Shumë pluhur qohet e shumë fjalë thurren për të ashtuquajturën lëvizje islame fundamentaliste shqiptare. Gazetarët në vend se ta kenë vëmendjen e tyre tek çështjet esenciale që e preokupojnë popullin shqiptarë, mundohen që të shkaktojnë huti në opinion kinse Kosova dhe gjithë shqiptarët rrezikohen nga fundamentalizmi islamik. Kësaj rradhe kanë edhe motiv më të fortë: luftën e quajtur kundër terrorizmit që e zhvillon faktori ndërkombëtarë. Po them kësaj rradhe sepse nuk është hera e parë që qohet pluhur tek ne për këtë fenomen, që në realitet është shfaqur vetëm në fantazitë dhe imagjinatën personale të gazetarëve dhe “studiuesve” të shumtë që shkruajnë për këtë temë. Shkrimet që janë hasur në këtë tematikë nuk janë të karakterit studimor por janë shkrime përplot me mashtrime, argumente qesharake, imagjinata, lojëra me fjalë, por, të thurrura me mjeshtri në mënyrë që të helmohet koka e lexuesit me propagandat e tyre të kota. Ende nuk kam hasur në ndonjë studim të mirëfilltë dhe në ndonjë pikëpamje e drejtë rreth kësaj çështje. Është konsultuar çdokush, përveç literaturës islame, fe e cila sulmohet më së shumti në këto shkrime për kinse agresivitet dhe jotolerancë ndaj të tjerëve.
***
Vehabizmi si lëvizje nuk ekziston e as që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë islame. Nuk ka fakte që mbështesin idenë se ka pasur një grup njerëzish që emërtoheshin si vehabi dhe kanë bërë “reforma” në fenë islame.
Muhammed ibnul Abdulvehhabi ka qenë një dijetar që ka jetuar në territorin e Arabisë Saudite të sotme para dy shekujve. Ai ka qenë rigoroz ndaj sekteve të shumta që ishin paraqitur te muslimanët dhe ka kundërshtuar me vendosmëri idhujtarinë që e kishte gjetur vendin edhe në Qabe. Ai dëshironte të reformonte muslimanët e jo Islamin. E reforma e tij konsistonte në atë se muslimanët duhet t’i përqafojnë idetë e pastra të Ehli Synetit (që është drejtimi zyrtar i Islamit në tërë botën), e të largohen nga risitë që i kishin shpifur në fe qëllimkëqinjtë.
Për t’i realizuar qëllimet e veta ai përdori edhe forcën e shpatës të cilën ia ofruan disa fise arabe, e prej tyre më të shquarit ishin fisi Al Saud. Ata qëndruan me Muhammed ibnul Abdulvehhabin deri në fund dhe e vazhduan përpjekjet edhe pas vdekjes së tij. Pas tri përpjekjeve të armatosura ata themeluan shtetin që më vonë u quajt Mbretëria e Arabisë Saudite, në krye me mbretin që vinte nga fisi Al Saud. Ndërsa muftijtë mbretëror që kanë rol shumë të rëndësishëm në shtet, shumica vinin nga familja e Abdulvehhabit që sot quhet familja Al Shejh.
Ndërsa termi vehabi u përdor në literaturën angleze, si emër për ta identifikuar lëvizjen që e kishte filluar Abdulvehhabi. Më vonë këtë term e përvetësoi edhe Perandoria Osmane kundër së cilës luftoi Abdulvehhabi.
Fjala “Vehhab” është një prej emrave të Allahut, që domethënë “Dhurues i Madh”, e faktikisht nëse dikujt i themi vehabi atëherë ajo fjalë ka domethënie “ithtar i Allahut, Dhuruesit të Madh”. Pra emërtimi me këtë term nuk ka të bëjë me sekt të posaqëm, por anglezët për qëllime të veta e përdorën për identifikimin e levizjes.
Pra, qëllimi i këtyre reformave ishte kthimi i muslimanëve në fenë e pastër dhe të drejtë nga e cila kishin devijuar, e jo ajo që pretendohet nga disa autorë në shkrimet e tyre. Ata thonë se vehabizmi kërkon kthimin dhe nënshtrimin ndaj traditave arabe, duke e konsideruar shkurtimin e pantolloneve dhe rritjen e mjekrrave si traditë arabe. Por, kjo nuk ka të bëjë aspak me realitetin sepse arabët nuk veshin pantollona fare, e veshja e tyre kombëtare është fustani i quajtur “Xhelabije” ose “Theub”. Shkurtimi i rrobeve për meshkujt është obligim në islam, por që nuk e kanë përvetësuar të gjithë muslimanët, disa sepse janë të dobët në besim e disa prej tyre e konsiderojnë si sekondare. Ndërsa rritja e mjekrrave pranohet nga të gjithë muslimanët dhe dihet me siguri se ajo është traditë e Pejgamberit të fundit Muhammedit paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të. Por, kundërshtimi është në madhësi, e argumentet çojnë në përfundim se tradita profetike ka qenë rritja e mjekrrës në gjatësinë sa përshkohet nga një grusht.
***
Djemtë dhe vajzat që i ndjekin me përpikëri rregullat e Islamit, nuk janë aspak rrezik për askend në Kosovë. Ata janë njerëz të zakonshëm që janë të integruar plotësisht në rrjedhat e popullit shqiptarë. Kanë mentalitet plotësisht shqiptarë dhe nuk dallojnë shumë nga pjesa e popullsisë që vishet ndryshe nga ata.
Historikisht muslimanët sunni shqiptarë nuk kanë qenë të ndikuar nga asnjë shtet i huaj, sa i përket veprimtarisë politike. Veprimtaria politike e shtresës që e ka praktikuar Islamin ka qenë në përputhje me interesat kombëtare shqiptare. Por, ndikimi nga shtetet arabe e turke mund të vërehet vetëm në aspektin fetar. Kështu që studentët që shkollohen jashtë, sjellin me vete mendimet dhe idetë e dijetarëve islamë të shteteve në të cilat shkollohen. Ato ide lidhen me Islamin e jo me politikën e atij shteti, pasiqë asnjë shtet arab apo islam nuk ka interes tjetër në viset shqiptare jashta të mirës së popullit shqiptarë këtu.
Sa i përket disa shteteve që banohen me muslimanë por sundohen nga regjime socialiste siç janë Iraku, Libia, Siria, Tunizia e disa shtete tjera që nuk kanë pasur qëndrim të drejtë ndaj çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare, për këtë nuk mund të fajësohet Islami. Për këtë janë përgjegjës pushtetarët dhe duhet të jemi të bindur se populli i këtyre vendeve nuk i ka votuar këta veçse me dhunë. Ato shtete sundohen nga diktatura e jo nga populli dhe nuk kanë ligj të Sheriatit, por ligje që e kundërshtojnë Islamin.
Lidhja e muslimanëve shqiptarë me këto shtete që u përmendëm është i gabuar. Pse?
Lidhja me Iranin as që mund të paramendohet, pasiqë muslimanët shqiptarë janë 90% sunni, drejtim që kundërshton ashpër drejtimin shiit, drejtim zyrtar i Iranit.
Lidhja me Libinë, Irakun e vendet tjera që sundohen nga diktaturat socialiste prapë është i gabuar sepse Islami nuk është socializëm dhe se diktatorët e tipit të Sadamit e Gadafit konsiderohen prej kundërshtarëve të mëdhenj të Islamit. Ata për qëllime të veta politike po mundohen ta identifikojnë veten me muslimanët dhe Islamin, por, kjo është vetëm një maskë politike e tyre për të qëndruar më shumë në pushtet.
Derisa djemtë me mjekrra dhe vashat me shamia, nuk janë nën ndikim të huaj politik, atëhere nuk mund të jenë aspak rrezik për vendin tonë. Përkundrazi janë njerëz që respektojnë ligjet, janë të disiplinuar dhe janë qytetarë të ndershëm të atdheut tonë. Çdo sulm në media, me çfarëdo forme qoftë do të ndikojë negativisht të të gjithë muslimanët (edhe te ata që nuk e praktikojnë), e unë e shprehi frikën se ndoshta do të vijmë te ndonjë situatë e palakmuar dhe se durimi që po e bën kjo shtresë e popullsisë ndaj propagandës së mediave do të përfundojë. E atëherë do të prishet imazhi ynë në të gjithë botën e fajtorë e përgjegjës për këtë do të jenë gazetarët e analistët e papërgjegjshëm.
Lulëzim Blaka
Pejë Kosovë
