Pas kërcënimit të tij për “zhdukjen e qytetërimit”… a po e zbaton Trump “doktrinën Dahiya” në Iran?

Më të lexuarat

“Trump pretendoi se lufta e tij kundër Iranit synon të vendosë paqen, por i vuri asaj një emër që sugjeron hakmarrje, dëshirë për vrasje dhe shkatërrim.”

Më 1 mars, pas kalimit të 36 orëve nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, presidenti amerikan Donald Trump iu drejtua popullit të tij duke njoftuar vrasjen e Udhëheqësit Suprem iranian Ali Khamenei, dhe duke u mburrur me atë që e konsideroi fitore të Uashingtonit. Entuziazmi i tij shkoi deri aty sa të vinte bast se lufta e tij e ndezur dhe vrasja e Udhëheqësit Suprem do të çonin patjetër në një kryengritje popullore në Teheran, me të cilën do të shembej regjimi i krijuar pas revolucionit të vitit 1979, duke hapur rrugën për themelimin e një regjimi të ri sipas standardeve të Uashingtonit. Me të njëjtin ton përçmues foli edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke i bërë thirrje popullit iranian të dilte masivisht në rrugë për të marrë kontrollin e vendit.

Trump e promovoi fushatën e tij ushtarake javë para luftës si një fushatë “morale”, me synim “çlirimin e popullit iranian” dhe shpëtimin e tij. Madje, sulmet që ndezën të gjithë Lindjen e Mesme i paraqiti me shkëlqim të rremë, duke pretenduar se ishin “luftë për vendosjen e paqes”. Por, në një kundërthënie të qartë, Trump zgjodhi për luftën një emër që të jep përshtypjen e hakmarrjes dhe dëshirës për vrasje e shkatërrim: “Zemërimi Epik”, duke e përshkruar atë si një nga sulmet më të dhunshme dhe më të egra që ka parë bota. Këtë e tha në fjalimin e mbajtur nga resorti i tij luksoz Mar-a-Lago në shtetin e Floridës.

Lexo gjithashtu
• Muhamed Baker Dhul-Qadr… arkitekti i shtetit të sigurisë iraniane përballë “tërmetit”
• Vrasësi “Gotham”… inteligjenca artificiale që drejton luftën kundër Iranit

Që nga dita e parë e luftës, deklaratat e presidentit amerikan bartnin një ton të qartë triumfi. Në një grumbullim të republikanëve në klubin privat të golfit të Trumpit në Florida, më 9 mars, ai e përshkroi luftën kundër Iranit si “një shëtitje të shkurtër” për të hequr qafe disa persona. Në një deklaratë për rrjetin “CBS News”, ai pretendoi se Shtetet e Bashkuara kishin arritur tashmë shumë fitore, duke i qetësuar amerikanët se lufta ishte pranë përfundimit.

Por ajo që Donald Trump e konsideroi thjesht një shëtitje të shpejtë, shumë shpejt u dëshmua si një dështim i rëndë i strategjisë së vendosjes së shpejtë. Shkrimtari britanik Simon Tisdall e përshkroi këtë si vazhdim të zinxhirit të luftërave të humbura të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan. Pavarësisht epërsisë ushtarake, administrata amerikane nuk arriti ta vlerësonte siç duhet aftësinë reale të Iranit për t’u kundërpërgjigjur dhe për të qëndruar, as të parashikonte pasojat ku do të çonte lufta, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe dëmin e madh që iu shkaktua ekonomisë botërore.

“Ajo që Donald Trump e konsideroi vetëm një shëtitje të shpejtë, shumë shpejt u shndërrua në një dështim të rëndë të strategjisë së vendosjes së shpejtë.”

