Përmbledhja e medh’hebit të Ehli Sunetit për sahabët e Profetit ﷺ, familjen e tij dhe gratë e tij

Më të lexuarat

Ibn Tejmije ka thënë:

“Prej bazave të Ehli Sunetit dhe Xhematit është:

❁ Pastërtia e zemrave dhe e gjuhëve të tyre ndaj shokëve të Muhamedit ﷺ, ashtu siç i përshkroi Allahu në fjalën e Tij:

﴿وَالَّذِينَ جَاءُوا مِنْ بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ﴾

“Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: ‘O Zoti ynë! Na fal neve dhe vëllezërit tanë që na paraprinë në iman, dhe mos vendos në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besuan. O Zoti ynë! Vërtet Ti je i Butë dhe Mëshirues.’”

Dhe bindja ndaj Profetit ﷺ në fjalën e tij:

“Mos i shani sahabët e mi! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur ndonjëri prej jush të jepte sadaka sa mali Uhud në ar, nuk do ta arrinte as një mud (masë e vogël) të njërit prej tyre, e as gjysmën e tij.” (1)

❁ Ata pranojnë atë që ka ardhur në Kuran, Sunet apo ixhma nga virtytet dhe gradat e sahabëve. Ata i japin përparësi atij që shpenzoi dhe luftoi para çlirimit (pra para marrëveshjes së Hudejbijes) ndaj atij që shpenzoi dhe luftoi pas saj.

❁ Ata i japin përparësi muhaxhirëve ndaj ensarëve dhe besojnë se Allahu u tha pjesëmarrësve të Bedrit – të cilët ishin treqind e ca veta:

“Veproni ç’të doni, sepse Unë ju kam falur.” (2)

Dhe besojnë se askush nga ata që dhanë besën nën pemë nuk do të hyjë në zjarr, ashtu siç ka njoftuar Profeti ﷺ. (3)

Madje Allahu ishte i kënaqur me ta dhe ata ishin të kënaqur me Të, dhe ata ishin më shumë se një mijë e katërqind veta. (4)

❁ Ata dëshmojnë me Xhenet për ata për të cilët ka dëshmuar Profeti ﷺ, si dhjetë të përgëzuarit me Xhenet (5), Thabit ibn Kajs ibn Shemmas (6) dhe të tjerë nga sahabët.

❁ Ata e pranojnë atë që është transmetuar në mënyrë të sigurt nga prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebi Talib رضي الله عنه dhe të tjerët, se më i miri i këtij ummeti pas Profetit të tij është Ebu Bekri, pastaj Umeri. (7)

Më pas vendosin Uthmanin të tretin dhe Aliun të katërtin رضي الله عنهم, ashtu siç tregojnë transmetimet dhe siç u pajtuan sahabët në dhënien e besës Uthmanit.

❁ Edhe pse disa prej Ehli Sunetit kishin mospajtime mes Uthmanit dhe Aliut – pas pajtimit për Ebu Bekrin dhe Umerin – se cili ishte më i mirë; disa i dhanë përparësi Uthmanit dhe heshtën, ose e vendosën Aliun të katërtin; disa i dhanë përparësi Aliut, ndërsa disa ndaluan së shprehur mendim.

❁ Mirëpo, më vonë u vendos qëndrimi i Ehli Sunetit për përparësinë e Uthmanit, edhe pse kjo çështje – çështja e Uthmanit dhe Aliut – nuk është prej bazave për të cilat shpallet i humbur kundërshtari sipas shumicës së Ehli Sunetit. Por çështja në të cilën kundërshtari shpallet i humbur është çështja e hilafetit.

Sepse ata besojnë se halifi pas të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu. Dhe kush e cenon hilafetin e ndonjërit prej këtyre imamëve, ai është më i humbur se gomari i familjes së tij.

❁ Ata e duan familjen e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i marrin për miq dhe ruajnë amanetin e Profetit ﷺ për ta, kur tha në ditën e Gadir Hummit:

“Ju përkujtoj Allahun për familjen time! Ju përkujtoj Allahun për familjen time!” (9)

Gjithashtu i tha xhaxhait të tij Abbasit, kur ai iu ankua se disa nga Kurejshët silleshin ashpër me Benu Hashimin:

“Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Ata nuk besojnë derisa t’ju duan për hir të Allahut dhe për shkak të afërsisë sime.” (10)

Dhe tha:

“Allahu e zgjodhi Ismailin, nga bijtë e Ismailit zgjodhi Kinanen, nga Kinanja zgjodhi Kurejshët, nga Kurejshët zgjodhi Benu Hashimin dhe nga Benu Hashimi më zgjodhi mua.” (11)

❁ Ata i duan gratë e të Dërguarit ﷺ, nënat e besimtarëve, dhe besojnë se ato janë gratë e tij edhe në Ahiret; veçanërisht Hatixhen, nënën e shumicës së fëmijëve të tij, e para që besoi tek ai dhe e ndihmoi në misionin e tij, e cila kishte pozitë të lartë tek ai.

Po ashtu Aishen, vajzën e Siddikut, për të cilën Profeti ﷺ tha:

“Vlera e Aishes mbi gratë e tjera është si vlera e theridit mbi ushqimet e tjera.” (12)

❁ Ata distancohen nga rruga e rafidive, të cilët i urrejnë sahabët dhe i shajnë ata; si dhe nga rruga e nasibive, të cilët e dëmtojnë familjen e Profetit me fjalë ose me vepra.”

— “El-Uasitijje”, në librin “Tawdih Mekasid el-Uasitijje”, fq. 250.

(1) E transmeton Buhariu (3673) – dhe ky është versioni i tij – dhe Muslimi (2541), nga hadithi i Ebu Seid el-Hudriut رضي الله عنه.

(2) E transmeton Buhariu (3007) dhe Muslimi (2494), nga hadithi i Ali ibn Ebi Talibit رضي الله عنه.

(3) E transmeton Muslimi (2496), nga hadithi i Xhabirit nga Ummu Mubeshshiri رضي الله عنهما.

(4) E transmeton Buhariu (4840) dhe Muslimi (1856), nga hadithi i Xhabir ibn Abdullahut رضي الله عنهما.

(5) E transmeton Ebu Davudi (4649), Tirmidhiu (3757) – dhe ka thënë: “Hasen Sahih” – Ibn Maxheh (133), e ka saktësuar Ibn Hibani (6993) dhe Ed-Dija në “El-Mukhtareh” 3/282-290, nga hadithi i Seid ibn Zejdit رضي الله عنه.

(6) E transmeton Buhariu (4846) dhe Muslimi (119), nga Enesi رضي الله عنه.

(7) E transmeton Buhariu (3671).
Ibn Tejmije ka thënë:
“Është vërtetuar nga Aliu në Sahihun e Buhariut dhe në burime të tjera, përmes rreth tetëdhjetë rrugëve transmetimi, se ai ka thënë:
‘Njeriu më i mirë i këtij ummeti pas Profetit të tij është Ebu Bekri, pastaj Umeri.’”
— “Mexhmu‘ el-Fetaua” 28/473, dhe me kuptim të ngjashëm në 4/422.

(8) Një luginë mes Mekës dhe Medinës, afër Xhuhfes.
— “Mu‘xhem el-Buldan” 2/389.

(9) E transmeton Muslimi (2408), nga hadithi i Zejd ibn Erkamit رضي الله عنه.

(10) Është transmetuar me këtë kuptim nga:
Ahmedi 1/207, Taberaniu në “El-Kebir” 11/433 dhe Hakimi 3/333, nga hadithi i Abbasit رضي الله عنه.
Po ashtu Ahmedi 4/165 dhe Tirmidhiu (3758) – i cili tha: “Hasen Sahih” – nga hadithi i Abdulmuttalib ibn Rebi‘as رضي الله عنه.

(11) E transmeton Muslimi (2276), nga hadithi i Uathile ibn el-Eska‘ رضي الله عنه.

(12) E transmeton Buhariu (3411) dhe Muslimi (2431), nga hadithi i Ebu Musa el-Esh‘ariut رضي الله عنه.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit