Human Rights Watch kërkon pezullimin e shitjeve të armëve dhe masa konkrete nga Brukseli për të ndalur shkeljet dhe i dhënë fund pandëshkueshmërisë
“Nëse ekziston rreziku që armët e furnizuara nga shtete të tjera të përdoren në mënyrë të paligjshme në Liban apo në Gaza, këto shtete kanë përgjegjësinë t’i pezullojnë menjëherë transferimet”. Kështu u shpreh Ramzi Kaiss, studiues për Libanin në Human Rights Watch, pas vizitës së tij në Bruksel, ku takoi eurodeputetë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.
Vizita kishte për qëllim paraqitjen e gjetjeve të organizatës mbi shkeljet e dokumentuara në Liban gjatë dy viteve e gjysmë të fundit. Sipas Human Rights Watch, ushtria izraelite ka kryer një sërë krimesh lufte, përfshirë sulme të qëllimshme ndaj gazetarëve, punonjësve shëndetësorë dhe forcave paqeruajtëse, shkatërrimin e objekteve civile dhe përdorimin e paligjshëm të fosforit të bardhë.
Organizata ka dokumentuar përdorimin e fosforit të bardhë që në vitin 2024, duke evidentuar përdorim të gjerë në të paktën 17 zona kufitare dhe raste të paligjshme në pesë komuna. Një raport i ri në mars të këtij viti i përforcoi këto gjetje.
Sipas Kaiss, mungesa e pasojave konkrete ka kontribuar në vazhdimin e shkeljeve. Ai thekson se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare mund dhe duhet të ndërmarrin masa konkrete, përfshirë pezullimin e shitjeve dhe transferimeve të armëve dhe të ndihmës ushtarake ndaj Izraelit, si dhe rishikimin e komponentit tregtar të Marrëveshjes së Asociimit mes BE-së dhe Izraelit.
“BE-ja ka një rol për të luajtur, por deri tani nuk e ka ushtruar plotësisht”- thotë ai. Sipas tij, vendet që furnizojnë me armë Izraelin – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e BE-së – mbajnë përgjegjësi nëse ekziston rreziku që këto armë të përdoren në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
“Kur ekziston një rrezik i tillë, transferimet duhet të ndalen menjëherë”- nënvizon ai. Sa i përket situatës në terren, Kaiss e përshkruan armëpushimin në Liban si “vetëm në emër”. Që nga hyrja në fuqi e tij, janë vrarë më shumë se 1.300 persona, mbi një e treta e viktimave të regjistruara që nga 2 marsi.
Mbi 30 mjekë dhe infermierë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, në jug të vendit vazhdojnë sulmet dhe urdhrat për evakuim nga ushtria izraelite, përfshirë zona të gjera në jug të lumit Zahrani. Edhe pse Bejruti nuk është goditur, civilët dhe punonjësit shëndetësorë në jug vazhdojnë të jenë viktima të dhunës.
Sipas Kaiss, situata aktuale është pasojë e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të reaguar ndaj shkeljeve të mëparshme, përfshirë ato në Gaza. “Duhet të ketë pasoja kur shënjestrohen enkas civilët, gazetarët apo punonjësit e shëndetësisë”- thekson ai.
Mesazhi i Kaiss është i drejtpërdrejtë: aleatët e Izraelit nuk mund të qëndrojnë pasivë përballë rrezikut që armët e furnizuara prej tyre të përdoren për vrasje të paligjshme të civilëve. Pa masa konkrete dhe pa përgjegjësi reale, shkeljet rrezikojnë që të vazhdojnë. \tesheshi.com\