Në këtë panoramë të mjegullt, Trump sot qëndron i lëkundur dhe i paaftë për ta ndalur luftën që e ndezi bashkë me aleatin e tij Netanyahu. Në kushtet e pasigurisë politike dhe mungesës së një harte të qartë për arritjen e objektivave të luftës, nuk është çudi që të dalë në pah strategjia tradicionale ushtarake izraelite, e cila dhunën shkatërruese e ka kthyer në doktrinë. Kjo shfaqet në shënjestrimin e shkollave, xhamive, stacioneve të energjisë dhe ujit, si zbatim i doktrinës Dahiya, e cila e merr shkatërrimin e infrastrukturës civile dhe vrasjen e numrit sa më të madh të civilëve si taktikë ushtarake për të ndryshuar balancat e luftës.

Disa analistë e kanë konsideruar këtë strategji si një “plan alternativ”, të vetmin që Trumpi dhe Netanyahu mund të kenë në dorë nëse bien dakord për vazhdimin e luftës pas dështimit të bastit fillestar, që ishte rrëzimi i regjimit me një goditje ajrore të shpejtë dhe vendimtare.

Kurthi i “prerjes së kokës”

Në luftërat dhe konfliktet bashkëkohore ndërkombëtare, ekziston një bindje e rrënjosur se shënjestrimi i qendrave të vendimmarrjes çon në çrregullimin e kundërshtarit dhe në paralizimin e sistemit të menaxhimit të konfliktit, aq sa udhëheqja të mos jetë më në gjendje të kontrollojë terrenin e betejës. Kjo qasje operative njihet si strategjia e “prerjes së kokës” dhe synon neutralizimin e aftësisë ushtarake të kundërshtarëve përmes sulmeve të sakta për eliminimin e udhëheqësve të lartë; e nganjëherë i gjithë sistemi mund të shembet si pasojë e shënjestrimit të kreut të pushtetit.

Ky ishte basti amerikan që Trumpi e humbi. Supozohej se shënjestrimi i Khameneit dhe vrasja e një grupi udhëheqësish ushtarakë e të sigurisë do të shkaktonin çarje në sistemin politik në Teheran, qoftë përmes përçarjeve të brendshme, qoftë si pasojë e shpërthimit të trazirave dhe protestave popullore në rrugë.

Por lufta nuk eci sipas planit amerikan. Regjimi iranian arriti t’i përthithte goditjet, rifitoi ekuilibrin e tij brenda pak orësh, dhe Garda Revolucionare organizoi kundërpërgjigje ushtarake që përfshinë sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, si dhe përdorimin e gjeografisë së Ngushticës së Hormuzit si kartë presioni strategjik. Përmes kësaj ngushtice kalon një e katërta e tregtisë botërore të naftës që transportohet me rrugë detare, gjë që çoi në rritjen globale të çmimeve të energjisë dhe shkaktoi kriza ekonomike në shumë vende.

“Si Trumpi ashtu edhe Netanyahu shpërfillën strukturën institucionale të pushtetit në Teheran dhe u sollën me të sikur të ishte një kopje e dytë, e lehtë për t’u rrëzuar, e Venezuelës.”

Objektivat e luftës aktuale e kanë tejkaluar prej kohësh idenë e “shkatërrimit të projektit bërthamor iranian”, që nga qershori i kaluar, pasi Amerika i dha goditje të rënda objekteve bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan. Konflikti u shndërrua kështu në një betejë kundër vetë regjimit iranian, me synim rrëzimin e tij. Prandaj nuk është çudi që qëndrueshmëria e regjimit dhe hezitimi i iranianëve për t’iu bindur thirrjeve të Uashingtonit dhe Tel Avivit që të dilnin në rrugë e të protestonin nën bombardime, u shndërruan në një tronditje për presidentin amerikan dhe aleatin e tij Netanyahu, duke shembur ëndrrat e tyre për rrëzimin e regjimit iranian nga ajri.

Paul Rogers, profesor emeritus i Studimeve të Paqes në Universitetin britanik të Bradfordit, e përshkruan ndjeshmërinë e situatës së tensionuar rajonale si një “kurth strategjik” që Netanyahu ia ngriti dhe Amerika ra në të. Sipas tij, çdo rezultat që nuk përfundon me këtë fitore të kurorëzuar me rrëzimin e regjimit në Teheran do t’i dëmtojë pozitën globale Shteteve të Bashkuara dhe do t’i fusë ato në një moçal lufte pa asnjë fund të qartë në horizont.

Trumpi dhe Netanyahu e shpërfillën strukturën institucionale të pushtetit në Teheran dhe, pa ndonjë angazhim serioz për ta studiuar natyrën e tij të ndërlikuar, u sollën me Teheranin si me një version të dytë e të lehtë të Venezuelës, duke menduar se i gjithë projekti politik sillet rreth figurës së udhëheqësit. Pikërisht prej këtu lindi basti për të goditur majën e piramidës politike, me bindjen se kjo do të sillte pasoja politike që tejkalojnë vetë operacionin ushtarak. Lufta, që tashmë ka hyrë në javën e saj të gjashtë, tregoi se ky ishte një gabim i rëndë në vlerësim.

Struktura e regjimit iranian mbështetet në një rrjet të gjerë institucionesh dhe strukturash drejtuese, ku qendrat e forcës dhe të vendimmarrjes janë të shpërndara në mënyrë që njihet si “mbrojtja mozaike” (Shutterstock).

Edhe pse strategjia e prerjes së kokës konsiderohet efektive kur përdoret kundër organizatave dhe regjimeve që përqendrohen rreth një udhëheqjeje të vetme, rezultatet e saj nuk janë të garantuara kur përdoret kundër regjimeve institucionale të degëzuara, të cilat zakonisht arrijnë t’i përthithin goditjet dhe të rindërtojnë udhëheqjen e tyre me shpejtësi relative. Regjimi iranian e ka ndërtuar doktrinën e tij mbrojtëse mbi një rrjet të gjerë institucionesh dhe strukturash drejtuese, ku qendrat e forcës dhe vendimmarrjes janë të shpërndara në njësi të vogla e të shumta, në vend që të përqendrohen rreth një qendre të vetme force në majën e pushtetit. Kjo strukturë e ndërlikuar, e aftë të kapërcejë goditjet, njihet si “mbrojtja mozaike”.

“Regjimi politik iranian u themelua si një strukturë e dyfishtë e ndërlikuar, ku ndërthuren institucionet moderne kushtetuese me institucione fetare revolucionare që zotërojnë ndikim të gjerë politik.”

Pas revolucionit të vitit 1979 në Teheran, sistemi politik u ndërtua si një strukturë e dyfishtë e ndërlikuar, në të cilën ndërthuren institucionet moderne kushtetuese me institucione fetare revolucionare që fitojnë ndikim të gjerë politik, duke sjellë kështu një sistem të ndërlikuar qeverisjeje. Në këtë kontekst, bie në sy roli i Gardës Revolucionare iraniane, e cila luan një rol qendror brenda kësaj strukture dhe nga radhët e saj dalin 32 komanda rajonale, secila prej të cilave ka rezervën e vet të pavarur të armëve, raketave dhe dronëve.

Megjithëse Udhëheqësi Suprem zë një vend të spikatur në zemër të kësaj strukture institucionale si referenca më e lartë e regjimit, pushteti real është i shpërndarë mes një sërë institucionesh si Këshilli i Gardianëve, Asambleja e Ekspertëve, Këshilli për Përcaktimin e Interesit të Sistemit, si dhe qeveria e zgjedhur dhe parlamenti. Për këtë arsye, regjimi nuk mund të reduktohet në pushtetin e një individi të izoluar, gjë që e bën strategjinë e “prerjes së kokës” me efektshmëri të kufizuar përballë sistemit të ndërlikuar institucional në Teheran.

Garda Revolucionare iraniane është institucioni më i rëndësishëm ushtarak në Teheran dhe prej saj varen 32 komanda rajonale (Reuters).

Plani “B”… doktrina Dahiya

Në vitin 2008, në një intervistë për gazetën Yedioth Ahronoth, gjenerali izraelit Gadi Eizenkot, atëherë komandant i rajonit verior ushtarak dhe më vonë shef shtabi, tha: “Ajo që ndodhi në periferinë jugore të Bejrutit gjatë Luftës së Dytë të Libanit në vitin 2006, do të ndodhë në çdo fshat nga ku qëllohet kundër Izraelit. Kundër tij do të përdorim forcë joproporcionale dhe do të shkaktojmë dëme e shkatërrime të mëdha.”

Me këto fjalë mund të përmblidhet kuptimi i “doktrinës Dahiya”, qasja ushtarake që Izraeli e ka përqafuar në luftërat e tij që nga viti 2006 e deri më sot. Raportet dhe analizat ushtarake tregojnë se ajo pothuajse është shndërruar në shprehje të të gjithë politikës së sigurisë së Izraelit dhe jo thjesht në një taktikë të përkohshme ushtarake.

Kjo doktrinë mori emrin nga lagjja periferike jugore e Bejrutit, pasi u zbatua për herë të parë në luftën e korrikut që Izraeli zhvilloi kundër Libanit më 2006. Gjatë 33 ditëve, sulmet ajrore izraelite rrafshuan të gjithë zonën, shkatërruan shkolla, shtëpi dhe spitale, si dhe goditën infrastrukturën civile, duke përfshirë aeroporte, stacione uji dhe energjie, si dhe rrjetet e kanalizimeve. Si pasojë, humbën jetën 1000 libanezë dhe u zhvendosën 900 mijë të tjerë.

“Thelbi i doktrinës Dahiya qëndron në zhveshjen e qyteteve dhe lagjeve nga karakteri i tyre civil, për t’i trajtuar sikur të ishin objektiva ushtarake në një fushëbetejë të hapur.”

Siç shihet qartë, thelbi i doktrinës Dahiya është t’ua heqë qyteteve dhe lagjeve statusin civil, në mënyrë që të trajtohen si objektiva ushtarake në një luftë të hapur, pa bërë dallim mes civilëve dhe ushtarakëve. Kjo bëhet përmes dy elementeve kryesore: përdorimit të forcës së tepruar të zjarrit për të shkaktuar shkatërrim dhe vdekje të mëdha në infrastrukturë, si dhe ndëshkimit të civilëve, sepse shteti okupues beson se të dy këta elementë krijojnë një mjedis mbështetës për forcat e rezistencës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit sionist, ato konsiderohen objektiva të ligjshme ushtarake, ndonëse kjo është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe klasifikohet si krim lufte.

Kjo strategji na kujton një nga parimet themelore izraelite që nga krijimi i shtetit, parimin e “murit të hekurt”, të cilin e formuloi lideri sionist Ze’ev Jabotinsky në dy artikuj që u bënë gur themeli për kuptimin e teorisë së sigurisë në Izrael. Jabotinsky besonte se vetëm forca ushtarake dërrmuese mund të vendosë një mur të hekurt që popullsia arabe nuk mund ta depërtojë. Mbi këtë bazë, themeluesit e parë të Izraelit, si kryeministri David Ben-Gurion, ndërtuan një teori sigurie sipas së cilës “vendosmëria ushtarake në çdo raund lufte është e domosdoshme”, me pretendimin se parandalimi i grumbulluar përfundimisht kthehet në një mur të hekurt që e imponon dorëzimin si përfundim të pashmangshëm për kundërshtarët e Izraelit.

Mendimtari i ndjerë jordanez Ahmad Said Nofal, ish-kryetar i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Yarmouk, e trajtoi doktrinën Dahiya në librin e tij “Beteja e Gazës: një transformim strategjik në betejën me Izraelin”, duke e konsideruar atë shprehjen më të qartë të thelbit të shtetit izraelit. Mund ta shohim qartë se si kjo doktrinë u shfaq haptazi në luftën gjenocidale që Izraeli zhvilloi për më shumë se dy vjet kundër Rripit të Gazës, të uritur dhe të rrethuar, duke filluar nga tetori 2023, me synim shkaktimin e një tronditjeje kolektive afatgjatë, edhe nëse kjo kërkonte zhdukjen e lagjeve të tëra të banimit.

