Imam Ibnul Kajjimi رحمه الله përmendi katër gjendje të robit që tregojnë shkallën e lidhjes së zemrës së tij me Allahun e Madhëruar. Këto gjendje janë:
Gjendja e parë: Kur shtrihet për të fjetur
Kur njeriu shtrihet për të fjetur dhe shqisat e tij, si dhe gjymtyrët e tij, çlirohen nga angazhimet dhe preokupimet, ndërsa zemra e tij mblidhet tek ajo që e do, ai nuk fle veçse me përmendjen e asaj që e do dhe me zemrën e angazhuar me të.
I Dërguari i Allahut ﷺ na ka udhëzuar ta përmendim Allahun e Madhëruar para gjumit. Gjithashtu është ligjësuar që robi ta mbyllë ditën e tij me istigfar, duke thënë para gjumit:
“Kërkoj falje nga Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, të Gjallin, të Përjetshmin, dhe tek Ai pendohem.”
Po ashtu është ligjësuar që të flejë duke lexuar Sejjidul-Istigfarin (Zotërinë e Istigfarit).
Gjendja e dytë: Kur zgjohet nga gjumi
Gjëja e parë që i vjen në zemër është kujtimi i të dashurit të tij.
Kur zgjohet dhe shpirti i kthehet përsëri, bashkë me të i kthehet edhe kujtimi i të dashurit të tij, i cili gjatë gjumit ishte fshehur prej tij, por kishte mbetur i përzier me shpirtin dhe zemrën e tij. Kur shpirti i rikthehet, kujtimi i të dashurit i rikthehet më shpejt se sa hap e mbyll sytë, i lidhur me të dhe shoqërues i tij.
Prandaj ai kujtim i vjen para çdo gjëje tjetër dhe e pushton zemrën para çdo mendimi tjetër.
Kur më pas i vijnë angazhimet, shqetësimet dhe pengesat e ditës, ato hyjnë në një zemër tashmë të mbushur me dashurinë e asaj që ai do. Ato hyjnë vetëm në sipërfaqen e saj.
Kur i kryen ato nevoja dhe angazhime, ai i kryen duke qenë i shoqëruar nga dashuria që gjendet në zemrën e tij. Ajo dashuri është ngjitur pas tij ashtu siç ngjitet kreditori pas borxhliut të tij.
Për këtë arsye dashuria e fortë quhet “garem” (غرام), sepse është një dashuri e pandarë dhe e vazhdueshme.
Kështu ai dëgjon me të dashurin e tij, sheh me të, vepron me të dhe ecën me të.
I dashuri i tij bëhet në ekzistencën e tij si dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin sheh, dora me të cilën vepron dhe këmba me të cilën ecën.
Gjendja e tretë: Kur hyn në namaz
Namazi është prova e gjendjeve të zemrës dhe peshorja e imanit.
Me të peshohet imani i njeriut, zbulohet gjendja dhe pozita e tij, si dhe shkalla e afërsisë së tij me Allahun dhe pjesa që ai ka prej Tij.
Namazi është vendi i bisedës së fshehtë me Allahun dhe i afrimit tek Ai. Në të nuk ka asnjë ndërmjetës mes robit dhe Zotit të tij.
Për dashuruesin e Allahut nuk ka asgjë më qetësuese për syrin, më të ëmbël për zemrën dhe më të këndshme për jetën sesa namazi.
Sepse nuk ka asgjë më të dashur për atë që e do Allahun sesa vetmia me të Dashurin e tij, biseda me Të dhe qëndrimi para Tij.
Ai qëndron para Zotit të tij me zemrën e kthyer kah Ai, ndërsa i Dashuri i tij është kthyer kah ai.
Para namazit ai mund të ketë qenë i lodhur nga përballimi i njerëzve, shoqërimi me ta dhe angazhimi me punët e tyre. Kur ngrihet në namaz, ai ikën nga çdo gjë tjetër drejt Allahut, strehohet tek Ai, gjen qetësi në përmendjen e Tij dhe syri i tij gjen kënaqësi duke qëndruar para Tij dhe duke biseduar me Të.
Prandaj nuk ka gjë më të rëndësishme për të sesa namazi.
Ai është sikur të ishte në burg, ngushticë dhe pikëllim derisa të vijë koha e namazit. Atëherë zemra e tij zgjerohet, çlirohet dhe qetësohet.
Për këtë arsye i Dërguari i Allahut ﷺ i thoshte Bilal ibn Rabah:
“O Bilal, na qetëso me namaz.”
