Nga Shejh Dr. Fajsall bin Ali el-Ba‘dani
Kjo është vetëm një pyetje në formë, por në thelb ajo nuk është as e thjeshtë dhe as e pafajshme. Sot, kjo pyetje ka dalë nga periferia e vëmendjes dhe është vendosur në qendër të shqetësimit, duke trokitur fort në ndërgjegjen shkencore të umetit, në një moment historik jashtëzakonisht të ndjeshëm. Është një kohë kur krizat mbivendosen, përparësitë ngatërrohen dhe ndërtimi i thellë afatgjatë rrezikon të zëvendësohet me angazhime të shpejta e të përkohshme.
Kur e vështrojmë realitetin shkencor sot, vërejmë një tkurrje të vazhdueshme të pranisë së dijetarëve të përkushtuar plotësisht mësimdhënies. Ata që dikur e kishin jetën vakëf për përhapjen e dijes, për trashëgiminë e metodës dhe formimin e aftësive shkencore, po zhduken gradualisht, duke u zëvendësuar nga figura që shpesh mjaftohen me transmetimin e informacionit, pa ndërtuar rrënjosje dhe thellësi.
Po ashtu, mungon një rrugë e qartë formimi shkencor, ku nxënësi të ecë natyrshëm nga mësimi përmendësh drejt kuptimit, nga kuptimi drejt verifikimit, dhe nga verifikimi drejt themelimit dhe ixhtihadit. Pa këtë shkallëzim të disiplinuar, dija humbet peshën e saj dhe fjala për fenë rrezikon të thuhet pa përgjegjësi dhe pa dije.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se një pjesë e konsiderueshme e atyre që i përkasin dijes fetare janë të zhytur në çështje politike, mediatike dhe në mbrojtjen e kauzave madhore të umetit. Këto janë çështje fisnike dhe të rëndësishme, vlera e të cilave nuk mohohet. Problemi lind atëherë kur këto angazhime fillojnë të konkurrojnë drejtpërdrejt me mësimdhënien, të zbrazin rrethet e dijes dhe të ndërpresin zinxhirin e formimit metodik të dijetarëve. Një umet që nuk di të balancojë mes ndërtimit të brendshëm dhe përballjes së jashtme, e paguan këtë mungesë shumë shtrenjtë në të ardhmen.
Një rol në këtë krizë kanë luajtur edhe shumë shoqata dhe unione dijetarësh, të cilat – shpesh me qëllim të mirë – kanë përparësuar rolin publik, politik apo mediatik mbi misionin e tyre themelor: arsimimin, përgatitjen, verifikimin shkencor dhe formimin e dijetarëve të rinj. Kështu, prania e dijetarit në platforma publike u bë më e dukshme se prania e tij në rrethet e mësimit, ndërsa projektet e qeta dhe afatgjata, që japin fryt pas vitesh, u lanë pas dore.
Kësaj i shtohet edhe një mendësi e rrezikshme që e nënvlerëson arsimin fetar në shumë shoqëri myslimane, duke e trajtuar atë si një rrugë dytësore ose si zgjedhje të fundit, e jo si shtyllë të identitetit, mbrojtëse të fesë dhe bazë të qëndrueshmërisë qytetëruese. Si pasojë, dobësohet mbështetja institucionale, bien nivelet akademike dhe krijohet një shkëputje e thellë mes trashëgimisë shkencore dhe realitetit bashkëkohor.
Në këtë kontekst, pyetja bëhet e pashmangshme:
Si do të përgatiten dijetarët e Sheriatit në të ardhmen? Dhe kush do ta marrë përsipër këtë përgjegjësi madhore?
Ne besojmë me bindje të plotë se Allahu është Ruajtësi i fesë së Tij dhe se kjo dije nuk do të zhduket. Por ligjet e Allahut veprojnë përmes njerëzve, shkaqeve dhe projekteve konkrete. Besimi në ruajtjen hyjnore nuk e heq përgjegjësinë njerëzore, përkundrazi e rrit atë.
Kjo fazë kritike kërkon një rikthim serioz te misioni i dijes:
– rikthimin e dijetarëve te karriget e mësimit,
– ringjalljen e rretheve të dijes si fabrikë e dijetarëve,
– ndërtimin e programeve të qarta, institucionale dhe afatgjata për formimin shkencor,
– dhe krijimin e rretheve të specializuara që hartojnë rrugë të qëndrueshme edukimi fetar, pa sakrifikuar parimet dhe pa u shkëputur nga realiteti.
Në qendër të gjithë kësaj duhet të qëndrojë zbulimi dhe përkujdesja e talenteve shkencore që herët, përmes programeve të posaçme, shumëfazore dhe të mbikëqyrura nga dijetarë me përvojë dhe rrënjosje.
Formimi i dijetarit nuk është ngjarje e rastësishme, por themel i ringritjes së umetit. Ai nuk ndërtohet me përpjekje të shpërndara dhe emocionale, por me vizion, durim dhe projekte kolektive serioze. Nëse kjo pyetje nuk trajtohet sot me përgjegjësi dhe nuk shndërrohet në plane konkrete, hendeku mes nevojës për dijetarë dhe realitetit do të thellohet, me pasoja të rënda për dijen, unitetin dhe qëndrueshmërinë e umetit.
Allahu është Udhëzuesi.
