Diplomacia në provë: Davos si skenë e tensioneve transatlantike

Më të lexuarat

Forumi Ekonomik Botëror në Davos që nis sot, do të shndërrohet në një arenë politike, pasi përplasja mes Donald Trump dhe liderëve evropianë pritet të marrë formën e një “finaleje” vendimtare.

Me pjesëmarrjen e tij të mërkurën dhe të enjten në punimet e samitit, Trump synon të përdorë skenën globale jo vetëm për të riafirmuar vizionin e tij “MAGA”, por edhe për të testuar kufijtë e marrëdhënieve transatlantike.

Në qendër të debatit janë tri kriza ndërkombëtare: rindërtimi i Gazës, e ardhmja e Ukrainës dhe tensionet e reja në Groenlandë. Presidentja e Komisionit Ursula Von der Lejen, kancelari gjerman Fridrih Merc dhe presidenti francez Emanuel Makron do të përpiqen të mbajnë një linjë të përbashkët evropiane.

Ndërkohë Trump paralajmëron tarifa të reja dhe një politikë të ashpër ndaj vendeve që kundërshtojnë planet e tij. Danimarka, e cila ka refuzuar idenë e aneksimit të Grenlandës, e ka shtuar praninë ushtarake në rajon, duke e kthyer çështjen në një pikë të nxehtë të diskutimeve.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbërrin në Davos me synim sigurimin e një garancie mbrojtjeje nga NATO dhe SHBA. Por prania e mundshme e këshilltarit rus Kirill Dmitriev shton dilemat mbi legjitimitetin e dialogut, duke rikthyer në forum hijen e Moskës pas një mungese të gjatë.

Trump synon gjithashtu të inaugurojë krijimin e Këshillit të Gazës, me mbështetjen e Xhared Kashner dhe Stiven Uitkof, duke e përdorur Davosin si trampolinë për një rol të ri amerikan në proceset e paqes.

Megjithatë, mungesa e mundshme e Makron dhe tensionet mes Parisit e Uashingtonit rrezikojnë të thellojnë ndarjet brenda Perëndimit. Në këtë sfond, pritet që kancelari Merc dhe ndoshta kryeministrja italiane Xhorxha Meloni të luajnë rolin e ndërmjetësuesve./tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit