Një pushtet zullumqar, sado i fortë të jetë, sado mbështetje të ketë nga jashtë dhe sado pasuri të zotërojë, ka nevojë domosdoshmërisht për legjitimitet të brendshëm. Këtë legjitimitet ia japin njerëzit që ai sundon. Prandaj, ai varet shumë më tepër nga faktorët e brendshëm sesa nga ata të jashtëm.
Hapi i parë drejt rrëzimit të një zullumqari, ose të një kaste të tillë sunduese, është që njerëzit të kuptojnë se ai qëndron në këmbë pikërisht përmes tyre. Nëse ata ndërgjegjësohen se janë shumica që nuk e duan dhe po vuajnë prej tij, atëherë duhet të refuzojnë ta përkrahin, ta mbrojnë, ta mbështetin dhe të bashkëpunojnë me të.
Një zullumqar që mbetet i izoluar nga ndihma, përkrahja dhe mbështetja morale e praktike e njerëzve që ai sundon, përmes bojkotit, injorimit, mosbindjes, largimit dhe mosbashkëpunimit, etj. është i dënuar të bjerë; largimi i tij bëhet vetëm çështje kohe.
Tregohet se në Romën e lashtë u propozua që skllevërit të detyroheshin të visheshin me të njëjtën veshje, në mënyrë që të dalloheshin nga qytetarët e lirë. Mirëpo ky propozim u hodh poshtë, sepse do t’u zbulonte skllevërve se ata ishin shumë më tepër në numër se sunduesit e tyre. Kjo do t’i ndërgjegjësonte ata dhe do t’i shtynte të rebeloheshin kundër pakicës sunduese dhe ta përmbysnin atë.
Prandaj, çdo ndryshim i një regjimi ose autoriteti zullumqar nis pikërisht me ndërgjegjësimin e njerëzve se janë ata që, shpesh pa e kuptuar, e mbajnë në këmbë atë regjim.
“Vërtet, Faraoni u lartësua (me mendjemadhësi) në tokë dhe banorët e saj i ndau (i përçau) në palë (kampe, fraksione), duke e shtypur një pjesë prej tyre.” (el-Kasas: 4–5)
Këtë bëjnë faraonët e çdo kohe, i përçajnë njerëzit duke i joshur dhe frikësuar, dhe pastaj sundojnë mbi ta duke i mashtruar se janë zoti mbi tokë, dhe duke i bërë të besojnë se kanë mbështetje dhe forcë që ata nuk e dinë. Prandaj Kurani flet gjithmonë për verbërinë e arsyes dhe të shpirtit dhe jo atë fizike. Kështu që hapni sytë e mendjes dhe të shpirtit, o njerëz!
Hoxhë Justinian Topulli
