Pesë gjëra është mirë t’i zbatojmë para gjumit; prandaj mësojini, zbatojini dhe ua mësoni të tjerëve:
E para: është diçka (vepër) që Allahu i Madhërishëm e do.
E dyta: bën që engjëjt (melekët) të luten për ju.
E treta: largon prej nesh kurthet dhe intrigat e shejtanit.
E katërta: na e bën të dashur leximin e Kuranit.
E pesta: na ndihmon të njohim gabimet tona përmes saj.
- E para: Namazi i Vitrit
Këtë vepër Allahu i Madhërishëm e do, dhe këtu bëhet fjalë për namazin e Vitrit — të falësh qoftë edhe një rekat të vetëm. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu është Tek (Një) dhe e do tekun.” Falni qoftë edhe një rekat; e nëse falni tre apo pesë, është akoma më mirë.
- E dyta: Lutja e engjëjve
Kur shkoni të flini dhe të kryeni nevojat tuaja merrni abdes. Përpiquni që të mos shtriheni për të fjetur ndryshe, përveçse me abdes. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur robi bie të flejë i pastër (me abdes), një engjëll qëndron mbi kokën e tij. Sa herë që ai lëviz apo kthehet djathtas ose majtas, engjëlli thotë: ‘O Allah, fale këtë robin Tënd, sepse ai ra të flinte i pastër’.”
Kjo është një mirësi e madhe! Ti fle, ndërsa një engjëll lutet për ty.
- E treta: Mbrojtja nga shejtani
Shejtani nuk do t’ju ngacmojë dot derisa të zbardhë mëngjesi. Mos e lini pas dore pa lexuar Ajetul-Kursinë para se të flini: “Allahu la ilahe il-la hue…”
- E katërta: Dashuria për leximin e Kuranit
Disa njerëz kalojnë me orë të tëra me celular në dorë, aq sa i zë gjumi mbi të nga lodhja e madhe. Nuk lodhen duke kaluar nga një faqe në tjetrën, duke hapur faqe e duke lexuar. Kalojnë një apo dy orë dhe nuk ndiejnë mërzitje. Por, po të marrin Mus’hafin (Kuranin), sikur vjen shejtani dhe ua rëndon leximin. Caktoni për veten tuaj një pjesë (hizb) që ta lexoni para gjumit, qoftë edhe një faqe të vetme. Por kjo faqe duhet të pranojë vetëm shtim dhe jo pakësim. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen rregullisht, qofshin edhe të pakta.”
- E pesta: Marja në llogari e vetes (Autokritika)
Askush nuk është i pagabueshëm. Kur të shtriheni për të fjetur, rishikoni e sillni ndërmend sjelljen tuaj të jashtme dhe gjendjen tuaj të brendshme gjatë asaj dite.
Që nga çasti kur jeni zgjuar në mëngjes e deri në këtë moment që jeni në shtrat: Çfarë keni bërë? A i keni rënë në qafë dikujt? A keni fyer kënd? A keni penguar apo shqetësuar ndokënd rrugës? A keni bërë hile apo mashtrim në punën tuaj?
A ke ushqyer qëllime të këqija apo zili ndaj të tjerëve? Në këtë mes, ti je edhe palë në konflikt, por edhe gjykatësi i vetvetes. Nëse zbulon se ke bërë gabime, thuaj “Elhamdulilah” që u bëra koshient dhe përpiqu t’i shmangësh ato të nesërmen.
Zoti ynë thotë: “Unë jam Falës i madh për atë që pendohet, beson, bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugën e drejtë.”
Dr. Abdul Aziz es Sed’han
Përktheu: Fatjon Isufi