“Netanyahu po e shtyn aleatin e tij amerikan Trump të përqafojë planin e tij shkatërrues pas dështimit të planit të vendosjes së shpejtë përmes prerjes së kokës.”

Ditët e fundit, ky skenar po përsëritet me pamjet e bombardimeve të ashpra izraelite në jug të Libanit, të cilat kanë shkaktuar shpërnguljen e qindra mijëra libanezëve për herë të dytë brenda dy vjetësh, për t’u shpëtuar sulmeve ajrore të pandërprera. Tel Avivi u ka drejtuar paralajmërime për evakuim shumicës së fshatrave libaneze në veri të lumit Litani, gjë që ekspertët ushtarakë e shohin si dëshmi se Izraeli po e rivë në zbatim strategjinë e tij shkatërruese në jug të Libanit, me synim t’i japë goditje të rënda bazës popullore të Hezbollahut, si pjesë e përshkallëzimit më të gjerë rajonal, paralelisht me luftën kundër Iranit.

Lexo më shumë

Këto hamendësime nuk kufizohen vetëm në frontin libanez, por tregojnë se Netanyahu mund ta shtyjë aleatin e tij amerikan Trump të përqafojë strategjinë e tij shkatërruese si një nga opsionet ushtarake të mundshme për të rritur presionin ndaj Teheranit, me synim destabilizimin e shoqërisë iraniane dhe shtyrjen e saj për ta detyruar regjimin drejt dorëzimit. Ky është një skenar që Paul Rogers e konsideroi të mundshëm në një artikull të botuar në gazetën britanike The Guardian më 11 mars, ku e paraqiti si një plan alternativ pas dështimit të rëndë ushtarak të strategjisë së vendosjes së shpejtë. Veprimet e Amerikës dhe Izraelit e konfirmuan shumë shpejt këtë, përmes shënjestrimit të infrastrukturës civile iraniane, madje edhe përmes kërcënimit për zhdukjen e të gjithë qytetërimit iranian, siç deklaroi së fundmi Trump.

A mund të zbatohet doktrina Dahiya në Iran?

Që në ditën e parë të luftës në vazhdim, bombat amerikane goditën shkollën Minab, në një sulm ku mbetën të vrara më shumë se 160 nxënëse të vogla. Në agimin e së premtes, më 13 mars, agjencia iraniane Tasnim publikoi pamje të një sulmi amerikano-izraelit që goditi një depo qumështi për foshnja dhe një depo tjetër të dedikuar për barnat e rasteve kritike dhe të pashërueshme në provincën Hamadan, në perëndim të Iranit. Ky sulm shkaktoi zjarre të mëdha, si pasojë e të cilave të dy depot u dogjën plotësisht. Këto sulme, si edhe shumë të tjera të ngjashme në ditët e fundit, na shtyjnë të pyesim nëse doktrina Dahiya ka filluar tashmë të zbatohet realisht, pas dështimit të strategjisë së prerjes së kokës nga ajri për të arritur objektivat e saj.

Irani është një nga tri vendet më të mëdha në Lindjen e Mesme: sipërfaqja e tij i kalon 1.6 milion kilometra katrorë, popullsia e tij i kalon 90 milion banorët, dhe ai kontrollon kalime ujore jetike si Ngushtica e Hormuzit. Të gjitha këto janë përparësi strategjike, gjeografike dhe demografike që e bëjnë pothuajse të pamundur nënshtrimin e tij vetëm nga ajri, pa zbarkime tokësore ku të përfshihen forca amerikane dhe izraelite. Por, për shkak të kushteve të ndërlikuara gjeopolitike dhe terrenit të ashpër iranian, opsioni i një pushtimi të plotë tokësor është parë nga ekspertët ushtarakë si i parealizueshëm.

Megjithatë, raporte të shtypit amerikan zbuluan se presidenti Donald Trump ka shqyrtuar opsione ushtarake që përfshijnë operacione të fshehta, ku forcat speciale do të depërtonin përmes boshllëqeve të caktuara për të kryer misione precize ushtarake. Ka gjasa që qëllimi i kësaj të jetë dëshira për të marrë kontrollin mbi rezervën e uraniumit me pasurim të lartë. Por mjedisi iranian në këtë moment mund të mos lejojë aventura të tilla në terren. Rogers vëren se zbulimi i vendeve ku ndodhet uraniumi i pasuruar mund të kërkojë një operacion ushtarak të gjerë për të zbuluar strehimet e varrosura thellë në male. Të gjithë këta faktorë së bashku e pengojnë administratën Trump të arrijë ndonjë përparim në fushëbetejë që mund t’i paraqitet opinionit të brendshëm amerikan si një fitore e shpejtë ushtarake.

Në artikullin e tij, Paul Rogers mendon se faza tjetër e luftës do të përfshijë kalimin në një plan alternativ, i cili do t’i shtojë luftës dy elemente kryesore: së pari, përpjekjen për të nxitur përçarjet e brendshme përmes armatosjes së pakicave etnike iraniane — Trump së fundmi pranoi se kishte tentuar të armatoste protestuesit iranianë — dhe së dyti, përqafimin e doktrinës Dahiya, sidomos nën administratën e presidentit Trump dhe ministrit amerikan të luftës Pete Hegseth, politikat e të cilëve janë karakterizuar nga agresiviteti. Nga deklaratat e tyre, shpesh krijohet përshtypja se janë të gatshëm t’i drejtohen një shkatërrimi më të gjerë në Iran për të arritur dorëzimin e regjimit iranian.

“Doktrina Dahiya mund të sjellë rezultate të kundërta në Teheran. Ajo është përdorur në fusha më të vogla beteje si Gaza dhe periferia jugore, ndërsa është e vështirë të zbatohet në një shtet të madh gjeografikisht si Irani.”

Rogers vëren se Amerika dhe Izraeli tashmë po e zbatojnë këtë qasje në Teheran, dhe këtë e mbështet me shtimin e shënjestrimit të infrastrukturës civile, siç ndodhi me urën e Karaxhit. Ai pret që ky model të shtohet edhe më tej në fazën e ardhshme — dhe kjo duket shumë e mundshme pas përfundimit të afatit të Trumpit. Sipas tij, zbatimi i doktrinës Dahiya mund të shfaqet në forma të ndryshme, ku më të rëndësishmet janë shënjestrimi i infrastrukturës ekonomike, si portet, stacionet energjetike dhe objektet e naftës, apo goditja e objekteve të sigurisë e administrative dhe e qendrave të shërbimeve si stacionet e ujit dhe të energjisë elektrike.

Megjithatë, përdorimi i doktrinës Dahiya në Iran mund të sjellë pasoja të kundërta nga ato që priten. Kjo doktrinë është përdorur në fusha më të vogla lufte, si Gaza dhe periferia jugore e Bejrutit, ndërsa zbatimi i saj në një shtet me shtrirje të madhe gjeografike si Irani është jashtëzakonisht i vështirë. Kjo përbën një sfidë ushtarake për Uashingtonin dhe Tel Avivin dhe kërcënon sigurinë, paqen dhe stabilitetin e të gjithë Lindjes së Mesme. Nëse edhe kjo strategji dështon të sjellë vendosjen përfundimtare, ashtu siç pritet, atëherë ajo paralajmëron një luftë të gjatë konsumimi në nivel rajonal, që mund të vazhdojë me muaj, ndoshta edhe me vite, dhe që do të godasë objektet e naftës dhe linjat detare të lundrimit në rajon, duke lënë pasoja shkatërrimtare ekonomike për mbarë botën.

/Nihad Zaki/

Burimi: Al Jazeera

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit