Jemi më pro-amerikanët në rajon, pse Trump na ndëshkoi ne dhe jo Serbinë?

Më të lexuarat

Një alarm për Tiranën dhe Prishtinën: koha për aleanca të reja…

Në korridoret e diplomacisë dhe në kafenetë e Tiranës e Prishtinës, sot mbretëron një heshtje e rëndë, e thyer vetëm nga një pyetje që tingëllon sa e pabesueshme, aq edhe e dhimbshme: Si ka mundësi?

Lajmi që vjen nga Uashingtoni na godet aty ku na dhemb më shumë. Donald Trump ka vendosur të pezullojë vizat migruese për Shqipërinë dhe Kosovën, duke na rreshtuar në një listë me vendet më të varfra dhe problematike të botës.

Arsyetimi i “barrës publike” dhe shifrat se gati gjysma e familjeve tona në SHBA marrin ndihmë sociale, është një shuplakë e rëndë për krenarinë tonë kombëtare. Habia nuk vjen thjesht nga vendimi teknik, por nga kontrasti moral.

Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në Evropë, me një mbështetje mbi 72 për qind për lidershipin e SHBA-së. Ne jemi populli që emërton bulevardet me emrat e presidentëve amerikanë, ndërsa sot shohim se pro-amerikanët më të flaktë ndëshkohen, ndërsa Serbia – vendi që mban lidhje të ngushta me Moskën – mungon në këtë listë ndëshkimi.

Ky pragmatizëm i ftohtë i administratës Trump. tregon se besnikëria jonë historike nuk po peshon më aq sa interesat e reja gjeopolitike të Uashingtonit. Deri dje, politikanët tanë na premtonin liberalizim vizash me SHBA-në brenda disa viteve.

Sot po shkërmoqet ëndrra e Lotarisë Amerikane dhe bashkimit familjar. Duke filluar nga 21 janari, një “mur” i ri po ngrihet, ku kriteret për të hyrë në Amerikë do të vlerësojnë moshën, peshën trupore dhe aftësinë financiare me një rreptësi që i ngjan më shumë një skaneri policor sesa një procesi administrativ.

Është acaruese të shohësh se si ata që na luftuan dje, serbët, do e kalojnë postbllokun amerikan pa asnjë pengesë, ndërsa ne do të mbetemi në bankën e të akuzuarve. Kjo krizë e papritur besimi duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për Tiranën dhe Prishtinën: po perëndon epoka e mbështetjes verbërisht te një aleat i vetëm.

Ndëshkimi i Trump-it na detyron të shohim me urgjencë drejt Brukselit, Berlinit dhe Parisit, duke forcuar aleancat brenda Evropës si një mburojë ndaj lëkundjeve të papritura të politikës së jashtme amerikane.

Në një botë ku Uashingtoni po bëhet gjithnjë e më transaksional, Shqipëria dhe Kosova duhet të diversifikojnë partneritetet e tyre gjetiu, duke kërkuar garanci sigurie dhe ekonomike edhe në Lindjen e Mesme apo te fuqitë e reja globale, për të mos mbetur peng i një dashurie të njëanshme që po na kushton shtrenjtë./tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit