Rreziqet e shpërfilljes në adhurim…!

Më të lexuarat

Nuk i takon një njeriu të mençur, i cili dëgjon ajetet e Allahut dhe merr pjesë në ligjërata e këshilla, t’i presë ato me shpërfillje dhe largim.

Allahu i Lartësuar i ka qortuar njerëzit e tillë dhe i ka përngjasuar me jobesimtarët. Ai thotë:

﴿وَالَّذِينَ كَفَرُوا عَمَّا أُنذِرُوا مُعْرِضُونَ﴾

“Ndërsa ata që mohuan, i kthejnë shpinën paralajmërimeve që u bëhen.”
(El-Ahkaf: 3)

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَلَوْ عَلِمَ اللَّهُ فِيهِمْ خَيْرًا لَّأَسْمَعَهُمْ ۖ وَلَوْ أَسْمَعَهُمْ لَتَوَلَّوا وَّهُم مُّعْرِضُونَ﴾

“Sikur Allahu të dinte se tek ata ka ndonjë të mirë, do t’i bënte të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata përsëri do të ktheheshin me shpërfillje.”
(El-Enfal: 23)

Në hadithin e tre personave, Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Njëri prej tyre iu drejtua Allahut dhe Allahu e strehoi pranë mëshirës së Tij. Tjetri u turpërua, prandaj Allahu u turpërua prej tij (e mbuloi me mëshirën e Tij). Kurse i treti u largua (me shpërfillje), prandaj Allahu u largua prej tij.”

(E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka dhënë një përmbledhje të vyer shkencore mbi pasojat e shpërfilljes, duke sqaruar se njerëzit e saj janë në një rrezik të madh. Ai thotë:

“Ai që largohet plotësisht nga Allahu, Allahu largohet plotësisht prej tij. E ai prej të cilit Allahu largohet, do të jetë i shoqëruar me mjerim, fatkeqësi dhe humbje në gjendjet e tij dhe në veprat e tij. Atë e shoqëron gjendja e keqe dhe prishja si në këtë botë, ashtu edhe në përfundimin e tij. Sepse, kur Zoti i Madhëruar largohet nga një anë, mbi të bie tersllëku, errësohen skajet e saj dhe shuhen dritat e saj.”

(Tariku el-Hixhretejn, fq. 367)

Shpërfillja nuk plotësohet tek njeriu, veçse si rezultat i disa shkaqeve dhe rrethanave që e rrethojnë. Prej tyre janë:

* Mbulesa e zemrës, e cila sjell ashpërsinë e saj, e shtyn njeriun drejt pakujdesisë dhe shpërfilljes, si dhe e bën të lërë sunetet dhe veprat e virtytshme.
* Neglizhimi i obligimeve fetare, vonesa dhe plogështia në kryerjen e tyre, si dhe shoqërimi me njerëzit e pakujdesisë dhe devijimit, të cilët bëhen zëvendësues të shejtanit në dekurajimin e njerëzve, në thyerjen e vullnetit të tyre dhe në lehtësimin e mëkateve dhe gabimeve.
* Përkujtimi i pakët i Ahiretit dhe i vdekjes, mungesa e ndjenjës së domosdoshmërisë për t’u përgatitur për to, mungesa e luftës me vetveten në vepra të mira, mungesa e vigjilencës dhe e kujtesës për jetën e përtejme. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَاتَّقُوا يَوْمًا تُرْجَعُونَ فِيهِ إِلَى اللَّهِ﴾

“Kini frikë Ditën kur do të ktheheni tek Allahu.”
(El-Bekare: 281)

* Këmbëngulja në padituri, mosstolisja e vetes me dije të dobishme, mungesa në tubimet e dijes dhe të këshillave. Si pasojë, njeriu bëhet i ditur vetëm në çështjet e tregut dhe të jetës së kësaj bote, ndërsa mbetet injorant ndaj fesë së tij, besimit dhe riteve të saj. Allahu na ruajtë! Allahu i Madhëruar thotë:

﴿يَعْلَمُونَ ظَاهِرًا مِّنَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَهُمْ عَنِ الْآخِرَةِ هُمْ غَافِلُونَ﴾

“Ata dinë vetëm anën e jashtme të jetës së kësaj bote, ndërsa ndaj Ahiretit janë krejtësisht të pakujdesshëm.”
(Er-Rum: 7)

Pasojat e shpërfilljes

Siç i ka nxjerrë në pah Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, prej pasojave të saj janë:

* Mjerimi dhe fatkeqësia e vazhdueshme.
* Privimi nga suksesi dhe udhëzimi i Allahut.
* Prishja e jetës, edhe nëse ajo duket e begatë dhe e mbushur me mirësi.
* Mungesa e dëshirës për të bërë vepra të mira.
* Urrejtja ndaj së mirës.
* Shoqërimi i vazhdueshëm me shokë të këqij.
* Ashpërsia dhe zymtësia e fytyrës dhe e zemrës.
* Përpjekja për të mbuluar poshtërimin shpirtëror duke u zhytur në kënaqësitë e kësaj bote.
* Shtimi i mëkateve dhe rëndimi i gabimeve.
* Derisa njeriu të mbetet në një errësirë të dyfishtë, e cila e pengon nga pendimi dhe vetëllogaritja.

Allahu është Ai prej të Cilit kërkohet ndihma.

O Allah! Përmirësoje prishjen e zemrave tona, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju.

25 Dhul-Hixheh 1447 H.

Abdul-Bari Faiz el-Usejri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit