RiseApp: rrjeti izraelit me 40 mijë aktivistë për luftën online

Më të lexuarat

Tel Avivi, 730 milionë dollarë për operacionet e propagandës dhe influencës ndërkombëtare

Quhet RiseApp dhe konsiderohet hallka më e fundit e makinerisë së fuqishme të propagandës që Izraeli ka ndërtuar vitet e fundit për të ndikuar opinionin publik ndërkombëtar, sidomos atë amerikan.

Në thelb, bëhet fjalë për një operacion të organizuar të “troll farming”, i menaxhuar nga ish-zyrtarë të inteligjencës izraelite dhe i mbështetur nga institucione të lidhura me qeverinë izraelite.

Sipas revistës amerikane The American Conservative, RiseApp prezantohet si një iniciativë e Reichman University, por në realitet është vazhdim i platformës Act.IL, një projekt propagande dixhitale i nisur në vitin 2017 nga Ministria Izraelite e Çështjeve Strategjike, në bashkëpunim me organizatën Israeli-American Council.

Në këtë projekt janë përfshirë figura të njohura politike dhe biznesmenë të fuqishëm pro-Izraelit. Organizata ka pasur mbështetje financiare nga miliarderë si Sheldon Adelson dhe Miriam Adelson, ndërsa në aktivitetet e saj kanë marrë pjesë si demokratë ashtu edhe republikanë amerikanë, përfshirë Donald Trump.

Sipas informacionit zyrtar, RiseApp mobilizon mbi 40 mijë aktivistë online pro-Izraelit me qëllimin e deklaruar për të luftuar “antisemitizmin” dhe “dezinformimin”. Megjithatë, platforma përdoret për të monitoruar dhe kundërshtuar zërat kritikë ndaj politikave izraelite, sidomos në lidhje me luftën në Gaza.

Platforma ofron për përdoruesit “përgjigje të verifikuara nga ekspertë” që mund të përdoren në debatet në rrjetet sociale. Por vetë universiteti e pranon se një nga objektivat e RiseApp është identifikimi i “narrativave kundërshtare” dhe alarmimi i organizatave partnere për të ndërtuar “përgjigje të targetuara”.

Kritikët e konsiderojnë këtë si një sistem të organizuar survejimi dhe koordinimi propagandistik online. Në faqen e saj, RiseApp deklaron se pas 7 tetorit komuniteti hebre është përballur me “sfida të paprecedenta” dhe me një “mbingarkesë informacioni” në internet.

Sipas platformës, shumë njerëz ndihen të shkëputur dhe të pafuqishëm përballë përmbajtjeve online, ndaj aplikacioni synon të “rilidhë dhe angazhojë komunitetet hebraike në mbarë botën”.

Mes seksioneve të aplikacionit shfaqen tema si “The Useful Idiots” (“Idiotët e dobishëm”) dhe “Genocide Claims” (“Akuzat për gjenocid”). Kjo e fundit duket e ndërtuar për t’u ofruar përdoruesve argumente të gatshme kundër akuzave për gjenocid në Gaza, të ngritura nga organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare.

Lidhjet mes platformës dhe institucioneve shtetërore izraelite janë pranuar edhe më herët nga drejtuesit e Act.IL. Në vitin 2018, drejtori i projektit, Yarden Ben-Yosef, deklaroi për Forbes Israel se platforma bashkëpunonte ngushtë me Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Çështjeve Strategjike të Izraelit.

Një vit më parë, në një intervistë për The Forward, ai kishte pranuar edhe bashkëpunimin me shërbimet izraelite të inteligjencës, duke deklaruar: “Flasim me njëri-tjetrin. Punojmë bashkë”. Act.IL ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të quajtur Concert, i organizuar nga qeveria izraelite për të luftuar kundërshtarët e Izraelit në arenën ndërkombëtare.

Ish-drejtoresha e Ministrisë së Çështjeve Strategjike, Sima Vaknin-Gil, kishte deklaruar se “paqartësia është pjesë e udhëzimeve tona”, ndërsa kishte zbuluar ekzistencën e një “njësie civile inteligjence” që monitoronte universitete, sindikata dhe organizata të tjera.

Rikthimi i platformës me emrin RiseApp vjen në një moment kur mbështetja për Izraelin në SHBA po bie ndjeshëm. Së fundmi, Knesseti izraelit miratoi buxhetin më të madh në histori për operacionet e propagandës ndërkombëtare, duke e çuar financimin në 730 milionë dollarë nga viti 2025.

Ky investim masiv tregon shqetësimin e Tel Avivit për rënien e mbështetjes publike në Perëndim dhe frikën se kjo mund të ndikojë në mbështetjen diplomatike dhe financiare që Izraeli ka gëzuar për dekada. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit