Ish-kryeministri e shpalli në Kuvend, mungon ende reagimi zyrtar i ambsadadës në Tiranë
Pretendohet se Departamenti Amerikan i Shtetit i ka hequr statusin “non grata” kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Vendimi, sipas burimeve pranë PD-së, i është komunikuar Berishës përmes një telefonate nga e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Berisha, i cili, pa dhënë shpjegime për mediat, hyri në sallën e Kuvendit mes duartrokitjeve të mbështetësve. “Unë erdha, u krye!”, deklaroi ai shkurtimisht nga foltorja. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga ambasada e SHBA-së Tirana lidhur me këtë zhvillim.
Berisha u shpall “non grata” më 19 maj 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në atë kohë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken argumentoi vendimin me pretendime për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm, shpërdorim fondesh publike dhe ndërhyrje në procese publike për përfitime personale dhe familjare.
Sanksioni u shtri edhe ndaj bashkëshortes së tij, Liri Berisha, si dhe ndaj fëmijëve të tyre, duke u ndaluar hyrjen në SHBA. Berisha i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Nëse ky vendim konfirmohet zyrtarisht, ai pritet të ketë ndikim të fortë në skenën politike shqiptare. Heqja e “non grata”-s do të forconte pozitat e Berishës brenda opozitës dhe do t’i jepte atij një argument të ri kundër kundërshtarëve, si brenda PD-së ashtu edhe përballë mazhorancës.
Një zhvillim i tillë mund të riformatojë raportet e brendshme në opozitë dhe të thellojë përplasjet politike në Kuvend. Koha e publikimit të lajmit, në kulmin e protestave popullore që kundërshtojnë si qeverinë ashtu edhe opozitën tradicionale të lidhur me Berishën, ngre pikëpyetje të forta politike.
Nëse konfirmohet, ky vendim mund të shihet si një përpjekje për të ripozicionuar figurat kryesore në një moment krize besimi ndaj klasës politike. Nga ana tjetër, mund të nxisë reagime të reja në rrugë, pasi shumica e protestuesve kërkojnë pikërisht largimin e figurave të vjetra nga skena politike. \tesheshi.com\
