Vlera e drogës 600 milionë euro, trafikantët në një hap me teknologjinë për vazhdimin e veprimtarisë ilegale.
Autoritetet portugeze, kanë realizuar një sekuestrim historik prej gati nëntë tonësh kokainë pas ndalimit të një anijeje gjysmë-nëndetëse në afërsi të ishujve Azoreve. Kjo konsiderohet ngarkesa më e madhe e drogës e gjetur ndonjëherë në një mjet të tillë me destinacion Evropën.
Operacioni u krye nga Policia Gjyqësore në bashkëpunim me forcat detare dhe ajrore, si dhe me mbështetjen e DEA-s amerikane dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë ndërhyrjes, e cila u zhvillua në kushte ekstreme moti rreth 230 milje detare nga bregu, anija u fundos duke marrë me vete 35 qese kokainë. Megjithatë, pjesa më e madhe prej 300 qesesh u sekuestrua.
Katër anëtarët e ekuipazhit – tre kolumbianë dhe një venezuelian – u arrestuan. Sipas mediave vendase, vlera e drogës llogaritet deri në 600 milionë euro. Ky sukses vjen pas një operacioni të ngjashëm në mars të vitit të kaluar, ku u kapën 6.5 ton kokainë po në Azore.
Megjithëse narko-nëndetëset janë përdorur në Amerikën Latine që prej viteve 1980, prania e tyre në ujërat evropiane u diktua për herë të parë në vitin 2006. Në një intervistë të fundit, Alberto Morales nga policia spanjolle shpjegoi se rënia e çmimeve të kokainës po i detyron bandat të ndryshojnë strategji.
Në vend që t’i braktisin anijet pas një udhëtimi, ata tani krijojnë platforma furnizimi në det të hapur në mënyrë që mjetet të kthehen dhe të kryejnë disa udhëtime. Paralelisht, policia spanjolle njoftoi shkatërrimin e një rrjeti tjetër masiv që kishte futur mbi 57 ton drogë në Evropë gjatë vitit të kaluar. Ky hetim njëvjeçar çoi në 105 arrestime dhe sekuestrimin e 30 anijeve.
Rrjeti përdorte logjistikë të sofistikuar, duke përfshirë motoskafë të shpejtë që takoheshin me anije furnizimi në mes të Atlantikut. Organizata ishte aq e kujdesshme sa pagoi 12 milionë euro familjen e një anëtari të vdekur për të garantuar heshtjen e tyre./tesheshi/
