Sekretet e dronëve të rinj ukrainas: si e kanë zhvendosur luftën në zemër të Rusisë

Më të lexuarat

Një natë mes dronëve që hapin korridore ajrore dhe godasin furnizimet ruse

Në errësirën e një pylli pranë kufirit, një skuadër operatorësh ukrainas përgatit në heshtje ngritjen e një droni. Të fshehur nën rrjeta kamuflazhi, ata presin momentin e duhur. Në verë, gjelbërimi i dendur i mbron nga sytë e satelitëve dhe dronëve rusë.

Kur vjen urdhri, ata lëvizin drejt një hapësire të hapur, vendosin pajisjen mbi një katapultë dhe e lëshojnë në qiell. Brenda pak sekondash, droni zhduket në errësirë, duke nisur një mision që mund të zgjasë me orë dhe të depërtojë dhjetëra apo qindra kilometra në territorin rus.

Ky është “Bulava”, emërtuar sipas topuzit simbolik të kozakëve – një simbol kombëtar që përdoret edhe në ceremonitë presidenciale ukrainase. Sot, emri përfaqëson një brez të ri armësh që po ndryshojnë natyrën e luftës.

Droni montohet brenda 20 minutash, lëshohet me një përshpejtim të fortë fillestar dhe më pas udhëton me motor elektrik për mbi 100 kilometra. Por Bulava është vetëm një nga shumë modele të prodhuara nga ekosistemi i ri i industrisë ushtarake ukrainase.

Qeveria në Kiev ka hequr pothuajse të gjitha pengesat burokratike për prodhimin e dronëve, duke nxitur një rrjet startup-esh që bashkëpunojnë dhe konkurrojnë mes tyre. Në këtë garë mbijetese, seleksionimi natyror bëhet në fushëbetejë: mbijetojnë vetëm modelet që japin rezultate.

Përveç Bulava-s, në qiell fluturojnë edhe Hornet, FP-1, FP-2, Ram-2X, Backfire dhe të tjerë. Dronët mbërrijnë në kuti, montohen shpejt dhe shpërndahen në dhjetëra skuadra përgjatë kufirit me Rusinë dhe në rajonet e pushtuara.

Risia më e madhe janë dronët me rreze të mesme veprimi. Më parë, Ukraina kishte dy kategori kryesore: dronë të vegjël, shumë të manovrueshëm por me rreze të kufizuar, dhe dronë të mëdhenj që transportonin mbi 100 kilogramë eksploziv për distanca deri në 2 mijë kilometra, por që godisnin vetëm objektiva të fiksuar.

Tani, dronët e rinj mbulojnë boshllëkun mes 30 dhe 200 kilometrave dhe mund të ndjekin objektiva në lëvizje. Ata veprojnë në çift: një dron zbulimi kalon kufirin dhe kërkon objektiva: radarë, trena me pajisje ushtarake, sisteme raketore apo autokolona furnizimi. Pasi identifikohet shënjestra, lëshohet droni i dytë me kokë luftarake prej rreth pesë kilogramësh, i cili kryen goditjen. Droni zbulues kthehet, cikli nis sërish.

Kjo taktikë po përdoret në dy drejtime strategjike. Në veri, përgjatë kufirit rus, objektivi është sistemi i mbrojtjes ajrore. Sipas burimeve ukrainase, janë shkatërruar të paktën 170 elementë – radarë dhe bateri raketash – duke krijuar korridore për dronët e rëndë me rreze të gjatë që synojnë objektiva thellë në territorin rus.

Sulmet e fundit ajrore në Shën Petersburg, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në fillim të qershorit, u lehtësuan pikërisht nga dobësimi i mbrojtjes ajrore. Në jug, fushata synon korridorin tokësor që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.

Kjo autostradë përgjatë Detit të Zi konsiderohej e sigurt dhe jetike për furnizimin e forcave ruse. Por prej javësh, dronët ukrainas po godasin sistematikisht kamionët ushtarakë që transportojnë municione dhe karburant.

Sipas analistëve të burimeve të hapura, qindra mjete furnizimi janë shkatërruar që nga fillimi i majit. Në këtë zonë përdoren veçanërisht dronët Hornet, të pajisur me inteligjencë artificiale për identifikimin e objektivave.

Autoritetet në Krime kanë mbyllur rrugët për trafikun civil, por kjo ka thjeshtuar përzgjedhjen e objektivave: çdo mjet në lëvizje konsiderohet potencialisht ushtarak.

Këta dronë nuk përbëjnë “armën e mrekullisë” që do të përmbyste menjëherë luftën. Asnjë armë e vetme nuk e bën këtë.

Por ata kanë zhvendosur vijën e frontit, duke e çuar konfliktin në thellësi të territorit rus dhe duke e bërë më të kushtueshme dhe më të brishtë pushtimin. Nëse fushata vazhdon me të njëjtin intensitet, objektivi afatgjatë i Kievit – dobësimi i kontrollit rus mbi Krimenë – mund të mos duket më i paarritshëm. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit