Thotë i dashuri i Pejgamberit ﷺ dhe biri i të dashurit të tij, Usame bin Zejd bin Harithe:
“I Dërguari i Allahut ﷺ na dërgoi në një ekspeditë tek fisi el-Huraka nga Xhuhejna. I sulmuam herët në mëngjes dhe i thyem. Unë dhe një burrë nga ensarët ndoqëm një prej tyre. Kur e arritëm, ai tha: La ilahe il-la Allah! Ensariu u përmbajt dhe nuk e goditi, ndërsa unë e qëllova me shtizë derisa e vrava.
Kur u kthyem në Medinë, kjo arriti te Pejgamberi ﷺ dhe ai më tha: ‘O Usame, a e vrave pasi tha La ilahe il-la Allah?!’
Thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, ai e tha vetëm për t’u mbrojtur nga shpata!’ Ai tha: ‘A e vrave pasi tha La ilahe il-la Allah?!’
Vazhdoi ta përsëriste këtë, derisa dëshirova të mos isha bërë musliman para asaj dite!
Pastaj zbriti fjala e Allahut: “Mos i thoni atij që ju përshëndet me paqe: ‘Ti nuk je besimtar!’”
Mësimi i parë:
Mos gjyko për diçka që nuk e njeh plotësisht. Njerëzit mund të ecin në të njëjtën rrugë, por mes qëllimeve të tyre mund të ketë distancë sa mes qiellit dhe tokës!
Më trondit thellë ky ajet: “Dhe të dy vrapuan drejt derës, dhe ajo ia grisi këmishën nga pas.”
Jusufi (alejhi selam) dhe gruaja (Zulejha) po vraponin në të njëjtën rrugë, drejt së njëjtës derë, por Jusufi po ikte nga mëkati, ndërsa ajo po vraponte drejt tij!
Sikur ta shihje vetëm këtë skenë, pa e ditur të gjithë historinë, do të mendoje se janë njësoj! Por ti nuk e di që ai po ikte për të shpëtuar.
Prandaj, mos jeto në këtë botë si gjykatës mbi njerëzit!
Po, disa gjëra janë të qarta dhe njeriu duhet të ketë bindje, por kujto këtë: qëllimet nuk i njeh askush përveç Allahut. Vetëm Ai na sheh nga brenda ashtu siç jemi.
Mësimi i dytë:
Thotë Shiraziu (Allahu e mëshiroftë): “Një natë u zgjova për adhurim me babanë tim, ndërsa rreth nesh kishte njerëz që flinin. I thashë: ‘Asnjë nga këta nuk u ngrit të falë dy rekate!’ Ai më tha: ‘O biri im, po të kishe fjetur, do të ishte më mirë për ty sesa të merreshe me njerëzit!’”
Përmirësimi yt nuk të jep të drejtë të përçmosh të tjerët. Pastërtia e zemrës dhe përulësia me pak vepra është më e mirë se mendjemadhësia me shumë vepra!
Dije me siguri: mes teje dhe atij që bie në mëkat është vetëm mëshira e Allahut. Po të të linte Allahu me veten tënde, do të bëje të njëjtat gjëra, madje ndoshta më keq!
Dhe mendo pak: a nuk ke edhe ti mëkate që Allahu t’i ka mbuluar? Po t’i dinin njerëzit, do të binte vlera jote në sytë e tyre.
Ne të gjithë jemi më të këqij se sa dukemi, por Allahu na ka mbuluar me një mbulesë që quhet “fshehje (satr)”.
Mësimi i tretë:
Thotë Sufjan eth-Thevriu (Allahu e mëshiroftë): “U privova nga namazi i natës për pesë muaj për shkak të një mëkati.”
E pyetën: cili ishte ai? Tha: “Pashë një njeri duke u lutur e duke qarë dhe thashë me vete: ky është duke bërë syefaqësi!”
Mos u fut në qëllimet e njerëzve lëri krijesat Krijuesit!
Edhe vetë ne ngatërrohemi ndonjëherë në qëllimet tona, si mund të gjykojmë me siguri për qëllimet e të tjerëve?
Ndër gjërat më të këqija është të dyshosh në qëllimet e njerëzve të mirë!
Sheh një grua të mbuluar thotë: fsheh shëmtinë e saj! Sheh një tjetër thotë: ndoshta i janë të këqija flokët! Sheh dikë që jep sadaka thotë: po bën për sy e faqe! Sheh dikë që viziton dikë thotë: ka interes! Sheh një të ri në xhami thotë: është i çuditshëm!
Kështu bashkon dy të këqija: paaftësinë për të qenë si të mirët dhe gjykimin e tyre!
Mësimi i katërt:
Transmetohet se Pejgamberi ﷺ pa Qaben dhe tha: “Sa e madhërishme je dhe sa e madhe është shenjtëria jote, por besimtari është edhe më i shenjtë tek Allahu se ti!”
Dhe në një hadith tjetër: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, shenjtëria e besimtarit, pasuria dhe gjaku i tij, është më e madhe tek Allahu se shenjtëria jote!”
Në Sahihun e Buhariut thuhet: “Njeriu vazhdon të ketë hapësirë në fenë e tij, derisa të mos derdhë gjak të ndaluar!”
Nuk ka mëkat më të madh pas shirkut se derdhja e gjakut të pafajshëm.
Prandaj, gjëja e parë për të cilën do të gjykojë Allahu në Ditën e Gjykimit janë gjakrat.
Dhe nëse vetëvrasësi dënohet për marrjen e jetës së vet, çfarë të thuhet për atë që merr jetët e të tjerëve?
Ed-hem Shërkavij