Dhe nuk tha:
“Na qetëso prej namazit”,
siç thonë njerëzit e pavëmendshëm dhe të kotë.
Disa prej selefëve kanë thënë:
“Nuk e ka plotësuar imanin ai që vazhdon të jetë në brengë dhe shqetësim derisa të vijë namazi, e pastaj me ardhjen e tij t’i largohen brengat dhe shqetësimet.”
Namazi është kënaqësia e syve të atyre që e duan Allahun, gëzimi i shpirtrave të tyre, ëmbëlsia e zemrave të tyre dhe stolia e shpirtrave të tyre.
Ata shqetësohen kur mendojnë se namazi do të përfundojë, pasi të kenë hyrë në të.
Ndërsa njeriu i zbrazët dhe i pavëmendshëm shqetësohet nga namazi para se të hyjë në të dhe kërkon ta përfundojë sa më shpejt.
Ata që e duan Allahun kanë një gjendje, ndërsa ata që e godasin namazin shpejt e pa përqendrim kanë një gjendje tjetër.
Ata ankohen tek Allahu për dëmin që u shkaktojnë imamët e nxituar kur falen pas tyre, ashtu siç ankohet njeriu i pavëmendshëm për zgjatjen e namazit nga imami.
I Lartësuar qoftë Allahu, i Cili i ka dalluar shpirtrat dhe i ka bërë kaq të ndryshëm mes tyre!
Gjendja e katërt: Në sprova dhe tmerre
Kjo është gjendja e tij në vështirësi, frikëra dhe tmerre.
Sepse zemra në këtë gjendje nuk kujton veçse atë që e do më shumë dhe nuk ikën veçse tek ai që është më i dashur për të.
Për këtë arsye arabët dikur krenoheshin se në kohën e luftës dhe përballjes kujtonin ata që i donin.
Në disa transmetime është përmendur se Allahu i Madhëruar thotë:
“Robi Im i vërtetë është ai që Më kujton kur përballet me kundërshtarin e tij.”
Sekreti i kësaj dhe Allahu e di më së miri është se kur njeriu përballet me tmerre dhe rreziqe, frika e zemrës përqendrohet tek gjëja më e dashur për të, e cila është jeta e tij.
Ai nuk e do jetën për vetveten, por sepse përmes saj afrohet tek i Dashuri i tij.
Prandaj kur frikësohet se mund ta humbasë jetën, në zemrën e tij vërshon menjëherë kujtimi i të Dashurit, të cilin do ta humbte me humbjen e jetës.
Për këtë arsye dhe Allahu e di më së miri shpesh ndodh që njeriut në çastet e vdekjes t’i shtohet përmendja e asaj që ka dashur më shumë dhe të vazhdojë ta përmendë vazhdimisht.
Madje mund të ndodhë që shpirti i tij të dalë duke e përmendur atë.
Ibn Abi Dunya ka përmendur në librin Kitabul-Muhtedarin se Zufer ibn Huzayl, gjatë çasteve të vdekjes së tij, vazhdonte të thoshte:
“Ajo ka tre të pestat e mehrit, ajo ka një të katërtën e mehrit, ajo ka kaq…”
dhe vazhdoi kështu derisa vdiq, sepse zemra e tij ishte e mbushur me dashurinë për fikhun dhe dijen.
Prandaj, ai që gjatë jetës së tij është marrë me Allahun, me përmendjen e Tij dhe me dashurinë ndaj Tij, do ta gjejë këtë kujtim pikërisht atëherë kur ka më së shumti nevojë për të: në çastin kur shpirti i tij del për t’u takuar me Allahun.
Ndërsa ai që gjatë jetës dhe shëndetit të tij është marrë me gjëra të tjera, do ta ketë të vështirë të angazhohet me Allahun dhe të jetë i pranishëm me Të në çastin e vdekjes, përveç nëse e arrin kujdesi dhe ndihma e veçantë e Zotit të tij.
Për këtë arsye është e denjë për njeriun e mençur që ta mbajë zemrën dhe gjuhën të lidhura vazhdimisht me përmendjen e Allahut, kudo që të jetë, për hir të atij çasti vendimtar që, nëse i humbet, do të mjerësohet me një mjerim të përjetshëm.
Lusim Allahun që të na ndihmojë ta përmendim Atë, ta falënderojmë Atë dhe ta adhurojmë në mënyrën më të mirë.
Solli për ju Bekir Halimi
