Rojetarët e kufirit të dijes: amaneti i misionit, jo ftohtësia e detyrës

Më të lexuarat

Rojetarët e kufirit të dijes: amaneti i misionit, jo ftohtësia e detyrës

O prijës i dijes, të cilit Allahu ia ka ngarkuar amanetin e udhëheqjes dhe orientimit!

Dije (Allahu të dhëntë sukses) se udhëheqja shkencore është udhëheqje e shpirtrave, jo e trupave. Autoriteti i saj qëndron te madhështia dhe respekti, jo te grada; te sinqeriteti i ndikimit, jo te shkëlqimi i postit.

Udhëheqësi në institucionet e dijes nuk është thjesht një “drejtor ekzekutiv” që menaxhon letra dhe dosje; ai është një “pikë referimi metodologjike” dhe simbol ku përmblidhen tiparet e gjithë projektit. Ai është bartësi i flamurit; e kur flamuri bie, ushtria trazohet, rrugët ndahen dhe vullnetet dobësohen.

O prijës i dijes! Ti nuk përfaqëson vetëm veten tënde, por përfaqëson gjurmën e profetësisë mes njerëzve. Nëse lëkundesh, humbin ata që janë pas teje; e nëse qëndron i palëkundur, bëhesh për ta si mali i lartë nga maja e të cilit harkëtarët nuk zbresin, sado të rënda të jenë sprovat dhe sado gjatë të zgjasë koha.

Frikësoju Allahut në pozitën tënde, o ti që je ngarkuar me amanetin e kufirit të dijes! Tribunat e dijes nuk drejtohen me shpirtin e ftohtë të një detyre zyrtare, as me mendësinë e thatë administrative, as me partiakëri të urryer, as me fanatizëm të verbër. Ato drejtohen duke pastruar zemrën nga interesat personale dhe pasionet, me sinqeritet në adhurim ndaj Allahut, me shpirt amaneti, me qartësi misioni dhe me frikën e qëndrimit para Allahut të Madhëruar.

Sidomos në një kohë kur armiqtë janë vërsulur mbi umetin nga çdo anë dhe çdo ideologji; përgjegjësia bëhet më e madhe, barra më e rëndë dhe pyetja para Allahut më e frikshme. Kush del në krye të udhëheqjes së dijes në këto sprova, le ta dijë se nuk qëndron mbi një post administrativ, por mbi një kufi prej kufijve të umetit. Nëse është i aftë, le të qëndrojë dhe ta mbajë amanetin siç duhet; e nëse është i paaftë, le t’ia lëshojë vendin atij që gjen në vete forcën e udhëheqjes, urtësinë e zbatimit dhe guximin e kumtimit. Sepse qëndrimi i të paaftit në vendin e udhëheqjes është pengesë për të zotët, vrimë në murin e mbrojtjes dhe tradhti ndaj amanetit pa e kuptuar vetë.

O Allah! Bëji udhëheqësit e dijes besnikë në mbrojtjen e fesë Tënde, të sinqertë në përkrahjen e ligjit Tënd, të çliruar nga interesat e vetes së tyre. Hap me ta dyert e së mirës për umetin dhe ruaji muslimanët nga e keqja e paaftësisë, tradhtisë dhe pasioneve. Amin!

/Abdullah El Etherij/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit