1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

MTI e komuna shkelin ligjin

Më të lexuarat

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë shkelur ligjin së bashku. Fillimisht iniciatorë ka qenë MTI-ja. Kjo pasi ministria ka ndërtuar dy objekte pa kërkuar leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës.

E, komuna i ka lëshuar leje disa muaj pas fillimit të ndërtimeve. Edhe pse, sipas ligjit për ndërtim Nr.2004/15, punët ndërtimore nuk mund të fillojnë para se të merret leja e ndërtimit. Gjithashtu leja e ndërtimit dhe dokumentet shoqëruese duhet të mbahen në dispozicion në vendin e ndërtimit që nga fillimi i veprimeve të ndërtimit.

Zyra e Auditorit Gjeneral (ZAP), në një auditim që i ka bërë MTI-së për vitin 2011, ka vërejtur që MTI-ja ka ndërtuar pa leje, shkruan gazeta “Lajm”.

Fillimisht behët fjalë për projektin “Ndërtimi i Objektit të Laboratorit të Industrisë Kimike” ku kontrata ishte nënshkruar më datën 29.07.2009 në shumë 1 milion e 937 mijë e 957 euro.

E, që më pastaj ZAP ka identifikuar se aktvendimi për lejimin e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit nga Komuna e Prishtinës, ishte lëshuar më datën 02.02.2012, ose 18 muaj pas fillimit të punimeve. Por, ky nuk është rasti i vetëm, pasi pak kohë më pas MTI-ja ka nisur së ndërtuari edhe një objekt tjetër pa leje në truallin e Prishtinës.

“Kontrata për “Ndërtimin e Qendrës së Panaireve” në Bernicë të Poshtme në shumë prej 3 milion e 831 mijë e 589 eurove, ishte nënshkruar më datën 09.11.2009. Aktvendimi për lejimin e ndërtimit nga Komuna e Prishtinës ishte lëshuar më datën 19.01.2012 ose 13 muaj pas fillimit të punimeve”, ka vërejtur ZAP.

Megjithëkëtë, menaxhmentit të MTI-së i është lejuar për të dhënë komente mbi draftin e raportit të ZAP-it, për t’u kundërpërgjigjur mbi të gjeturat. Por, sa i përket lejeve të ndërtimit për këto dy objekte MTI-ja nuk ka dhënë asnjë koment, ani pse në të gjeturat tjera ka paraqitur arsyetimet e veta.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka shkelur mbi vendimet që i ka nxjerr vetë, ngase ishte zotuar se, pas datës 19 gusht të datës 2010, nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi për objektet pa leje pa i përfillur disa kushte. Fillimisht, Kuvendi Komunal ka miratuar Rregulloren për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në korrik të vitit 2009. Një vit më vonë, komuna ka nisur fazën e parë të trajtimit të këtyre ndërtimeve, duke kryer incizimin satelitor të Prishtinës. Trajtimi i ndërtimeve pa leje në kryeqytet ka përfshirë disa faza.

Fazën e incizimit të terrenit, fazën e sensibilizimit të opinionit për t’u përfshirë në proces të legalizimeve, faza e aplikimit dhe, faza e fundit, ajo e shqyrtimit të aplikacioneve dhe mundësisë reale për legalizim të objekteve.

Ajo që shihet është se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë nisur të ndërtojnë pa leje, e që më pas Komuna e Prishtinës i ka dhënë leje ndërtimi pa përfillur procedurat e lartpërmendura, duke shkelur ligjin, diskriminuar ndërtuesit tjerë dhe favorizuar MTI-në./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit