O vëlla musliman i sinqertë!
Dije – Allahu më dhëntë mua dhe ty frikërespekt ndaj Tij në fshehtësi dhe në publik – se nderi i muslimanëve nuk është fushë argëtimi, as lëndë për biseda nëpër mexhlise dhe as karburant për platformat e publikimit. Përkundrazi, ai është një shenjtëri e madhe, të cilën Pejgamberi ﷺ e ka lidhur me shenjtërinë e gjakut dhe pasurisë. Ai ka thënë në Hytben e Lamtumirës:
“Vërtet, gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë për ju.”
Nëse të arrin një lajm për një musliman që përmban akuzë, mëkat, gabim apo skandal, dije se ti je përballë një sprove për veten tënde, para se ajo të jetë sprovë për të. Ndoshta lajmi është gënjeshtër dhe ti bëhesh pjesë e ushtrisë së shpifjes; ndoshta është i vërtetë dhe ti bëhesh prej atyre që përhapin shthurjen; ose ndoshta është i mangët dhe ti e dëmton vëllanë tënd pa dije.
Allahu i Lartësuar na ka edukuar me një parim madhështor, kur thotë:
“O ju që besuat! Nëse ju vjen ndonjë i prishur me ndonjë lajm, atëherë verifikojeni, që të mos i bëni dëm ndonjë populli pa e ditur, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”
(El-Huxhurat, 6)
Dhe në ngjarjen e shpifjes ndaj Aishes, Allahu i Lartësuar thotë:
“Sikur, kur e dëgjuat atë, besimtarët dhe besimtaret të kishin menduar mirë për njëri-tjetrin…”
(En-Nur, 12)
Prandaj, detyra e parë kur dëgjohet një akuzë është: të mendosh mirë, të përmbash gjuhën dhe të mos e përcjellësh atë; jo të nxitosh për publikim, komentim dhe analizim.
Sa shumë njerëz sot thonë: “Unë nuk e konfirmoj lajmin, vetëm po e përcjell!” Por ky është justifikim i pavlefshëm, sepse ai që e përcjell është ortak në të keqe. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Mjafton që njeriu të jetë gënjeshtar kur përcjell gjithçka që dëgjon.”
Jo çdo gjë që dëgjohet përcillet, jo çdo publikim besohet, jo çdo akuzë përhapet dhe jo çdo gabim bëhet temë e njerëzve.
Muslimani i sinqertë, kur e sheh vëllanë e tij të sprovuar me një mëkat, të përfshirë në një skandal apo të akuzuar për diçka, nuk gëzohet për rrëzimin e tij, nuk e përqesh dhe nuk e ndihmon shejtanin kundër tij. Përkundrazi, thotë në vete:
“Falënderimi i takon Allahut që më ka ruajtur nga ajo me të cilën e ka sprovuar atë.”
Këtë e thotë fshehurazi, jo si përqeshje; me ndjenjë nevoje ndaj Allahut, jo me mendjemadhësi. Sepse Ai që të ka ruajtur sot, është i Fuqishëm të të sprovojë nesër. Ai që të ka mbuluar tani, është i Fuqishëm të të zbulojë, nëse mashtrohesh nga mbulimi i Tij. Mes teje dhe skandalit nuk ka veçse mbulesa dhe mëshira e Allahut. Prandaj, kërko prej Allahut mirëqenie dhe ruaje gjuhën tënde nga robërit e Tij.
* Nëse lajmi nuk është i vërtetuar, detyra është ta refuzosh, të heshtësh për të ose të kërkosh verifikim, pa hyrë në nderin e dikujt.
* Nëse lajmi është i vërtetuar, detyra është mbulimi i tij, këshillimi dhe lutja; jo ekspozimi, përçmimi dhe hakmarrja me fjalë.
* Nëse çështja përmban dëm publik, të drejtë të dikujt ose një të keqe që duhet penguar, atëherë ajo duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse dhe njerëzve të dijes e urtësisë; jo turmave të mexhliseve dhe kaosit të platformave.
Përhapja e lajmeve të këqija për muslimanët i prish zemrat, e ul respektin, e dobëson vëllazërinë, hap dyert e përqeshjes dhe i edukon njerëzit që të kërkojnë të metat e të tjerëve.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet, ata që dëshirojnë të përhapet shthurja te besimtarët, për ta ka dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër.”
(En-Nur, 19)
Mendoje mirë: Allahu nuk tha vetëm “ata që e bëjnë shthurjen”, por tha: “ata që dëshirojnë të përhapet”. E si është atëherë gjendja e atij që ndihmon në përhapjen e saj, i hap rrugë ose e promovon mes njerëzve?!
Prej mençurisë fetare të muslimanit është të dijë se mbulimi i mëkatarit nuk do të thotë miratim i mëkatit; heshtja ndaj akuzës nuk do të thotë mbrojtje e së kotës; verifikimi nuk është dobësi; dhe lënia e ekspozimit publik nuk është lajkatim. Përkundrazi, kjo është fe, devotshmëri, drejtësi dhe frikë ndaj Allahut të Lartësuar.
* Sa të pafajshëm janë therur me thikën e thashethemeve!
* Sa të penduar janë kthyer në dëshpërim nga ekspozimi publik!
* Sa njerëz të rënë në mëkat prisnin një dorë që t’i këshillonte, por gjetën gjuhë që i turpëronin!
* Sa përcjellës lajmesh kanë menduar se janë larg mëkatit, por kanë rënë në një mëkat edhe më të madh: përgojim, shpifje, përhapje të shthurjes dhe ngrënie të mishit të muslimanëve!
O rob i Allahut!
* Nëse nuk mund ta ndihmosh vëllanë tënd, mos u bë shkak për thyerjen e tij.
* Nëse nuk ke mundësi ta këshillosh, mos e ndihmo shejtanin kundër tij.
* Nëse nuk e di të vërtetën, mos hyr në mishin dhe gjakun e tij.
* Nëse të bëhet e qartë pafajësia e tij, falënderoje Allahun që nuk ishe prej atyre që i bënë padrejtësi.
* Nëse gabimi i tij vërtetohet, lutu për udhëzimin dhe faljen e tij, dhe kërko prej Allahut të të mbulojë ty, ashtu siç dëshiron që Ai t’i mbulojë robërit e Tij.
Rregulli përmbledhës në këtë çështje është:
Çdo lajm që cenon nderin e një muslimani – edhe nëse ai nuk pajtohet me ne, na kundërshton ose na ka bërë keq – parimi bazë është ndalimi dhe verifikimi; detyrë është përmbajtja e gjuhës; e ligjshme është mbulimi, lutja dhe këshillimi; ndërsa e ndaluar është ekspozimi publik, përqeshja dhe përhapja e së keqes. Sepse drejtësia është fe, të cilën nuk e rrëzon kundërshtimi; dhe shenjtëria e muslimanit nuk e lejon armiqësia.
O Allah! Pastroji gjuhët tona nga përgojimi dhe shpifja, zemrat tona nga përqeshja dhe mendimi i keq. Na bëj mbulues të të metave, jo zbulues të tyre; këshillues, jo përqeshës; përmirësues, jo prishës. Mbuloji të metat tona, na siguro nga frika, ruaji nderet e muslimanëve nga gjuhët tona, shkrimet tona dhe platformat tona. Mos i lejo armiqtë dhe ziliqarët të gëzohen me ne, o Më i Mëshirshmi i mëshiruesve!
Abdullah el-Etheri
