I Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte pranë varrit pas varrimit dhe thoshte:
“Kërkoni për të qëndrueshmëri (nga Allahu), sepse tani ai po pyetet.”
Nga kjo kuptohet se i vdekuri ka më shumë nevojë për dua pas varrimit.
Pra, kur jemi në xhenazen e tij, ne lutemi për të, jo me të; ndërmjetësojmë për të, jo kërkojmë ndërmjetësim prej tij.
Prandaj, pas varrimit kjo është edhe më e rëndësishme.
Por njerëzit e bidatit dhe shirkut e ndryshuan këtë: Ata e zëvendësuan lutjen për të vdekurin me lutjen drejtuar atij, dhe ndërmjetësimin për të me kërkimin e ndërmjetësimit prej tij.
Vizitën e varreve të cilën Profeti ﷺ e ligjëroi për dobi të të vdekurit, për dobi të vizitorit dhe si kujtesë për botën tjetër ata e kthyen në kërkim prej të vdekurve, betim me ta para Allahut, dhe në veçimin e atyre vendeve për dua, me përqendrim e përulje që ndonjëherë është më i madh se në xhami apo në kohët e natës.
Është e pamundur që lutja ndaj të vdekurve, lutja me ta apo lutja pranë tyre të jetë e ligjshme dhe e mirë, dhe megjithatë tri gjeneratat më të mira (të parët) ta kenë lënë këtë, ndërsa ta zbulojnë ata që erdhën më pas, të cilët thonë atë që nuk veprojnë dhe veprojnë atë që nuk u është urdhëruar.
Kjo ishte suneti i Profetit ﷺ për më shumë se njëzet vjet, deri sa ndërroi jetë.
Kjo ishte edhe rruga e halifëve të drejtë dhe e të gjithë sahabëve dhe pasuesve të tyre.
A mundet dikush të sjellë qoftë edhe një transmetim të vetëm të saktë, të dobët apo të ndërprerë që ata, kur kishin ndonjë nevojë, shkonin te varret dhe luteshin aty, fërkoheshin me to, apo falnin namaz pranë tyre, apo i kërkonin Allahut përmes tyre, apo u kërkonin atyre nevojat e tyre?
Le të sjellin qoftë edhe një dëshmi të vetme për këtë!
Po, mund të sjellin shumë nga ata që erdhën më vonë, dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen këto gjëra,
deri sa janë shkruar libra të tërë për këtë, pa asnjë bazë nga Profeti ﷺ, as nga sahabët.
Sikur lutja te varret, falja aty apo kërkimi i bereqetit prej tyre të ishte virtyt apo sunet,
muhaxhirët dhe ensarët do ta kishin bërë këtë të njohur dhe do ta kishin praktikuar.
Por ata ishin më të ditur për Allahun, për Profetin dhe për fenë se ata që erdhën pas tyre.
Edhe tabi’inët ndoqën të njëjtën rrugë, megjithëse kishin shumë varre të sahabëve në vendet e tyre.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk kërkoi ndihmë te varret, nuk iu lut të vdekurve,
nuk u lut me ta, nuk u lut pranë tyre, nuk kërkoi shi apo fitore përmes tyre.
Dhe dihet se gjëra të tilla do të ishin transmetuar gjerësisht, nëse do të ekzistonin.
Pra, ose lutja pranë varreve është më e mirë se diku tjetër, ose jo.
Nëse është më e mirë, si ka mundësi që sahabët dhe brezat e parë nuk e ditën dhe nuk e praktikuan?
A është e mundur që ata të mos e dinin këtë të mirë të madhe, ndërsa e zbuluan ata që erdhën më pas?
Dhe nuk është e mundur që ata ta dinin dhe ta linin, duke qenë se ishin më të etur për çdo të mirë.
Prandaj, mbetet përfundimi:
Nuk ka ndonjë veçori apo vlerë në lutjen pranë varreve, dhe nuk është e ligjshme t’u jepet një vend i veçantë për këtë, sepse kjo çon në devijime dhe gabime.
Dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e ligjërojnë një adhurim që nuk është shpallur.
Ata (sahabët) kanë kundërshtuar edhe gjëra shumë më të vogla se kjo…
Dhe kush e njeh mirë fenë dhe gjendjen e njerëzve sot në këtë çështje, e kupton se dallimi mes të parëve dhe të mëvonshmëve është si dallimi mes lindjes dhe perëndimit.
— Ibn el-Kajjim
Ighathat el-Lahfan
