Çfarë është fermani dhe si funksiononte në Perandorinë Osmane?

Më të lexuarat

Ferman do të thotë urdhër.
Flet Kujtim Nuro, specialist për fondin osman në Arkivin Qendror të Shtetit.
Fermanet i nxirrte vetëm Sulltani.
Porta e Lartë ka patur një sistem të shkëlqyer kancelarie me rregulla fikse e të detyrueshme për të gjithë. Jo vetëm fermanet, por çdo shkresë ruhej me fanatizëm si gjëja më e shenjtë. Ato i merrnin kadinjtë (gjykatësit). Çdo ferman varej në torbë dhe qëndronte i varur në torbë deri sa të vinte tjetri. Sapo vinte një ferman, ai regjistrohej. Kur Sulltani niste një ferman, ai shoqërohej me karvan, sepse nuk mund t’i jepej një njeriu të vetëm, sado i besuar që të ishte. Në eskortën e shoqërimit do të kishte doemos edhe një nëpunës të Portës së Lartë. Fermani nuk ishte si çdo shkresë tjetër. Kur mbërrinte fermani në destinacion, dorëzimi dhe leximi i tij ishte tepër emocional. Ai lexohej me protokoll. Në këtë protokoll bënte pjesë Veliu, Kadiu, Myftiu, sekretarët e tjerë. Pasi lexohej, regjistrohej nga Kadiu: kush e solli, kush e mori, data, ora, viti, të pranishmit etj. Nëse fermani i drejtohej një njeriu të vetëm, atëherë i dorëzohej atij. Në darkë futej në torbë dhe varej në mur, për aq kohë sa e shihte të nevojshme Kadiu. Më pas futej në arkë dhe arkivohej.
Po kush e shkruante fermanin, Sulltani?
Jo! Fermanet kanë një lloj shkrimi të veçantë. Ai quhet “shkrim divani”, d.m.th. shkrim perandorak.
Në administratën e Lartë Osmane janë përdorur 16 lloje shkrimesh. Shkrimi “divan” është njëri prej tyre. Për vendimet gjyqësore përdoret një lloj shkrimi, për financat një tjetër, për kadastrat një tjetër e kështu me radhë. Shkrimi “divan” që përdorej për fermanet ishte më i vështiri. Ai kërkonte art në të shkruar e zbukurime të shumta.
Fermanet shkruheshin nga ekspertët më të mirë në fushën e bukurshkrimit. Ata ishin jo vetëm më të besuarit e Sulltanit, por edhe specialistët më të zotë në fushën administrative. Nëse një shkrues ishte i mirë, pavarësisht nga feja, ai nuk hiqej nga detyra. Në Shkodër p.sh. kishte shumë katolikë. Ata ishin shkrues shumë të mirë. Ka shkresa të veçanta nga vezirët e Portës së Lartë, të cilët me porosi të Sulltanit urdhëronin Veliun e Shkodrës që sekretarët e krishterë të mos hiqeshin nga puna.
Në krye të çdo fermani qëndron vula ose targa e Sulltanit. Çdo Sulltan kishte stemën e vet, ku shënohej viti dhe emri i tij. Kjo nënkupton firmën e Sulltanit. Poshtë stemës vjen teksti me tre paragrafë. Në paragrafin e parë renditen eloxhet. Ato janë të gjata. Kjo është karakteristike e Portës së Lartë, e cila ruhet edhe sot e kësaj dite në administratën turke. Në paragrafin e dytë vjen thelbi, çështja kryesore dhe vendimi. Në fund formula: “ky ferman të zbatohet menjëherë dhe i përket vetëm atij që e ka nxjerrë”. Kjo nënkupton se ai është i padiskutueshëm nga askush. Fermanet nuk kanë firmën e Sulltanit, pasi stema nënkupton edhe firmën e tij. Fermanet kanë qenë akte administrative me pasoja juridike, prandaj prezantoheshin dhe regjistroheshin nga Kadiu.
Zoti Kujtim Nuro, në përfundim të ligjëratës së tij për fermanet origjinale që ndodhen në Shqipëri, thekson: “fermanet janë dokumente të rralla. Ata janë unikale dhe nuk mund t’i gjesh në vend tjetër, as në Stamboll. Fermanet bëheshin zakonisht në një kopje të vetme dhe në administratën perandorake vetëm sa regjistroheshin dhe niseshin menjëherë për në destinacion. Pavarësisht nga karakteri i tyre, fermanet që ndodhen në AQSH kanë karakter historik për Shqipërinë.”

(“Shekulli”, 28.04.2002)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit