Si shpjegohet që “anti-islamikët” ose “islamofobët”, urrejtjen e tyre më të thellë, të formuluar thjesht e troç, e shprehin në një gjuhë raciste etno-kulturore, karshi Islamit dhe myslimanëve, duke e lidhur gjithmonë me turkun, arabin, aziatikun apo afrikanin, pra, me joevropianin?
Si është e mundur, që nga këta të krishterë, qytetërimi i sotëm Perëndimor i njeriut të bardhë, shihet si qytetërimi më i lartë i prodhuar ndonjëherë në histori dhe si përfundimtari i zhvillimit njerëzor, ndërkohë që ai sot është shumë më larg mësimeve të Krishtit sesa ka qenë dikur?
Vetë Krishterimi në mësimet e tij nuk e përligj racizmin, atëherë si është e mundur që urrejtja fetare ndaj myslimanit plekset kaq fort me racizmin dhe supremacinë e bardhë evropiane edhe te mjaft prej atyre që e mbajnë veten për të krishterë?
Në optikën perëndimore myslimani shpesh shihet si i prapambetur, i pisët, i ulët, i paqytetëruar, përjetësisht i egër, jo thjesht për shkak të fesë së tij, por të origjinës racore të popujve ku shtrihet më së shumti kjo fe. Ndërkohë, i bardhi, superiori, i zhvilluari dhe përjetësisht më i qytetëruari, është i krishterë evropian apo laik, ndaj përqafimi i Islamit si fe, shihet edhe si tradhti ndaj racës dhe përkatësisë etnokulturore, sepse Krishterimi është ngjizur, sipas tyre, përjetësisht me identitetin e bardhë evropian, ndërsa Islami me atë lindor aziatik apo edhe afrikan.
Kështu që vetvetiu myslimani evropian, ku futet edhe shqiptari mysliman, shihet afërmendsh si qenie inferiore apo si pasardhës i ndonjë gjeni aziatik, që përmes të qenit mysliman ruan origjinën e identitetit të tij etnik joevropian!
Nisur pikërisht nga kjo qasje raciste, këndvështrimi që imagjinohet dhe projektohet se myslimani ka ndaj Perëndimit, është ai i urrejtjes që buron nga smira e inferiorit me ngjyrë ndaj të bardhit superior, e të prapambeturit ndaj të zhvilluarit, e të varfrit ndaj të pasurit, e të egrit ndaj të qytetëruarit, e skllavit ndaj zotërisë, e aziatikut ndaj evropianit.
Kështu pra, ata kanë krijuar jo vetëm imagjinatën e tyre për myslimanët, por edhe imagjinatën e myslimanëve për ta!
Nuk ka nevojë të na thotë dikush se nuk janë të gjithë kështu dhe se qasja është shumë më komplekse sot etj… sepse sigurisht që i njohim dhe i kemi të qarta, por ndërkohë, kjo është qasja mesjetare dhe moderne, ndërsa ndryshimi dhe kompleksiteti i sotëm postmodern është shumë i vonshëm dhe jo gjithëpërfshirës.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
