Konvertimi fetar si projekt politik: një kritikë e drejtpërdrejtë e mitit të “rikthimit te rrënjët”

Më të lexuarat

Një gjë duhet ta keni të qartë: sipas feve, besimtarët janë vëllezër në besim myslimanët me myslimanët, katolikët mes vete dhe katolikët me ortodoksët si të krishterë.

Pikërisht në këtë frymë, Imzot Dodë Gjergji, i zgjedhur Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare “Shën Çirili dhe Metodi” në Beograd, përfaqëson ipeshkvijtë dhe dioqezat katolike të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ai i ka vëllezër në fe dhe bashkëpunëtorë të gjithë katolikët, pavarësisht kombësisë, dhe në kuptimin e krishterë edhe ortodoksët. Kështu e thotë Bibla dhe tradita e krishterë.

Prandaj bie poshtë pretendimi i atyre që konvertimin në katolicizëm e shesin si akt patriotik, si “rikthim te rrënjët” apo si shpëtim të shqiptarisë. Kjo është iluzion. Feja nuk shëron komplekse kombëtare dhe nuk prodhon patriotizëm automatik. Shqiptarët kanë qenë të pushtuar për shekuj si të krishterë nën Perandorinë Romake, më pas nën Bizantin, bullgarët dhe serbët si ortodoksë, e pastaj nën Perandorinë Osmane si myslimanë.

Pra askush nuk mund të thirret seriozisht në “rikthim” fetar për ta shpëtuar kombin. Po të kërkohej rikthim i vërtetë te rrënjët para pushtimeve, logjikisht do të duhej të ktheheshim te paganizmi ilir, gjë që e demaskon këtë tezë si ideologjike, jo historike dhe jo fetare.

Problemi lind kur disa duan të jenë internacionalistë jashtë Kosovës “siç e thotë feja”, ndërsa brenda Kosovës shtiren patriotë, duke e përdorur fenë për nacionalizëm dhe përçarje. Krishterimi dhe islami nuk janë fe nacionale, por universale. Ato nuk i drejtohen kombit apo etnisë, por njeriut. Kush e përdor fenë për nacionalizëm, siç kanë bërë edhe figura kriminale si Millosheviqi apo Netanjahu, ose nuk e kupton fenë, ose e përdor atë për të justifikuar krimin.

Zgjedhja, gjetja dhe ndryshimi i fesë, apo edhe zgjedhja e ateizmit apo komunizmit, nuk të bën më shqiptar. Kombi dhe feja janë dy drejtëza paralele që nuk takohen dhe nuk bien kurrë ndesh me njëra-tjetrën.

Pa asnjë dyshim, fetaria duhet të të bëjë njeri më të mirë. Por fatkeqësisht, ju nuk po bëheni as njerëz më të mirë, as shqiptarë të mirë, e kurrësesi fetarë të vërtetë, sepse qëllimi juaj nuk është besimi, por urrejtja ndaj të tjerëve.

Dhe ta dini qe kushdo që i ngatërron këto me qëllim për të nxitur urrejtje, nuk e mbron kombin dhe as nuk i shërben besimit të vet, por prodhon përçarje brenda kombit dhe shndërrohet në argat të fortë të Serbisë!

 

/Ali Sefaj/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit