Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Allahu i Lartësuar ua ka ngritur atyre shkallët dhe i ka lëvduar, prandaj me ta duhet pasur edukatë, duhet ua ruajtur respektn, si dhe duhet të qëndrohet larg përgojimit të tyre apo cenimit të pozitave të tyre të larta.
Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i ngre në shkallë të larta ata që besuan prej jush dhe ata të cilëve u është dhënë dituria.”
Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Vetëm njerëzit e mençur marrin mësim.”
Normat edukative më të rëndësishme që duhet pasur parasysh në raport me dijetarët:
Nderimi dhe respektimi i tyre:
Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem): ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të voglin tonë dhe nuk e respekton të madhin tonë.”
Sjellja e mirë gjatë thirrjes dhe bisedës me ta:
Allahu i Lartësuar thotë: “Mos e bëni thirrjen e të Dërguarit ndërmjet jush si thirrjen e dikujt prej jush ndaj tjetrit.”
Mendimi i mirë për ta dhe gjetja e justifikimeve për ta:
Allahu i Lartësuar thotë: “Përse, kur e dëgjuat atë (shpifjen), besimtarët dhe besimtaret nuk menduan të mirën për njëri-tjetrin e të thoshin: “Kjo është një shpifje e qartë?”
Lutja për ta dhe kërkimi i mëshirës për ta:
Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: “O Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim, dhe mos lejo në zemrat tona kurrfarë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. O Zoti ynë, Ti je i Butë, Mëshirëplotë!”
Mosnënçmimi, mospërgojimi apo shpifja ndaj tyre:
Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret për diçka që nuk e kanë bërë, vërtet kanë ngarkuar veten me shpifje dhe mëkat të qartë.”
Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj
