga “Zadul-Mead”, 3/11, 44).
Përktheu: Unejs Sheme

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit