Kur ndërroi jetë Profeti ﷺ dhe muslimanët u mbushën me pikëllim e hutim, u ngrit shoku i tij besnik, Ebu Bekri (radijAllahu anhu), në xhami dhe tha fjalën e tij të famshme:
“O njerëz! Kush adhuronte Muhamedin, Muhamedi ka vdekur; por kush adhuron Allahun, Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes!”
Duke u mbështetur në këtë fjalë, dua të them:
“O njerëz! Kush adhuron Ramazanin, dijeni se Ramazani është pranë përfundimit; por kush adhuron Allahun, Ai është Zoti i të gjitha muajve!”
Nuk më pëlqen të demoralizoj apo të shuaj motivimin. Më pëlqen të shoh gjysmën plot të gotës, madje ndonjëherë më bën të harroj gjysmën bosh. Dhe më mirë ndez një qiri sesa të mallkoj errësirën.
Me të vërtetë, afrimi i umetit drejt këtij muaji të zgjedhur nga Allahu gëzon zemrën dhe e qetëson shpirtin.
Pamja e safave të shumta në namazin e sabahut është kënaqësi për syrin dhe siguri për zemrën se ky ummet mund të sëmuret, por nuk vdes.
Allahu i dërgon çdo vit një muaj që ringjall atë që ka vdekur gjatë vitit.
Xhamitë e mbushura plot në teravi janë gëzim dhe shpresë.
Bisedat për hatmet e Kur’anit janë të bukura.
Pjesëmarrja e fëmijëve në garat e Kur’anit tregon se e ardhmja e këtij umeti është e mbjellë me mirësi.
Pjatat e ushqimit që shkëmbehen mes fqinjëve janë shenjë dashurie dhe afrimiteti, jo thjesht zakon ushqimor.
Dhe sadakatë e shumta janë dëshmi e solidaritetit.
Por ajo që nuk e kuptoj është:
Pse nuk i marrim me vete moralin dhe adhurimet e Ramazanit gjatë gjithë vitit?
Pse në dhjetë netët e fundit safat mbushen, ndërsa pas Ramazanit mezi plotësohet rreshti i parë?
Pse e trajtojmë Kur’anin si libër muaji dhe jo si libër jete?
Pse nuk kërkojmë të varfrit gjatë gjithë vitit?
Pse nuk ndajmë ushqim me fqinjët në muajt e tjerë?
Pse ndalet nxitja e fëmijëve për të mësuar Kur’an pas Ramazanit?
Vërtet, nderimi i Ramazanit me namaz, agjërim, Kur’an dhe sadaka është diçka madhështore dhe e bukur.
Dhe një ummet që e ruan këtë muaj në këtë mënyrë, pa e humbur siç kanë bërë popujt para tij, është një ummet që meriton të rikthehet në vendin e tij si udhëheqës i njerëzimit.
Por ky ummet nuk do të kthehet në pozitën e tij të vërtetë derisa ta mbajë Ramazanin me vete në të gjithë muajt.
Prandaj:
Jini robër të Allahut gjatë gjithë vitit, jo vetëm në Ramazan!
Gëzuar dhe çdo vit me të mira! 🌙
Ed-hem Sherkavij
