Paqja qoftë mbi ty, o miku im – Mos pyet si… beso në fuqinë e Allahut

Më të lexuarat

Ndoshta tani po i thua vetes: Si do ma kthejë Allahu të drejtën time?
Ose ndoshta, më i zemëruar, ke thënë: Si do të marrë Allahu hak për mua?

Ti tani po sheh vetëm shkaqet, dhe gjithçka para teje duket e ndërlikuar e e vështirë.

O miku im,
Mos mendo për vështirësinë e rrethanës sate,
por mendo për fuqinë e Zotit që e thërret!

Që kur ne e pyesim Allahun si?
“Si”-ja i përket vetëm Allahut.

Ne e lusim Atë vetëm me bindje të plotë.

Sa për rregullimin e betejës
dhe armën e hakmarrjes,
kjo është çështje e Zotit të Plotfuqishëm,
i Cili i rregullon me urtësinë e Tij.

Allahu gjithmonë na mahnit me armën që zgjedh për betejën.

Kur Nuhu (paqja qoftë mbi të) ngriti duart drejt qiellit duke thënë:

“Unë jam i mposhtur, andaj më ndihmo!”

nuk i shkonte ndër mend se ndihma dhe hakmarrja e Allahut
do të ishte kaq tronditëse e madhërishme.

Ndoshta më e shumta që priste
ishte që Allahu t’i shkatërronte me një goditje ose me një britmë.

Askush, as në tokë e as në qiell,
nuk do ta mendonte se uji do të ishte arma e asaj beteje!

Arma që Allahu zgjodhi për t’i dhënë fitore robit të Tij të shtypur.

Qielli u urdhërua të derdhte shiun,
toka të nxirrte ujin e saj,
detet të vërshonin…

dhe toka u përmbyt derisa nuk mbeti strehim nga urdhri i Allahut, veçse te Allahu.

Tregimet e Kuranit nuk janë për argëtim, o miku im.
Ato janë besim dhe mësime në iman.

I shtypuri vetëm e ngre ankesën e tij.

Sa për detajet e betejës dhe armën e saj,
kjo i takon Atij që rregullon çdo gjë me urtësi.

O miku im,

Po të kishe jetuar në kohën e Nemrudit,
ta shihje si urdhëronte njerëzit t’i bënin sexhde,
dhe si debatonte me Ibrahimin (paqja qoftë mbi të) me pafytyrësi duke thënë:

“Unë jap jetë dhe vdekje!”

ndoshta do pyesje veten me habi:

Si do ta ndryshojë Allahu gjithë këtë?

Çfarë arme shkatërruese do zgjedhë Allahu për ta poshtëruar këtë tiran?

Dhe kurrë nuk do të të shkonte ndër mend
se Allahu do të dërgonte një ushtar të vetëm nga ushtria e Tij—

një krijesë aq të vogël sa mezi shihet:

një mushkonjë!

Po, vetëm një mushkonjë,
që hyri në hundën e tij dhe iu vendos në tru,

derisa nuk qetësohej veçse kur ata që dikur i bënin sexhde,
e godisnin në kokë me këpucë!

Kështu, në mënyra mahnitëse, Allahu i rregullon çështjet.

O miku im,

Po ta kishe parë çastin kur Ibrahimi (paqja qoftë mbi të)
u vendos në katapultë për t’u hedhur në zjarr,

ndoshta do mendoje:

“Allahu do ta shuajë zjarrin me ujë nga qielli.”

Kjo do të ishte zgjidhje po të digjte zjarri me vullnetin e vet.

Por zjarri nuk djeg veçse me urdhrin e Zotit.

Dhe erdhi urdhri:

“Bëhu i ftohtë dhe paqe.”
Dhe ashtu u bë.

Allahu, nëse dëshiron, i ndryshon vetitë e gjërave.

Thika e mprehtë nuk e theri Ismailin (paqja qoftë mbi të).

Balena grabitqare nuk e hëngri Junusin (paqja qoftë mbi të), megjithëse e gëlltiti.

Gjithçka në këtë univers vepron me urdhrin e Allahut.

Prandaj mos u ndal te shkaqet…

Qëndro me Zotin e shkaqeve,
Ai të mjafton për barrën e tyre.

Paqe zemrës sate.

Ed-hem Sherkavij

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit